Nga Shaip BEQIRI
Sot është data 19 korrik 2020. Do të vijë një kohë kur dita e sotme e çdo vjeti do të shënohet duke u kujtuar si ditë e lindjes së njërit nga poetët tanë më të mëdhenj, Frederik Rreshpja. Për ç`kohë përrallis unë tash? Do të jetë koha kur ky kopsht yni letrar do të qërohet, dëliret e pastrohet nga barishtet e ferrishtet që kanë bliruar gjithandej duke ia nxënë frymën keq!… Atëherë do të duket rendi i madh i pemave, frutave dhe luleve të shumta, siç i ka hije çdo kopshti të vërtetë. Pema me emrin e Fredit aty do të jetë ndër ato që pikaset lehtësisht. Do të ketë edhe hijen poashtu të madhe, të bukur e të dendur…
Hëpërhë një përgjasim i asaj peme le të jetë kjo fotografi e Fredit (bërë më 23.11.1992 në Tiranë), tek e cila hija e kokës sime i bie atij mbi kraharor! Dhe ka dalë kështu jo nga shkathtësia ime prej fotografi. Përkundrazi.
RRUZULLI TE VETULLA
Frederik Rreshpes
Ti bart trishtimin
Që perënditë lanë në tokë
Një dru në vendlindjen time
Në bregoren që bora kurrë s`e mbuloi
Plagën tënde ka brenda
Atje vjen përsëri ora
Me vdekur edhe një herë
Dallëndyshja jote e hutuar
Që bënte zogj të verbër
Çukit gëzhojën e dhembjeve të mia
E qerasa një yll të dehur
Që të rrinte rruzull te vetulla
Shi i përbaltur baladash
Ra shkretëtirave të këngës
Enisé enisé
Zürich, 19 qershor 2005