Koha e zisë është koha që njeriu ka nevojë të mbajë zi, të jetë prezent shpirtërisht me të ndjerin, të kujtojë të shkuarën që kaluan sëbashku, të derdhi lotë. Në botën e mirë, njerëzit e dinë këtë, dhe nëse nuk duan t`a ngushëllojnë familjen për humbjen e pësuar të familjarit, të paktën tërhiqen duke e qepur gojën. Në botën e shëmtuar, norma të tilla nuk egzistojnë.
Nga Silvana BERKI
Në harkun e artë të jetës së çdo njërit, kemi vite që i kujtojmë të arta, por kemi edhe vite që i kujtojmë të trishta. Ky vit nuk do shumë mënt të cilësohet si një vit i trishtë, jo vetëm për vdekjet masive që njerëzimi pësoi mbarë botës, por edhe për heqjen e lirisë, sepse distancimi social është në një farë doze heqja e të drejtës së të qënit i lirë, edhe pse kuptohet për të mirën tonë.
Lindjet nga ana tjetër kanë vazhduar, si një kundërbarazpeshë për pasojat e pandemisë. Lindja dhe të lindurit lidhen direkt me nënat. Pa nëna nuk kemi egzistencë. Kemi nëna të mira, dhe nëna jo të mira. Kemi nëna që sakrifikojnë dhe që nuk sakrifikojnë. Pastaj kur ato ikin nga kjo jetë, ju bëjmë një lloj balanci për të peshuar sa nënë e mirë ishte. Në fakt, mendoj unë, të drejtën për të bërë këtë lloj vlerësimi e kanë vetëm fëmijët e tyre, fëmija është ai që ka jetuar ç`do çast me nënën, ja ka ndier frikërat e pathëna, përkushtimin, është ajo që i ka mbjellë në tru dëshirën për jetën, është ajo që i ka qënë pranë duke i treguar botën me sytë e saj, me zemrën e saj. Po, po… prezenca e nënës është dritarja si e shikojmë botën. Nëna e di sa botë e frikshme është atje jasht, sa e pasigurt, dhe në të njëjtën kohë e bukur dhe mahnitëse. Padyshim që ajo bota mahnitëse është produkt i njerëzve, siç është po ashtu edhe ajo bota e shëmtuar me të gjithë shëmtinë e saj. Një nga shëmtitë më të mëdha që unë shikoj në këtë botë, është largimi i nënave nga kjo botë, dhe bota shëmtohet edhe më tepër kur largimin e saj e përbuzim duke marrë të drejtë të bëjnë vlerësim njerëz që nuk e kanë atë të drejtë, sepse nuk është nëna e tyre.
Kam lexuar dje dhe sot komente shumë lënduese për ikjen nga kjo botë të nënës së kryeministrit. Krahasime nga më absurdet dhe nga më ç`njerëzoret. Akuza për (firmën e burrit të saj) mbas të cilave janë egzekutuar 50 vite më parë disa poetë. Akuza se i përket ish grupit komunist të sistemit socialit. Ajo që më dhëmbi më shumë është se akoma nuk kuptojmë që ka ikur një njeri, i cili ka fëmijë që e ndiejnë me të vërtet humbjen e tij/saj. Koha e zisë është koha që njeriu ka nevojë të mbajë zi, të jetë prezent shpirtërisht me të ndjerin, të kujtojë të shkuarën që kaluan sëbashku, të derdhi lotë. Në botën e mirë, njerëzit e dinë këtë, dhe nëse nuk duan t`a ngushëllojnë familjen për humbjen e pësuar të familjarit, të paktën tërhiqen duke e qepur gojën. Në botën e shëmtuar, norma të tilla nuk egzistojnë. Në botën e shëmtuar, qytetarët gjejnë shancin t`a lëndojnë më tepër jo vetëm figurën e të ndjerit, por edhe të atyre që la pas. Këtë e kam hasur që para 10 viteve kur shkruajta një poezi në emrër të kujtimit të mbretit Leka I, ku unë u preka nga fati fatal që pësoi mbreti me kthimin në Shqiperi. Shumë njerëz që nuk e donin reaguan shumë ashpër dhe shëmtuar ndaj poezisë ku sipas tyre nuk duhej nderuar figura e Mbretit. Po ashtu, jo shumë kohë më larg, më kujtohet shkrimtares sonë (nuk po ja permend emrin) të njohur i vdiq djali i vetëm në moshë shumë të re, dhe të shikosh reagime aq jo-njerëzore nga të ashtuqujtur psykologe vetëm e vetëm se me shkrimtaren kishin bindje të kundërta politike, është jo vetëm e shemtuar por gjest që i përket vetëm një shoqërie të ligë me një bote të shëmtuar. Po ashtu ikja e Vito Kapos, solli mbrapa dufe po ashtu nga më të shëmtuarat. Për ikjen e gruas së ish diktatorit Enver Hoxha nuk po flas, sepse mendoj reagimi ndaj saj ishte si përzënja nga kështjella, ku me ikjen e saj qyteti mbylli kangjellat e larta njëherë e përgjithmonë duke mbyllur kështu një kapitull të errët në histori. Por a është mbyllur vërtet ai kapitull dhe në çfarë bote e kthen shoqërinë tonë urrejtja e vazhdueshme?
Po shkruaj tani atë që më dhëmb si fenomen, e jo për politikë. Unë i përkas botës së mire, di të ndaj në rast zie atë që e quajmë dhimbje zie dhe të komentoj për aq sa më takon. Ndaj familjes së të ndjerës zj. Rama i ngushëlloj për humbjen që pësuan, duke `ua ndier dhimbjen deri në palcë, sepse prindi vjen dhe ikën vetëm njëherë në jetë. Nesër, mbasi të mbaroj koha e zisë do të luftojmë prap për politikën.
2 korrik, 2020