Rrugët janë të zbrazëta. Asnjë njeri në teatrot e numërta të Londrës. Nuk ka njerëz as para teatrove dhe rrugëve ku zakonisht sundon gumëzhima shurdhuese ditë e natë. Nuk ka qenë kështu as gjatë luftës kur gjermanët e bombardonin Londrën çdo natë.
Nga Daut DAUTI/ Londër
Megjithatë, Londra nuk fikësohej dhe njerëzit shkonin në kinema dhe teatër që funksiononin normalisht. Sivjet është ndryshe për shkak se armiku është më i rrezikshëm. Prandaj, ka vdekur gjallëria kulturore e fundvitit dhe kjo është trishtuese.
Viteve tjera, në këtë kohë teatrot janë plot me njerëz. Shfaqet pantomina, e cila fillon me muajin dhjetor dhe përfundon me janarin. Interesimi është aq i madh për këto shfaqje sa që është vështirë të gjenden bileta.
Pantomima është komedi muzikore që ka filluar të shfaqet që nga viti 1732 për herë të parë në teatrin ‘Lincoln’s Inn’ në Covent Garden, në qendër të Londrës. Pastaj, pantomima u bë tradicionale për t’u shfaqur çdo vit në këtë kohë dhe pothuaj në të gjitha teatrot britanike dhe madje edhe nëpër sallat e qytezave she fshatrave. Gradualisht u bë shfaqje tradicionale edhe në vendet tjera anglo-saksone.
Pantomima erdhi nga Italia, por ajo sot është prodhim skenik anglez dhe nuk shfaqet askund tjetër në Evropë, pos në Maltë dhe Zvicër. Në Maltë dihet që ka mbetur si ndikim i sundimit britanik. Në Zvicër shfaqet vetëm në Bazel dhe ka mbetur si ndikim i kolonisë së anglezëve që e themeluan këtë traditë e cila vazhdon edhe sot.
Pantomima është dramë muzikore humoristike. Është e vetmja shfaqje kur publiku dhe aktorët kanë të drejtë të komunikojnë mes veti. Kur aktori gabon (me qëllim) publiku ia përmirëson gabimin. Kur aktori kryesor (heroi) e kërkon, por nuk e gjenë anti-heroin, publiku ngritet në këmbë dhe i tregon:’është prapa shpinës tënde’.
Pantomima është shfaqje e bazuar në tregime për fëmijë. Por, në këto role luajnë aktorët më të njohur britanikë. Ndodhë që aktorët janë personalitete të njohura publike. Për këtë arsye sallat mbushen me shikues që janë fëmijë dhe prindër. Është një moment që familjet dhe botën e artit i bashkon humori dhe argëtimi. Shfaqjet më të njohura që inskenohen janë: Alajdini, Borëbardha Pjetër Pani, Bukuroshja e Fjetur, Bukuroshja dhe Bisha, etj. Shfaqjet kanë emra të ndryshëm por ngjarja dhe humori, së bashku me efektin, janë të njejta.
Sivjet, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk ka pantomimë. Prandaj, ka më pak humor.