Mjeshtëria e zanatlinjve çollakë kufizonte me iluzionin e të prishurit të shtëpisë për të ndërtuar hajat!
Nga Shaip BEQIRI/ Bern
Përveç në shumë fusha të jetës së shqiptarëve, vjeti 1990 në mënyrë të veçantë do të mbetet i shënuar në fushë të kulturës e të letërsisë shqiptare. Pa e zgjatur shumë me vargun e ngjarjeve që e bëjnë të shënuar këtë vjet, po them se në krye të herës do të mbetet një gur sinori në historinë e kulturës, të letërsisë dhe gjithë vlerave shpirtërore shqiptare. Nuk e kam ndërmend të merrem aq shumë me të kaluarën e këtyre sferave të krijimtarisë, e cila, përkundër rezultateve të mëdhenj e të pamohueshëm, qe shoqëruar prej një vargu të pakëputur ngushtësish, të metash e sidomos kufizimesh. Veçori të tilla negative nuk ishin vetëm të sferës ideologjike, sado që në kornizat e hekurta pikërisht të asaj sfere ndrydheshin vlerat tona kombëtare, sepse ato ishin përhapur si murtaja në çdo por të qenies sonë. Ajo që është e habitshme mbi çdo gjë, është se një murtajë e tillë nuk kishte mbufatur vetëm këtë pjesë vlerash të kulturës shqiptare të këndejkufirit, ku hija e robërisë bëhej e vazhdon të bëhet gjithnjë më e dendur dhe terrori mbi shqiptarët gjithnjë më i egër, por edhe në pjesën tjetër të vlerave të kulturës shqiptare në vendin amë të tyre, në Shqipëri, ku prangat ideologjike të thuash bënë të njëjtën kërdi mbi kulturën, në mos në formë edhe më të vrazhdë!
Këta janë fenomene tepër kompleksë, të cilët para së gjithash duan një qasje të thelluar sociokulturore, por që një vrojtim i tyre flakë për flakë, siç thuhet për kësi rastesh, nuk është i dëmshëm e as nuk duhet të mungojë. Qasja kritike feno-meneve të tillë në krye të herës duhet bërë me qëllim të kthjellimit sa më të shpej-të të atmosferës krijuese në përgjithësi. Natyrisht që shumë probleme do t’i mbeten historisë, siç i pëlqen shumëkujt të pohojë që sot. Me dije qoftë që historisë nuk mund t’i merret asnjë e drejtë për t’u marrë me të kaluarën sot e me të tashmen nesër, madje edhe pasnesër… Mirëpo, në një kësi formulimi jo rrallë sikur mëtohet të bëhen shmangie nga vrazhdësia e asaj me të cilën duhet ballafaquar patjetër sot, për t’i mënjanuar të metat e për t’i zgjeruar udhët e së nesërmes.
Në këtë kontekst jam i prirur t’i shoh disa vlera letrare e kulturore të traditës sonë dhe të bashkëkohësisë, të cilave më së shpeshti u janë vënë etiketa të hekurta nga ideologjia staliniste antikombëtare. Ato vlera kanë bartur mbi kurrizin e tyre shtresa të shumta pluhuri, janë goditur me armët më primitive të propagandës bolshevike si vlera antikombëtare e çnjerëzore! E vërteta është krejt ndryshe. Ishin goditjet që u bëheshin atyre vlerave pikërisht goditje antikombëtare e çnjerëzore. Dhe nuk mund të pritej një gjë më qytetëruese e më e denjë nga një armatim aq i verbër e i vjetruar siç ishte ai i ideologjisë së dirigjuar me aq shumë ngushtësi çfarë ishte ajo nën fushëveprimin e së cilës krijohej e dhunohej pareshtur kultura shqiptare. Prandaj sot kemi aq shumë krijues të kësaj kulture vitale për të cilët përnjëmend është ditur tepër pak ose është ditur nga një rreth tepër i ngushtë specialistësh.
Për njërin nga poetët tanë më të shquar të traditës, Gjergj Fishtën, të thuash është krijuar gjatë këtyre dyzet vjetëve një mit i ri i mungesës, pra mungesa e qarkullimit të lirë të veprës së tij kishte riprodhuar një mit tjetër fluid pas famës së njëmendtë që kishte dhe ka vepra e tij. Është pikërisht vjeti 1990 ai që bëri provën e madhe të shprishjes së atij fluiditeti. Dalja e veprës së tij sërish në dritë pra është një provë e madhe që dëshmon kotësinë e ndalesave dhe të etiketave. Ajo ishte mbajtur aq gjatë larg lexuesit me motivacione tepër primitivë. Ndërkaq, pikërisht shënimi i 50-vjetorit të vdekjes së Gjergj Fishtës krahas e bashkë më 90-vjetorin e vdekjes së poetit të madh kombëtar Naim Frashërit është edhe një dëshmi tjetër, më e madhe se të gjitha të tjerat, se vlerat e vërteta nuk e rrezikojnë njëra tjetrën, përkundrazi i bëjnë ato më të fuqishme dhe më kuptimplota. Madje vlerat që kanë fatin e keq t’i nënshtrohen seleksionimit negativ, çfarë me të madhe e patën shumë vlera të kulturës e të letërsisë sonë, mjerimin e ndaluesve e bëjnë tepër të madh dhe pasojat katastrofike. Breza të tërë shkollarësh e studiuesish ndër ne kanë kaluar duke e marrë të përgjysmuar e të dozuar mësimin e dijes mbi vlerat e tyre kombëtare kulturore, por rrjedhojat nga gjymtimi i dijes për të natyrisht që kanë mbetur më të mëdha. Nën etiketën e hekurt të ideologjisë, në emër të njëfarë kozmopolitizmi të deformuar klasor, ndër ne shqiptarët përhapej ideja e kryqit pansllavist nën hijen e maskës së draprit e të çekanit të gjoja proletariatit botëror, pothuaj edhe vlerat më të larta të letërsisë e të artit botëror kishin mbetur jashta botës shqiptare. Kishte qëlluar një çast ligështie pansllave në të cilin Lenini, bie fjala, kishte shkruar, siç thotë Kadare, një artikull barbar siç ishte ai “Organizata e partisë dhe letërsia e partisë”, i cili pushtetmbajtësve stalinistë shqiptarë do t’u shërbente për gjysmë shekulli që të mbanin nën zjarr e hekur idetë, temat e motivet më sublimë të artit e të kulturës kombëtare. Të tillë çaste ligështie pansllave nuk kishte veç Lenini, madje as veç një kësi çasti të vetëm nuk e pati edhe ai! Ata çaste të kobshëm u lidhën pandërprerë dhe bënë një epokë të tërë terri e myku.
Të gjitha këto vërtet janë një materie e gjerë për historinë. Por që të mos trembet historia nga aq shumë gogolë që do të ndeshë në udhën e saj të mundimshme, ndoshta s’do t’i vinte keq sikur t’ia bëja që sot ndonjë sugjerim, ndonjë lehtësim barre kaq të rëndë. Më në fund përvijat e njëfarë historie të së djeshmes e të së pardjeshmes duhet t’i hedhim edhe ne sot e nesër. Po të qëllojë ndokush, për çka s’kam ndonjë dyshim, të cilit mund t’i prishet sot shija e djeshme nga gogolët, mund t’i them se krijuesit shqiptarë si Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, Harapi, Kuteli, Kokalari, Zorba, Camaj, Trebeshina, Demaçi, Xhaferri, Rreshpja, Dërvishi etj. nuk ishin kurrfarë gogolësh çfarë donte t’i paraqiste klika e pushtetmbajtësve antikombëtarë stalinistë. Përkundrazi, veprat e tyre kishin në palcë ngjyrimin më autentik kombëtar e humanist, gjë që mjaftonte t’ua prishte atyre harmoninë e shpifur midis popujve të vëllazëruar komunistë dhe t’ua rrënonte iluzionet për propseritetin e proletariatit ndërkombëtar! Mjeshtëria e zanatlinjve çollakë kufizonte me iluzionin e të prishurit të shtëpisë për të ndërtuar hajat!
Të gjithë ata që një ushqim kaq të fortë nuk ua bluan ndjeshmëria e hollë ideologjike e lukthit me behane, mund të presin edhe gjykimin e drejtë e parimor të historisë, por çështja është se ç’të bëhet sot!? Si të dihet sot se cilët qenë gogolë dje, kur jo pak prej tyre sa çel e mbyll sytë kanë zënë vend në rendin e parë të piedestalëve të kombit!