• Today is: Sunday, November 24, 2024

FISNIK QË JETOI E KRIJOI FISNIKËRISHT

fakti
October25/ 2020

(Homazh për mikun Ramadan Musliu)

Nga Gani BYTYÇI

 

Gjithë rrjeti social (i imi dhe i gjithë miqve të mi) të enjten ishte mbushur me dhembje. Aty kishte familjarë, shumë miq, të tjerë, të njohur të Danit. Pastaj shumë shkrimtarë, poetë, artistë e intelektualë dhe shumë, shumë të tjerë, dashamirë të fjalës së shkruar. Secili kishte një fjalë e shumë dhembje. Të tjerët (që e peshojnë bukurinë e fjalës) shprehnin humbjen e pakompensueshme për gjithë letërsinë tonë. Lajmi për mort më erdhi si goditje rrufeje. Shtanga. U mpiva. Nuk mund të shkruaja. Asnjë fjalë të vetme. Fjala më kishte ikur. U pikëllova deri në trishtim.
Me Danin njiheshim prej 40 vitesh. Ishte më i vyeri i gjeneratës sonë. I urtë e shumë i dashur. Gjithmonë i qeshur e shumë pozitiv. Modest nga sjellja e nga natyra. Fisnik në fjalë e qëndrim, në dije e në veprim. Mik besnik deri në shenjtëri. Mjeshtër nga më të rrallët i fjalës së shkruar. Edhe i asaj të folur. Atë e peshonte me filigran. E latonte. Asaj i kërkonte kuptimin e kuptimet deri në përsosmeri të pafundme. Fisnik në fjalë e në qëndrim, në dije e në veprim. Krijues, ndër më të veçantit të të gjithë letërsisë sonë. Poet me vargun e gdhendur dhe me një kuptimësi shprehëse deri në thellësi të paskajshme. Kritik i rrallë, ndër të paktët, i cili veprën letrare e vështronte, e zbërthente dhe e analizonte nga të gjitha aspektet e saj. Estet brilant, me një percepcion të veçantë të bukurisë, thellësisë, të estetikës së fjalës së shkruar dhe të të shprehurit letrar. Dani ishte vetëdija dhe dinjiteti i intelektualit kombëtar. Intelektualit elitar e historik. Herën e fundit u pamë vitin e kaluar (në Panairin e Librit në Ferizaj). Pimë kafe dhe qeshëm. Më dha librin e fundit (Gjendja neutrale), që sapo ishte botuar. Edhe unë i dhashë librin tim të fundit. Kush mund ta mendonte se kjo ishte hera e fundit që po shiheshim e po rrinim, po flisnim e po qeshnim së bashku. Vitet e fundit, Dani sikur ishte i zhgënjyer (edhe i dëshpëruar) me zhvillimet e përgjithshme në vend. Mbase ky është fati i shkrimtarit dhe intelektualit të një përmase e niveli të tillë!

Ferizaj, 23 tetor, 2020