• Today is: Monday, November 25, 2024

GJENEVA, SREBRENICA DHE IRONIA E HISTORISË

fakti
July15/ 2020

Homazh viktimave të gjenocidit – sërish (me shkas) në qytetin e Calvinit

Me profesionin e gazetarit, kam bërë disa vite (i akredituar) në OKB, ku kam përcjellur aktivitetin diplomatik të saj, në vitet më të errëtta (për Kosovën) dhe vitet më dramatike për hapësirën e ish-Jugosllaisë. Aty kam parë të hyjnë e të dalin diplomatë e pushtetarë, tiranë e kriminelë të të gjitha rangjeve. Të vegjël e të mëdhej, të ligj e përbindesh, brutalë e të egër.

Nga Gani BYTYÇI

Gjeneva është ndër metropolet më të njohura të Europës. Të tillë atë e bën prania e institucioneve dhe organizatave të shumta ndërkombëtare. Pallati i OKB-së, Selia e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, OBT. OBSH, BIT, Selia e Shoqatës së Reporterve pa Kufi e shumë të tjera. Këtu edhe kam shkelur për herë të pare në truallin helvetik (në vitin e largët 1984). Me këtë qytet më lidhin aq shumë kujtime. Francezët do të shpreheshin “e njoh si xhepin tim”.
Me profesionin e gazetarit, kam bërë disa vite (i akredituar) në OKB, ku kam përcjellur aktivitetin diplomatik të saj, në vitet më të errëtta (për Kosovën) dhe vitet më dramatike për hapësirën e ish-Jugosllaisë. Aty kam parë të hyjnë e të dalin diplomatë e pushtetarë, tiranë e kriminelë të të gjitha rangjeve. Të vegjël e të mëdhej, të ligj e përbindesh, brutalë e të egër. Venin e vinin me harta nën sqetull, për të prerë territore e popuj, si të ishin stofra për të bërë kostume perandoresh e jo që ato ishin vende e popuj me të kaluar, me të sotme e me të ardhme brezash. Aty kam parë arrogancë, shpërfillje, indiferencë, ironi e cinizëm të pafund ndaj vuajtjes dhe tragjedisë njerëzore. Tek kujtoj këto dhe krimet e bëra nga një regjim (më shumë se fashist) mbi Bosnjën dhe mbi vendin tim, nuk di pse kujtoj Dostojevskin.dhe veprën e tij Krimi e dënimi. Së paku ai në vepër i ka bërë bashkë krimin e dënimin. Por në jetën tonë, ata (krimi e ndëshkimi) mbetën të ndarë. Krimi ndodhi në Bosnjë e në Kosovë, por ndëshkimi, dënimi, drejtësia mungoi. Ai (për ironi), mungon edhe sot! Ai, kurrë nuk iu bashkua krimit! Për më keq, në Kosovë, prej vitesh, po ndiqen çlirimtarët, para se kjo të ndodhte me kriminelët! Cfarë do t`i thuhet historisë për këtë ironi kohe!

Takimi me Mikun U.L

Me të arritur në Gjenevë, së pari takova Mikun tim (të hershëm) e të përhershëm, Ueli Leuenberger. Bisedën, e morëm aty ku e kishim lënë, shumë vite më pare: Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, liritë individuale dhe ato kolektive. Gjithandej, liria si nocion universal. Dhe ky Miku im e i juaji, për këtë ka se çfarë të thotë. Ai e ka një jetë të mbushur me betejën e përherëshme e të pandërprerë, për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, për liritë dhe të drejtat e punëtorëve, për lirinë dhe të drejtat e popujve të robëruar… Pastaj, është krejt e kuptueshme, që biseda rreth zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, ishte e pashmangshme. Ueli, si përherë, si idealist dhe dashamirës i Kosovës që është, (edhe pse i zhgënjyer), përherë ruan optimizmin prej njeriu, që i beson progresit. Merci mon ami Ueli Leuenberger!

Srebrenica, e zeza e ndërgjegjës së historisë

Pasi u ndamë me Mikun (për tu parë së shpejti), u ngjita tek Pallati i Kombeve të Bashkuara. Një ditë më parë, aty ishte përkujtuar Masakra e Srebrenicës. Ai Miku im kishte marrë pjesë në këtë përkujtim homazh e protestë. Ka kaluar një çerek shekulli (25 vjet), nga kjo ngjarje makabre. Televizioni i Gjenevës (RTS) jep një reportazh me pamje të llahtarshme rreth kësaj tragjedie. Mendoj që kjo ngjarje do të ngel përgjithmonë njollë e zezë në ndërgjegjen e politikës dhe diplomacisë së nivelit më të lartë. Do të mbetët njollë gjithandej në ndërgjegjen njerëzore e historike. Po të ishte penguar kjo tragjedi, nuk do të ndodhte as tragjedia e Kosovës. Nuk do të ndodhnin krimet e masakrat, që janë bërë atje. Nuk e di pse më vjen që t`i bëj si (pyetje) historisë, pse ajo krijoi aq shumë tiranë. Pse bëri aq shumë kriminelë, përbindesh e keqbërës?! Mbase vetëm për ta ndëshkuar njerëzimin, për t`i shkaktuar atij fatkeqësi, vuajtje e tragjedi të pariparueshme?!

Humanizmi dhe arti përballë tiranisë (barbarisë)

Para pallatit të OKB-së përherë ka grupe njërëzish (hallexhinj), që protestojnë (pa shpresë) për dhunën dhe padrejtësitë, që ushtrohen në vendet dhe ndaj popujve të tyre. Mu bë sikur aty pashë gjithë bashkëkombasit e mi të mbledhur tok, duke protestuar edhe ata për këtë tragjedi dhe për tragjedinë e tyre, për padrejtësitë që na i ka bërë e po na i bënë përherë historia. Ata i pashë të shumtë. Me dhjetra e qindra mijëra. Edhe më shumë. Mu bë sikur aty pashë gjithë kombin tim. Si dikur kur ishim në robëri. E duam Lirinë dhe të Drejtën tonë. Nuk i kemi hak askujt.
Në Gjenevë, para OKB-së po protestohet për KumanovënSa e sa herë (për këtë të drejtë) kemi protestuar, këtu e gjithëkah. Sa e sa herë e kemi ngritur zërin dhe kemi bërtitur fuqishëm, për ta shprehur shtypjen e dhunën brutale, që ushtrohej mbi Atdheun tonë. Breza të tërë fëmijësh tanë, këtu e në atdhe, janë rritur me këtë imazh. Sa herë kaloj këndej, më bëhet sikur aty shoh gjithë njerëzit e mi, me flamuj në duar, duke protestuar për robërinë që shtypte mbi Atdheun tim. Nëpër këto protesta, shumë nga të rinjtë tanë janë rritur. Të tjerë janë pjekur. Po, një pjesë e madhe nga ne, këtu e me këtë imazh edhe jemi moshuar! Më bëhet sikur këtu (para këtij Pallati) kemi ngelur përgjithmonë, si në oborrin e shtëpisë sonë! Sikur përherë kemi mbetur këtu duke u lutur, si në një faltore!

Broken Chair i Daniel Berset-it
Fotografia e Gani Bytyçi
“Kundër dhunës së armatosur ndaj civilëve”, shkruan (me shkronja të mëdha) në (projektin artistik të Paul Vermeulen), një karrige druri, gjigante, (dhjetra metra e lartë) me një këmbë të këputur brutalisht, që simbolizon dëmtim, këputje, humbje gjymtyre nga mina anti njerëzore. E sjellur këtu, në vitin 2008, ajo është bërë për të dhënë një imazh e një mesazh, kaq dramatik për të gjithë diplomatët dhe pushtetarët, të cilët hyjnë e dalin në Pallatin e Kombeve të Bashkuara. Dhe kjo është vënë në sheshin e protestave, mu përballë hyrjes kryesore të Pallatit. Aty, që në fillim shkruan “BROKEN CHAIR, është inkarnim i rënkimit dëshprues të popullsisë civile të vrarë nga lufta.”
Fotografia e Gani Bytyçi
Disa metra më larg, poashtu përballë Pallatit, prej shumë kohësh, është vënë një nga topat, ndoshta hataja më e madhe dhe më e tmerrshme e kohës së saj, që mund të ketë bërë kërdi në fushbeteja, duke marrë me mijëra jetëra njerëzish. Këtu ai është sjellur me tytën të lidhur nyje dhe duke iu pamundësuar që të vjell zjarrë. Kjo është armë e kthyer në vepër arti, me mesazh paqeje. Për fat të keq, në fushbeteja topat akoma sjellin aq fatkeqësi, dhimbje e tragjedi!
Vetëm disa hapa më tej, bri rruge, përherë përballë hyrjes kryesore të Pallatit të OKB-së, është vënë Memoriali për Srebrenicën. Një shkëmb me madhësi prej dhjetra tonësh, me mbishkrimin:
Bosna dhe Hercegovina 1992-1995.
Gjenocidi në Srebrenicë. 11 korrik 1995.
Atë ditë tek memoriali kishte shumë lule.
Fotografia e Gani Bytyçi

Portreti i nobelistit René Cassin

Aty diku, në sheshin para Pallatit, pashë edhe portretin e humanistit, fondatorit, hartuesit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (nobelistit) René Cassin. Edhe fotoja (e tij) më ngjanë disi gjithë dëshprim.
Fotografia e Gani Bytyçi
Sigurisht, kur kishte vënë parimet themelore për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ai kishte menduar se ato do të respektoheshin, nga cilido pushtet dhe kështu njerëzimi do të kishte shumë më pak vuajtje e dhembje!

Sfinksi dhe Emigrantët

Nga Pallati i OKB-së u lëshova në qendër të qytetit. Nga stacioni, mora alenë, e cila për ndonja gjashtë minutë ecje të ngeshme të nxjerr në bregun e liqenit Leman.
Fotografia e Gani Bytyçi
Krejt në dalje nga stacioni, në të dy krahët, qëndrojnë madhështore dy skulptura- sfinks, (Pa titull, 1885), që sikur e përplotësonin atë mozaikun e përsiatjes sime të ditës mbi atë luftën e gjithëherëshme dhe të përbotshme ndërmjet dy focave, të mirës dhe të ligës. Ndonja dhjetë metra më tej, një skupturë (tjetër) madhështore (derdhje bronxi), që të magjeps me forcën artistike por që të trishton me motivin dhe mbishkrimin tronditës të artistit Ousamane Sow: “Emigrantët. klandrstinë, që më në fund heshtjen e tyre e kthyen në të folur.” 2008.

Këto që shkëlqejnë, janë vetëm ide, angazhime, projekte, vepra e veprime dhe mesazhe artistësh e humanistësh. Ndërkaq, mendimet dhe veprimet e politikës, diplomacisë e të pushtetit, ndryshojnë. Ato janë krejt të tjera. Janë të errëta. Herë herë, janë pis të zeza.

15 korrik, 2020