Sulmi tinëzar, i lig, ndaj kryekuvendares Vjosa Osmanit – shëmti. Imazh i keq për shtetin tonë. Të sulmosh gruan, derisa ajo kryen detyrën zyrtare – bie ndesh edhe me Kanunin. Mbeti enigma: Cili është motivi i sulmuesit ? Para katër vjetësh kryekuvendarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli pati problem me deputetin socialist – zhurmëbërësin – të cilin e largoi si zhelen jashtë sallës.
Nga Agim Muhaxheri
Bulecat në Kuvend tregojnë forcën, forcën ndaj një gruaje, kryekuvendares Vjosa Osmanit.
Një orë para mesnatës, deputetit të LDK-së, Xh. Ukaj, i terrohen sytë. I afrohet foltores dhe në mënyrën më poshtëruese i vërsulet profesoreshës së drejtësisë, dr. Vjosa Osmanit.
Ngrit gishtin, e fyen dhe i kërcënohet me gjuhën banale.
Sulmit i parapriu zënka ndërmjet deputeteve Ganimete M. – Fitore P. Britma e kësaj të parës: Fitore mbylle gojën kur t’flas unë…, elektrizoi gjendjen në sallën e Kuvendit.
Shpërthyen emocionet – që e nxitën sulmuesin të futet në zonën kriminale.
Në foto, shihet skena e mjerë. Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci i del në mbrojtje Vjosës duke i thënë sulmuesit: Ec, po të them… Në krahun e majtë të Vjosës, personi i administratës nuk lëviz nga vendi. Rri si babaxhan !
‘Një kat më poshtë”, si gjyshe rri edhe ministrja Hykmetja ( e partisë së Isës). Tregohet indiferente !
Vjosa reagon: “Të nderuar deputetë kjo seancë ndërpritet për shkak të paedukatës së disa deputetëve…”.
Kjo e (pa)pritur më kujtoi incidentin e para katër vjetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Atëbotë kryekuvendarja Jozefina Topalli e pati nxjerrë jashtë sallës deputetin socialist – zhurmëbërësin Taulant Ballën për prishje të rendit e të qetësisë, gjuhës joparlamentare. Ajo e pati urrdhëruar sigurimin e Kuvendit: “Kapeni prej zhelesh, nxirreni jashtë…”.
Kur ndërpritej ndonjë seancë në Kuvend, Jozi shprehej:
“Iku seanca për lesh”.
Dallimi ndërmjet Vjosës e Jozefinës është, e para sulmohet nga deputeti, ndërsa tjetra e largoi të padisiplinuarin nga salla e Kuvendit.
Të sulmosh një grua, siç ndodhi me Vjosën, është një veprim i kundërligjshëm. Kjo bie ndesh edhe me të drejtën tonë zakonore – Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Kanuni thotë: Çon dorë në gruan e huaj, je i lig. Nuk ke ba burrni, po faqe të zezë…
Je zhburrnue.
Mbeti enigma: Cili është motivi i sulmit ? Me këtë akt të paparë në praktikën e parlamentarizmit – do të merret policia dhe Prokurori i Shtetit.
Prej vitesh Kuvendi ynë është kthyer në një vend ku shfryhet, shahet dhe kjo situatë u duket normale deputetëve.
Kuvendi s’është pazar, as kafe e rakisë të flet ndokush çka ti teket. Ka rregulla kush flet, çka flet, si flet.
Edhe në shtet me demokraci të zhvilluar ndodhin incidentet, kur deputetët “bëhen copa”, por te ne zënkat reflektohen ndryshe.
Ajo çfarë ndodhi me Vjosën nuk është e rastësishme. LDK-ja e përjashtoi nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë…
Kupa mbushet. Mllefin, sulmin ndaj saj në Kuvend – e zbrazi pikërisht anëtari i kësaj partie institucionaliste.
MARRE !
11, korrik 2020