• Today is: Sunday, November 24, 2024

Agim Qena, zehri, ia shkundi pendlat Jugosllavisë

fakti
July20/ 2020
Mjeshtri i madh i karikaturës, Agim Qena në Tafë Kusurin e tij të publikuar në gazetën “Rilindja”, më 1990, nxjerrë hartën e Jugosllavisë, karrigen me saksi dhe peshqir, ia këndon tallkinin kësaj krijese artificiale. Shprehte zhgënjimin përse redaktorët i bënin vërejtje se po përdor fjalë serbe. “Këta janë hajvana. Nuk e kuptojnë ironinë e sarkazmën”, thoshte ai.
Miqtë e tij në kafe i ngushëllonte dhe qetësonte. Iu thoshte: Ibrahim Rugova ka thënë mirë është puna, veç pini… Mos paçi pare, pini veresie. Qena i çarmatosi milicët me ‘samara’ në një kafe, në Breg të Diellit.
Nga Agim Muhaxheri
Ishte një ditë para se të vdiste, Agim Qena (1950 – 2005) do të bënte atë që kishte bërë gjatë tërë jetës: karikaturën.
Dita e 19 korrikut 2005 është data e karikaturës së fundit që bëri Agim Qena. Një ditë më vonë i mbylli sytë, ky mjeshtër i madh i karikaturës, i cili la gjurmë në gazetat “Rilindja”, “Bujku”, “Koha ditore”, por edhe në RTK.
Në karikaturën e bërë një ditë para vdekjes, Agim Qena alias Tafë Kusuri shtron një pyetje mbi lëvizjen atëherë të aktivistëve që kundërshtonte negociatat me Serbinë – Vetëvendosjen e sotme.
“Prit, të shohim ku po e qesin presën !…”, pyesin dy policët personazhet teksa vëzhgojnë aktivistët e partisë që disa vite më vonë u bë politikë me parullën: ‘Negociata Jo Vetëvendosje !’.
Miku e kolegu im, i “Rilindjes”, Agim Qena, inteligjent, kritik i madh, të shponte si plumbi…
Ndonëse me trup thatanik, me guximin dhe trimërinë e tij, në kohën kur vlonte xhezvja
në zall, ia shkundi pendlat Jugosllavisë. Në vitet e ‘90-ta, në Tafë Kusurin e tij nxori karikaturën: Hartën e Jugosllavisë, karrigen me saksi dhe peshqir. Ia këndoi tallkinin krijesës artificiale.
Atëbotë kjo karikaturë bëri bujë të madhe.
Emnaku im nuk ndiente për krala, kralica, as për zhupana.
Tafa ishte njohës i mirë i shkrimit cirilik. Në karikaturën e tij nxirrte milicin me kërbaç në dorë duke e qëlluar shqiptarin. Dhe jehona e fjalës: “UDRI”.
Redaktorët e “Rilindjes” më kanë bërë vërejtje të mos i përdori fjalët serbe… Këta janë hajvana. S’dinë ç’është ironia e sarkazma… Unë pikërisht me gjuhën e tyre i zhveshi, ua nxjerrë partallet, shprehte zhgënjimin e tij Qena.
Në orët e mëngjesit nga tranzistori i dëgjonte lajmet nga Radio Beogradi që flisnin për shqiptarët e Kosovës.
I thoja: Përse po i ngon këta thi të egër ?
– Si të mos i dëgjoj… Nga ta e marrë idenë për karikaturën e radhës.
Idetë i merrte nga miqtë e tij në kafenetë “Blini”, “Bajram Curri”… duke e ruajtur autorësinë e tyre në një kënd të karikaturës.
Kur hynim në kafe, Agimi ngriste zërin, i drejtohej padronit:
A na ka lyp kush ?
Miqtë e tij pos kolegëve ishin shkrimtarët, piktorët, aktorët, këngëtarët…Shok të shpirtit e kishte kolegun e tij, piktorin Salih Lutollin – Agin (Ky i bëri portretin, më 1987).
Shoqërohej me Xhekun (Xhafer Arifin), drejtorin e kooperativës së studentëve. Këtij ia hante shpirtin. Në një rast derisa rrinin me të në kafe, unë ndërhyj:
Çka keni ra mazunë, s’po flisni ?
Agimi tha: Xhekut ja kanë vjedhë kerrin. S’po di, a me ja nis me kajtë tash, a me lanë masanej.
Xhekun e nxirrte nga takti. Ia hante shpirtin.
Shpirtin ia hante edhe shkrimtarit Gani Xhafollit. Këtij në shaka i pat thënë: Ti je terrorist, ti e ke gjue bombën te Pallati i Radios në Prishtinë…
Agimi më tregon se si miku i tij – Neçka ia kishte dërguar 500 franga zvicerane, gjatë vitit 1990. Në një kafene rrinin profesorët e Universitetit të Prishtinës, të dëbuar nga regjimi serb.
Agimi iu tha: Qysh i keni punët, sa e keni rrogën ?
Rroga jonë është 50 DM.
Kush po ua jep ?
Qeveria e Bukoshit në egzil ? – thanë ata.
E ti Agim sa e ke rrogën ? – e pyetën profesorët
– 500 franga zvicerane…
Kush po ti jep ?
Alternativa, pasoi përgjigja e Agim Qenës…
Qysh ti 500 franga, ne 50 DM ! – shprehën habinë profesorët.
Unë jam ma i madh se ju, o kingja të butë…
Njëri në kafe i tha: Pse po pi cigare Drina pa filter, cigare të Nishit !
O kingji i butë, ke dëgjuar ti për Mollën e Kuqe, Nishin, Nishi është i joni, pasoi përgjigjja e Agimit.
Dy mërgimtarë nga Sërmnova e Maqedonisë vijnë në Prishtinë me “Fordin” e kuq. Më lutën të shkoj me ta në Çegran të Gostivarit, ngase këtu mbahej një tubim për pajtimin e gjaqeve. Për në Çegran na shoqëroi Agim Qena. Ky më thotë: Dil Agim blena cigare, një pako për mue, një për ty. Del shoferi nga makina. I solli dy “shteka”. Agimi i tha: Ne të thamë dy pako, ti – dy “shteka”. A nuk na dëgjove.
Ju nita mirë, po pata qejf me ju nerue, tha sërmnasi.
Eu po zanat të mirë paske, mos e harro këtë zanat, ia ktheu Agimi. Ai shpërtheu, ia plasi gazit…
Në kafenen e Gazit (Gazmend Ballabanit), kameramanit të RTP-së, llafosnim për shkrimtarin hebre, Danillo Kishin, librin e tij “Varreza për Boris Davidoviçin”, bot. “Rilindja”, Prishtinë, 1982.
Agimi tha: Kishi është zeher. E vlerësoi lartë romanin e tij. Pastaj fliste për varrezat në Dragodan të Prishtinës. Ah, bre, po më dhemb shpirti për vdekjen e aktoreve, këgëtateve të reja. Na shërbente kamarierja me dhëmbë të thyer. Tek tavolina afrohet padroni, Gazi. Ky i përshpërit Agimit: A po e merr këtë kamarieren, shoqëroje…
O kingji i butë, a mue më gjete, a ? – i tha.
Pse ? Unë deshta me ba nderë me ty, ndërhyn Gazi.
O Gaziiiii, ma t’mira i ke në Dragodan…, ia ktheu Qena.
Miqve të tij në kafe iu jepte zemër. Kur e pyesnin si i kemi punët, ai ngriste zërin: Ibrahim Rugova ka thënë mirë është puna, veç pini. Mos paçi pare, pini veresie…
Derisa pinim me emnakun në një kafe në Breg të Diellit, dy orë pas mesnate – hynë milicët me ‘samara’. Bëjnë racinë. Dëgjohet zëri i tyre: “liçne karte na pregled”. Të pranishmit i mbështetën për muri.
Agimit i them:
E hangrëm !
Ai më thotë: Mos ta ndien, unë i ndreqi këta.
Kur u nisën në drejtim tonin, Agimi ngritet në këmbë. Iu thotë në gjuhën e tyre: Po më shihni skicë, nëse më qëlloni iu thehet pendreku në trupin tim… Milicët ia shkrehën gazit, ranë barkas, i gjuajtën kallashat… Kërkuan të rrinë në tavolinën tonë…
Agimi i çarmatosi milicët !
Për mikun tim Qenën, kam shkruar fejtonin në pesë vazhdime, i publikuar në gazetën “Epoka e re”, më 27 korrik – 1 gusht 2007.
Agim Qena la pesë fëmijë: Lumin, Mirerin, Rronin, Vesën e Hanën.

Vesa është dramaturge, Hana – regjisore, ndërsa Rroni – piktor ( Ky e bëri pikturën për babain e vet).

20 korrik, 2020