Në ora 07:00 ka nisur procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut i cili do të zgjasë deri në ora 21:00. Ky proces, për shkak të situatës me COVID-19, është organizuar në tri ditë radhazi.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut të drejtë vote kanë 1.814.263 votues. Votohet për lista kandidatësh për gjithsej 15 koalicione dhe parti.
Në këto zgjedhje, ka edhe një kandidat shqiptar për kryeministër e ai është Naser Ziberi i BDI i cili do të votojë në ora 10:00 në fshatin Llaskarcë të Komunës së Sarajit.
Procesin zgjedhor e monitorojnë 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 ndërkombëtarë të akredituar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Në këto zgjedhje, në Zyrën e Avokatit të Popullit funksionon një linjë telefonike falas ku qytetarët nga ora 7 deri në orën 21, do të mund të denoncojnë shkeljet e të drejtës së votës.
Për votim në diasporë KSHZ-ja i ka pranuar aplikimet e 6.096 qytetarëve. Meqenëse numri i kërkesave të pranuara është më i vogël se numri i votave me të cilat u zgjodh një deputet në zgjedhjet e vitit 2016, KSHZ-ja vendosi të mos votojë në misionet diplomatike dhe konsullore sipas listave të paraqitura të kandidatëve për deputetë në NJZ 7. Të drejtën e tyre të votës qytetarët nga diaspora do të mund ta realizojnë nëse votojnë në vendvotimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në pajtim me konkludimin e Qeverisë nga seanca e 74-të e mbajtur më 7 korrik të këtij viti, 15 korriku, është ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ajo nuk do të ripunohet, kumtoi pres-shërbimi për shtyp i qeverisë.
Nga Qeveria shtojnë se ato institucione, kompani, ndërmarrje dhe organizata të cilat do të vendosin të punojnë më 15 korrik të vitit 2020 duhet të paraqesin punë në ditë jo pune deri tek Inspektorati shtetëror i punës.
“Sipas Ligjit për marrëdhënie pune dhe Marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin privat nga sfera e ekonomisë, punëdhënësi punëtorit është i obliguar t’i paguajë kompensim dhe shtesë në pagë për punë në festa dhe ditë jo pune të konfirmuara me ligj ose rregullore tjetër”, sqarojnë nga Qeveria.