• Today is: Monday, November 25, 2024
fakti
November01/ 2020

Laicizmi ekstrem francez duhet modeluar asisoj që të rrespektojë më tepër ndjenjat religjioze të qytetarëve të saj, siç rrespektojnë këto ndjenja vendet tjrera të zhvilluara si Gjermania, Anglia, SHBA-të, etj.

Nga Senat FERATI

 

Skandalet tashmë janë bërë përditshmëri e zakonshme në jetën tonë, më së paku monotone. Dhe atë jo vetëm skandalet politike, të cilat i karakterizojnë edhe shoqëritë tjera, por në shoqërinë tonë shqiptare janë bërë më se të zakonshme edhe skandalet kulturore. E një i këtillë është edhe ky i ambasadorit të Kosovës (Qëndrim Gashi) në Francë, i cili për të u rënë në sy qarqeve të caktuara atje, e për të kënaqur kështu narcizmin e tij, imitoi rolin e portparolit të qeverisë franceze, me nijetin e mirë të iu ndihmojë mediave franceze, konkretisht Figaro-s, që të kryejn sa më efektshëm funksionin e tyre në shërbim të qytetarëve francez.

Të themi që në fillim se prerja e kokës nga kushdo qoftë kujdo qoftë është akt barbar i pajustifikueshëm, pa marrë parasyshë motivin, përpos vetëmbrojtjes. Një veprim të këtillë e dënon edhe ligji islamik. Kjo lehtë vërtetohet nëse, qoftë edhe vetëm kalimthi, i hedhim një sy Kuranit, librit të shenjtë të muslimanëve. Konstatimi i këtillë nuk kapet vetëm nëse i bëjmë interpretim tendencioz Kuranit, nëse aty e lexojmë vetëm atë që duam dhe jo edhe atë që, ndoshta, është kundër bindjeve të lexuesit. Dhe, pikërisht, edhe interpretimi tendencioz i vlerave islame nga jomuslimanët, në Francë, është njëri prej faktorëve që po ndikojnë keq  në perceptimin negativ ndaj qytetarëve musliman atje. Të këtilla janë edhe deklaratat e kohë pas kohëshme të kryetarit Macron ndaj Islamit, siç është edhe deklarata e tij  se islami është në krizë gjithkund – kur digjet shtëpia e tij, ky mendon se po digjet e tërë bota! Ky nuk dëshiron të kuptojë, tok me të tjerët, se terrorizmi islam nuk ka prejardhje të brendshme, përndryshe do të kishim kolonizim të vendeve të ndryshme nga ndonjë vend musliman, siç kan bërë vendet perëndimore, por se ky terrorizëm, si dukuri moderne, kryesisht është shkaktuar nga faktorët e jashtëm, të cilët faktorë shoqëritë muslimane nuk munden të vetëm me i sfiduar.  Ky terrorizëm, përveç tjerash, është shkaktuar edhe nga bombat franceze në Irak, Libi e Siri, ku janë vrarë civil të pafajshëm. Kuptohet, nënkuptohen këtu edhe SHBA-të, Anglia e të tjerët. Përzierja aktuale kaotike e shteteve perëndimore, të lartëpërmendura, në vendet muslimane, kinse për qëllime paqësore (siç vepron Kina me “edukimin” e Ujgurëve) duke shkaktuar detronizime tektonike sociale dhe ekonomike, po shkakton, përveç shpërnguljeve, edhe  provokime dhe energji negative te diaspora muslimane nëpër vendet euro-perëndimore.

Ky krim makabër, i para disa ditëve, afër selis së revistës Charli Hebdo, absolutisht i pajustifikueshëm, pjesërisht është i gjeneruar edhe nga klima elektrizuese të cilën konstant po e prodhon sekularizmi ekstrem francez, i cili që nga vitet e 80’ në segmentet shoqërore të getoizuara jep efekte kontraproduktive antisociale e fashizoide.  Kjo klimë, e tendosur skajshmërisht me dekada, nuk tregon shenja zbutjeje. Përkundrazi, siç kan raportuar mediat franceze, menjëherë pas rastit Charli Hebdo, nëpër disa shkolla disa mësues i kanë detyruar nxënësit musliman të e thonë zëshëm “Un jam Çarli (Je suis Charlie)”, ndërsa nxënësit  që kanë refuzuar i kanë trajtuar për terroristë, i kanë përjashtuar, apo e kanë pësuar në në ndonjë formë tjetër. Pastaj, së fundmi, dy ditë pas krimi makabër të fundit, dy femra muslimane me mbulesë u sulmuan me thikë te Kulla Ajfelit, ku njëra pësoi edhe me lëndime serioze trupore, por zhurma mediale për këto dy femra të pafajshme ishte e zbehtë meqë ishin muslimane. Dhe do të ndëgjojmë edhe për raste tjera.

Politika e Macronit per tu ballafaquar me ekstremizmin fetar do të jetë jetëshkurte, si deri më tani, meqë bazohet në intereset e politikës ditore, kurse zgjidhja afatgjate e këtij problemi, pra integrimi i suksesshëm i muslimanëve në shoqërinë franceze, mund të zgjidhet vetëm kur shoqëria franceze të ballafaqohet me të kaluarën e saj kolonialiste në vendet muslimane, siç po ballafaqohet sot shoqëria amerikane me racizmin e saj, apo siç u ballafaqua,  e po ballafaqohet aktualisht, shoqëria gjermane me të kaluarën  e  saj. Por edhe laicizmi ekstrem francez duhet modeluar asisoj që të rrespektojë më tepër ndjenjat religjioze të qytetarëve të saj, siç rrespektojnë këto ndjenja vendet tjrera të zhvilluara si Gjermania, Anglia, SHBA-të, etj. Të insistohet me kryeneqësi që në emër të lirisë së shprehjes të lejohet  ofendimi i vlerave të shenjta të një pjese tjetër e konsiderueshme e shoqërisë, domosdo se do të ketë efekte bumerangu, si deri tani, ashtu edhe në të ardhmen. Pra, një gjë është rrespektimi i laicitetit si parim kushtetues, e tjetër gjë është ideologjizimi i këtij parimi. Fundamentalizmi është i dëmshëm jo vetëm në fe, por edhe në kulturë, e sidomos në politikë.

Por, pse veproi ashtu si veproi ambasadori i Kosovës në Francë, pse nga ky veprim të skandalizohet opinioni shqiptar? Duke marrë parasyshë se ambasadori është përfaqësues i një shoqërie mjaftë religjioze, në të cilën profetët Muhamedi dhe Jezusi janë më të rrespektueshëm se kryetari e kryeministri i shtetit, pra ku vlerat religjioze janë po aq të rëndësishme sa edhe ato politike, pa mbisunduar njëra-tjetrën, andaj ky duhej të rrespektonte këtë ndjesi kolektive të bashkqytetarëve të tij, këtë identitet kolektiv kulturor e multifetarë, e jo të sillet sikur ky është ambasador francez në Kosovë, thuajse  shoqëria kosovare është laike sikur shoqëria franceze, e cila identitetin e saj laik e ka ndërtuar me dekada e shekuj. Apo, mos vallë, ambasadori dëshiroi, përpos si “gazetarë” i Figaro-s, të luaj edhe rolin e një promovuesi të një shoqërie “allafranga”, të një shoqërie frankofonike, skajshmërisht laiciste? Pse “avokatët” e ambasadorit mendojnë se shoqërisë shqiptare në Kosovë, e në Shqipëri, më mirë i përshtatet laiciteti rigjid francez se sa ai, të themi, amerikan? A e dinë këta “avokatë” prejardhjen e kësaj kryeneqësie të tyre në promovimin e laicizmit ekstrem në shoqërinë e tyre? Apo qëllimshëm nuk duan të e dinë këtë?! Çka donë të arrijë me promovimin e sekularizmit fundamentalist “elita” jonë kulturore e politike? Pse këta, kur është fjala te raporti i religjionit me shtetin, nuk marrin si model Gjermaninë, apo SHBA-të, por këmbëngulin në modelin francez, kur edhe në qarqet inelektuale akademike perëndimore laicizmi francez trajtohet si specifik, si model sui generis.

Rregullimi politik i cili nuk buron nga vlerat kulturore, religjioze e politike të vetë qytetarëve të saj, por imponohet dhunshëm nga lart, domosdo se do të prodhojë raporte tensionuese në vetë shoqërinë gjegjëse, do të konsumojë energji të shumta për ruajtjen e paqës sociale dhe vazhdimisht do të erodojë besimin në institucionet demokratike, edhe ashtu fragjile.

Kumanovë, 1 nëntor