• Today is: Thursday, March 28, 2024

NDERI, HARAÇI DHE LAVDIA E POETIT

fakti
July19/ 2020
Përkujtimi i mikut tim të shtrenjtë dhe poetit të papërsëritshëm Fatos Arapi në 90-vjetorin e lindjes
Shaip Beqiri - Albania | Professional Profile | LinkedIn
Nga Shaip BEQIRI/Bern
Një koincidencë kaq e habitshme: ditë më ditë dhjetë vjetë pas Fatos Arapit paska lindur Frederik Rreshpja, dy poetët më të mëdhenj të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX e më tej.
Unë kam njohur kaq shumë kolegë e miq të dashur, por atë fisnikëri e çiltërsi tepër rrallë nuk e kisha gjetur gjetkë si tek Fatos Arapi. E takova së pari herë në rininë time të hershme në Prishtinë (1978), kurse herën e parë që mbërrita në Tiranë (1992) njeriun e parë që kërkova të takoja ishte pikërisht Fatos Arapi. Nuk ishte çfarëdo ndenje të uleshe, të rrije e të shtroheshe në biseda pa fund me Të. Nuk kisha takuar dikë tjetër që do të më ndihmonte e orientonte aq shpejt e saktë, duke më futur përnjëherë në thelbin e kuptimit të asaj që po shihja me aq llahtari e dashuri përzier në kontaktin tim të parë të drejtpërdrejtë me realitetin e Shqipërisë së përfshirë nga çdo anë prej valash gjigante të një demokracie të çoroditur, e cila me dhembje të padurueshme po shkërbente faqen tjetër të diktaturës së egër.
Fatos Arapii më foli me zemër, me besim dhe me dashuri. Në sytë e tij përherë të lëngëzuar, që më shumë se lotët njerëzorë unë vija re vajin e ullinjve të vendlindjes së Tij, në të vërtetë aty lexoja dhembjen e fshehur të Poetit. Edhe dhembjen ai e kishte krejtësisht të vetes, të veçantë e shumë luksoze!
Në këtë ditë të shënuar në kalendarin e poezisë shqipe, duke e përkujtuar mikun tim të shtrenjtë, poetin e madh Fatos Arapin, njërin nga krijuesit me të vërtetë të papërsëritshëm të tempullit të kësaj poezie, dua ta përmbyll me fjalët e tij mbrus me ndershmëri, me vërtetësi dhe me madhështi të llahtarshme, ashtu siç mund të bënte veç një shpirt i kulluar çfarë e ka Fatos Arapi (nuk thashë: e kishte!).
* * *
FATOS ARAPI: SHQIPËRIA E KA TË LIRË GJYKIMIN
– Personalisht, duke parë nga jeta ime 65 vjeçare sot, jetën e krijimin tim, unë pranoj ndershmërisht se në krijimtari i kam paguar haraç, dhe ndonjëherë jo të vogël, diktaturës së egër shqiptare, – por më është dashur të mbijetoja, unë nuk luftoja me pushkë, me pushkë luftoi Vllasi, unë më trim se ai nuk kisha për të qenë kurrë, e Vllasi mbeti baltrave e prrenjve të Kavajës, dhe unë s’po ia gjej dot eshtrat as sot. Unë luftoja me penë, isha vetëm një poet fillikat, dhe më shumë nuk mund të bëja. Kam bërë aq dhe atë që kam mundur. As babain e as vëllain tim nuk e kam turpëruar. Në qoftë se i kam bërë ndonjë padrejtësi Shqipërisë, Shqipëria e ka të lirë gjykimin e saj, por Shqipëria ama, e jo lamashët.

19 korrik, 2020