• Today is: Sunday, November 24, 2024

“Rilindja” e bëri propagandën e luftës, jo gazetat e mahallës !

fakti
August03/ 2020

Gazeta “Rilindja” ishte 1-shi. Ajo e bëri uraganin. Ia nxori partallet Serbisë armike. Pas luftës, ka ndezur propaganda e gazetave të mahallës, sot jo. Kësaj pune i ka vdekur nana. Shtrembërimi i historisë, së vërtetës – përkon me proverbin e njohur “po të përzihesh me krundet, të hanë pulat”. Unë e kam kapur lajmin në ajër. Një avokat nga Beogradi, në mars 1999, propozoi të thirret në gjykatore dëshmitari Ramë Buja. Zonja Natasha Kandiq atij i përshpëriti: “Mos fol marrëzira, Buja gjendet në mal, UÇK…”. Këto detaje i ka paraqitur si në film vetëm “Bujku”, asnjë gazetë tjetër. “Rilindjen” e varrosi në paqe personi nga fshati Begracë.

Nga Agim Muhaxheri

Në një emision televiziv të TV Dukagjinit, flitej se kush e bëri propagandën e luftës. E ngritën në qiell një gazetë të studentëve, organ i Lidhjes së Rinisë Socialiste dhe do gazeta që dolën si kërpudhat pas shiut.
Opinionistët u morën me folklorin patriotik. E zunë në gojë gazetën “Bujku” se paska shkruar diçka, por nuk e përmendën gjigantin e informimit – “Rilindjen” !
Pse ?
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, “Bujkun” e lexonte Kosova, ndërkaq “Rilindja”- shfletohej në shtetet e ndryshme të Europës.
Opinionistët treguan përalla për t’ua bërë qejfin atyre që e kanë kapur historinë dhe shtetin.
Një propagandë e këtillë, qesharake, ka ndezur pas luftës. Sot nuk ndez. Kësaj pune i ka vdekur nana !
Shtrembëruan historinë, të vërtetën… Për ata që i bëjnë lak të vërtetës, gjeniu i letrave tona, Ismail Kadare në “Mosmarrëveshjen…” e tij përdor proverbin e njohur “po të përzihesh me krundet, të hanë pulat”.
Jo rastësisht regjimi i Beogradit  e ndaloi gazetën “Rilindja”, më 7 gusht 1990. Në vend të saj aktivizohet revista “Bujku”, e cila u bë gazetë e përditshme. Si revistë mujore shkruante për bujqësi, traktora…, ndërkaq si e përditshme u shndërrua në buldozer kundër regjimit totalitar të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit.
Ajo çfarë botohej në “Bujku”, botohej edhe në “Rilindje” (që dilte në Zvicer).
“Rilindja” e bëri propagandën e luftës. Ajo ishte 1-shi. Gazetat e mahallës publikonin intervista me “komandantët”, të tipit komandant Praçka, të cilat nuk i lexonte as Shtimja…
Unë kam raportuar për proceset gjyqësore në kohë lufte, deri në mars 1999. E kam ndjekur procesin e 15 të akuzuarve. Tre prej të cilëve ishin në gjykatore, të tjerëve iu bë gjyq në mungesë, ndër ta Adem Jasharit, më 3 qershor 1997. Raportin e kam titulluar “Deklarata vetakuzuese në hetuesi të nxjerra me elektroshok”.
Raportin për procesin e 21 shqiptarëve, në Gjyqin e Prishtinë, më 5 nëntor 1997 – e titulloj “Ose prano, ose do të pushkatojmë”. Titulli tjetër, nga po ky proces – “Nait Hasani: ‘Republika e Kosovës do të jetësohet o me paqe, o me luftë’”.
Një prokurori (Miodrag Surles) për një gafë që bëri në seancë ia ngreha “veshin”. Të nesërmën policia më çojnë në zyren e tij. Në raportin vijues, si anterfile, e paraqes “bisedën” me të. Pastaj pasoi komenti – “Cinizmi i prokurorit Surla !”, i publikuar më 29 tetor 1997.
Në mars 1999, në Gjyqin e Prishtinës, i bëhej gjyq grupit tjetër të shqiptarëve, ndër ta profesorit tim të historisë mr. Tefik Rakës. Njëri nga anëtarët e trupit gjykues ishte kurreshtar se përse është marrë Raka me librin e tij “Kaçaniku me rrethinë 1912 – 1918 (Masakrat, internimet, qëndresa)”, i publikuar në Prishtinë, më 1998. I thash vetës: “Ky libër do t’ia hajë kryet profesorit” (Ashtu edhe ndodhi, Raka ishte viktimë e masakrës në burgun e Dubravës, në maj 1999).
Dhe hollësia tjetër. Në gjykatore, afër meje gjendej misionarja për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut nga Beogradi, zonja Natasha Kandiq. Në çastin kur një avokat nga Beogradi propozoi të thirret dëshmitari Ramë Buja, Natasha Kandiq i përshpërit: “Ne pričaj gluposti, Buja je u šumi, UÇK…”.
Këto detaje i ka kapur vetëm “Bujku”, asnjë gazetë tjetër.
Një “komandant”, i cili në gjykatore vinte me fletore në dorë, si përfaqësues i një organizate për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, gjatë një seance në mars 1999, më thotë se e kanë maltretuar milicia derisa vinte në gjykatore. E ngrit paksa zërin: Ti gazetar, shkruj për maltretimin tim… Atij ia kthej: Për këtë punë unë vetna, jo ti…
Pas luftës, në “Rilindje” i merr dizgjinët në dorë personi nga fshati Begracë i Kaçanikut. Ai i kërcënoi gazetarët, si UÇK. I ndoqi me allti.
Tipi e varrosi “Rilindjen” në paqe !

Fotografia e Agim Muhaxheri
Fotografia e Agim Muhaxheri