• Today is: Saturday, April 27, 2024

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

fakti
December26/ 2020

Në një vit të vështirë si 2020-a, Shqipëria humbi disa nga emrat më të njohur të fushave të ndryshme, herë për shkak të Covid dhe herë jo. Në këtë artikull gjeni një vështrim pas mbi disa nga figurat më me ndikim dhe trashëgiminë e tyre.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Fehmi Oshafi

Më 15 janar, “Qendra Kombëtare e Kinematografisë” njoftoi përmes një postimi në Facebook lajmin se regjisori i njohur Fehmi Oshafi ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.

Oshafi, lindi në shtator të 1934-ës në Tiranë dhe i dedikoi gjithë jetën kinemasë. Në fillimet e tij, Fehmi Oshafi nisi të punojë si asistent-regjisor. Suksesi i parë i tij ishte spektakli “Estrada në Ekran”, që i hapi rrugën drejt botës së kinemasë. Pas emrit të regjisorit qëndrojnë filma, si: “Shoku ynë Tili”, “Kapedani”, “Zëvendësi i Grave” apo “Ëndërr për një karrige”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Xhevdet Ferri

Xhevdet Ferri, një nga aktorët më të talentuar të kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, më 16 janar, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Në një postim të mëvonshëm, e bija e aktorit, Bora, u shpreh se ai kishte simptoma të ngjashme me Covid.

Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj. Ai nuk qëndroi larg kinemasë edhe në vitet 2000 me “Saimir” (2004), “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), “Gjallë” (2009) apo në “Kërkim të kujt” (2009).

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Nexhmije Pagarusha

Më 7 shkurt, Nexhmije Pagarusha, legjenda e muzikës shqiptare, Bilbili i Kosovës, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë, një fshat në afërsi të Malishevës, Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare; interpretoi vepra të përkthyera në shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, në një koncert të parë të llojit të tij që për fat të keq nuk u regjistrua.

Pagarusha i dha fund karrierës në vitin 1984 pas një koncerti në Sarajevë. Në vitin 2000, pas 16 vitesh larg skenës, u kthye me këngën “Për ty,” në një emision të Ardit Gjebreas. Gjithashtu, në vitin 2005, ishte në jurinë e “Këngës Magjike.” Në vitin 2012, ajo mori titullin “Ndëri i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Ndërsa në vitin 2018, mori “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Trump.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Evgjeni Harizi

Më 22 mars, Evgjeni Harizi, gruaja që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në kulinarinë shqiptare, u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme në Rochester, New York.

Evgjeni Harizi, e lindur në Pojan të Fierit më 1939-n, i kreu studimet e larta pjesërisht në Rusi dhe më pas ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës si Inxhiniere Teknologe e Ushqimit Social. Më pas, u emërua në Ndërmarrjen e Ushqimit Social ku punoi si teknologe dhe njëkohësisht ushtroi edhe profesionin e pedagoges në Shkollën e Ushqimit. Gjatë viteve kur qe aktive, Harizi botoi disa libra me gatime, si “Si të gatuajmë”, “Pastiçeria në familje”, “1000 receta gatimi”, “Gatime me perime dhe gjellë tradicionale shqiptare” etj., libra të cilët janë ribotuar disa herë.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Gëzim Kruja

Më 5 prill, aktori i humorit, një nga ikonat e komedisë shkodrane, Gëzim Kruja u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Gëzim Kruja e nisi karrierën që në moshën 13-vjeçare, fillimisht si amator e më vonë u aktivizua me estradën profesioniste të Shkodrës. Studimet e larta i mbaroi në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Shkodër. Në vitin 2004 u vlerësua me çmimin “Krenaria e Qytetit”, një vit më vonë mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Rikard Ljarja

Më 20 prill, Rikard Ljarja, një nga ikonat më të shquara të kinematografisë shqiptare ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Ljarja, i lindur në Shkodër, e nisi karrierën në kinematografi që pas përfundimit të gjimnazit duke ndjekur fillimisht studimet në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Pas studimeve, punoi si aktor në teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe më pas si aktor, regjisor dhe skenarist në disa nga filmat më të njohur të kohës. Disa nga filmat ku spikati me talentin e tij janë “Rrugë të bardha”, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Shpërthimi”, “Ilegalët”, “Kur zbardhi një ditë” etj.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Maks Velo

Më 7 maj, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare piktori, arkitekti, shkrimtari dhe studiuesi Maks Velo.

I specializuar në arkitekturë, në 1960-ën, Velo mori pjesë në projektin e parë që u bë në Tiranë. Gjatë viteve 1978-1979 ai u arrestua nga regjimi i asaj kohe dhe u dënua me 10 vite burg, vite të cilat e frymëzuan për një pjesë të mirë të krijmtarisë së tij të mëvonshme.

Maks Velo është gjithashtu autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Përparim Tomçini

Më 5 qershor, kompozitori i njohur shqiptar, Përparim Tomçini, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare.

Përparim Tomçini lindi në Peshkopi dhe përfundoi Akademinë e Arteve për kompozim. Krijimtarinë e filloi që kur ishte student. Tomçini është autor i përpunimeve muzikore të “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “”Po vjen zogu për rreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Moikom Zeqo

Më 15 qershor, Moikom Zeqo, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Shkrimtari, i lindur në Durrës la pas plot 62 vepra me poezi, me studime arkeologjike, si dhe skenare filmash kinematografikë e televizivë me karakter kulturor dhe arkeologjik.

Shumë nga krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja; anglisht, frengjisht, italisht, serbo-kroatikisht, bullgarisht, polonisht, gjermanisht, etj. Moikom Zeqo është gjithashtu autor i tre ekspozitave në pikturë. Veprat dhe karriera e tij e gjatë artistike dhe intelektuale janë vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj. “Mjeshtri i Madh” do të mbahet mend gjatë si pioner i post-modernizimit në letrat shqipe.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Besim Zekthi

Më 28 qershor, mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë.

Zekthi, një nga emrat më të shquar të valles popullore, spikati që prej fillimit për talentin e tij dhe shprehjen e traditës së folklorit shqiptar përmes lëvizjeve të trupit. Solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dijon-it në Francën e viteve 1970.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Shpresa Vreto

Më 28 shtator, Shpresa Vreto, shkrimtarja për fëmijë dhe skenariste e disa filmave u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare. Skenarët e saj më të famshëm, janë përshtatur në disa prej filmave më të njohur shqiptarë. Në 1987-ën, Vreto shkroi skenarin e filmit vizatimor “Mirela” e ndërsa në 1981-in bashkë me Xhanfize Kekon realizuan skenarin e filmit “Kur Xhirohej një Film”.

5 vite më vonë, erdhi si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”. Shpresa Vreto ka kontribuar gjithashtu me penën e saj në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në 1990-ën. Përtej realizimit të skenareve të disa prej filmave më të famshëm të atyre viteve, Vreto është gjithashtu autore e disa librave për fëmijë. “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” si dhe revistat për të vegjël “Sirena e Vogël” apo “Bota ime”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Avni Mula

Më 29 tetor, kompozitori i shquar shqiptar ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Avni Mula ishte këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i këngëve të njohura si “Valsi i lumturisë”, “Vajza me kaçurrela”, “Shqipëri, o vendi im” etj.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Koço Devole

Më 8 nëntor, aktori dhe regjisori Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas infektimit me Covid i cili i ndërlikoi gjendjen shëndetësore sepse vuante nga leuçemia.

Devole, i lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945, ishte një nga figurat më të njohura të humorit shqiptar në vitet ’80 dhe ’90. Ndër rolet e tij më të njohura përmendim ato në telekomeditë “Të gjallë apo të vdekur”, “Çanta me nje milion”, “Oreksi i madh”, “Mos shko o trim”, “Revolja e heroit”, “Pushime në Romë” etj. Në karrierën e tij, aktori u vlerësua edhe për karikaturat e njohura (revista Hosteni).

Që prej vitit 2009, Devole ishte pjesë e “Fiks Fare”, ku krijimtaria e tij spikati në rubrikat “Koço Kiçi Shoë” dhe “Monitorime”. Në vitin 2013, u bë pjesë e serialit “O sa mirë”, ndërsa në 2019-n ishte pjesë e kastit të aktorëve të komedisë romantike “Dy gisht mjaltë”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Milto Vako

Më 10 nëntor, përmes një deklarate zyrtare, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njoftoi ndarjen nga jeta në moshën 90-vjeçare të dirigjentit Milto Vako.

Mjeshtri u diplomua në Konservatorin Çajkovski në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit. Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Si drejtues i korit të AKVP, sëbashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut. . Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj., i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Valter Gjoni

Më 14 nëntor, aktori i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare, Valter Gjoni, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Ai e filloi karrierën si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në fund të viteve ’70. Më pas u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, Kinostudios dhe Radio-Televizionit Shqiptar. Krahas karrierës së tij si aktor me mbi 70 role dhe interpretime, Gjoni spikati edhe për studimet dhe botimet e tij akademike. Në vitin 1985, ai filloi punë në Bashkinë e Tiranës, për çështjet kulturore, historike dhe artistike, punë të cilën e vazhdoi edhe pas daljes në pension. U vlerësua me çmime si “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, Urdhri “Naim Frashëri” dhe vitin e shkuar me çmimin “Simbol i qytetit”.

Figurat e shquara shqiptare që u ndanë nga jeta gjatë 2020-s

Lumturi Blloshmi

Më 27 nëntor, Lumturi Blloshmi, piktorja e njohur shqiptare ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.

Ajo krahasohej shpesh me Frida Kahlo-n për shkak të krijmtarisë së saj. Blloshmi ishte ndër artistet e para që lëvroi performancën dhe instalacionin në vendin tonë. E lindur në Tiranë në 1944-ën, ajo u diplomua për pikturë në vitin 1968, për të hapur në 1988 ekspozitën e parë personale në Berat. Po në atë vit, mori pjesë në Bienalen e Ankarasë. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi mori pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, periudhë e cila kujtohet si shumë delikate për artin shqiptar.

25 mjekët që humbën jetën nga Covid

1. Anibal Byberi (53 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Bajram Curri

2. Astrit Haziri (54 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Kukës

3. Arian Pushi (58 vjeç) – mjek hematolog, Tiranë

4. Agron Menzelxhiu (71 vjeç) – kirurg, Elbasan

5. Memo Boçi (81 vjeç) – epidemiolog, Tiranë

6. Hysni Shkjau (69 vjeç) – mjek familje, Pukë

7. Vilson Topulli (73 vjeç) – epidemiolog, Tiranë

8. Zyliha Kraja (78 vjeçe) – kirurge, Shkodër

9. Esat Pashaj (71 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Skrapar

10. Muharrem Xhepexhiu (64 vjeç) – mjek familjeje, Lushnjë

11. Sefer Dervishi (61 vjeç) – mjek familjeje, Kavajë

12. Ilirjan Draçi (66 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Tiranë

13. Hidajet Deda (67 vjeç) – pediatër, Kavajë

14. Eduart Dhamo (57 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Lushnjë

15. Shaqir Shehu (68 vjeç) – kirurg, Kukës

16. Ibrahim Kaziu (68 vjeç) – pneumolog, Dibër

17. Ferdinand Shkrepa (68 vjeç) – okulist, Elbasan

18. Bledi Nini (48 vjeç) – otorinolaringolog, Tiranë

19. Myftar Zemani (78 vjeç) – mjek familjeje, Fier

20. Leonard Kamberi (47 vjeç) – gjinekolog, Vlorë

21. Suela Muça (48 vjeçe) – gjinekologe, Tiranë

22. Drini Dobi (51 vjeç) – neurolog, Tiranë

23. Raimonda Lengu – mjeke familje, Tiranë

24. Flutura Hashorva – mjeke pneumologe

25. Mihal Kerci – anestezist reanimator