• Today is: Monday, November 25, 2024

Lugina e Preshevës kërkon të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

fakti
July10/ 2020

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj dhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi janë dy ministrat e parë të qeverisë “Hoti” që kanë vizituart ë enjten Luginën e Preshevës. Të dy ministrat vizitën e tyre e kanë nisur në Preshevë, ku janë pritur nga kryetari Shqipërim Arifi. Ai ka pasur një kërkesë të qartë për dy ministrat e Kosovës, që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Vazhduam me pjesën e sinkronizimit dhe bashkërendimit me dy qeveritë shqiptare me Kosovë dhe me Shqipëri, që ne kërkojmë të jemi pjesë e takimit të dy qeverive që të sinkronizojmë politikat tona… Kërkuam sot që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog dhe të jetë prezentë në tryezë ku ndërmerren negociatat për një marrëveshje përfundimtare dhe besojmë dhe shpresojmë që e kemi artikuluar në atë formë që të jemi të pranueshëm dhe të ketë një empati të duhur për arsye se një marrëveshje që nuk e përfshinë Luginën e Preshevës nuk ka mundësi me qenë e qëndrueshme”, tha ai, njofton Euronews Albania.

I lumtur që po vizitonte Preshevën u shpreh ministri i Drejtësisë Selim Selimi, i cili është me prejardhje po nga kjo komunë. Ai tha se Presheva nuk është në pozitë të mirë për shkak se është lënë anash.

“Presheva nuk është në pozitë të mirë, për shkak se është e lënë anash, për shkak të shumë çështjeve politike ne kemi mbetur këtu ku jemi. Po edhe përkundër këtij pozicioni jo të favorshëm të rinjtë dhe të rejat preshevarë janë gjithandej në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni jashtë në diasporë në pozita të suksesshme zot të vetvetes, të shkolluar dhe të gjithë ata e kanë në zemër Preshevën ashtu siç e kam unë. U zotuam qe Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë një krahë i fortë i Komunës së Preshevës dhe i Luginës”, tha ai.

Selimi tha se i ka dhënë garancinë kreut të Preshevës në misionin e tij që ta kthejë Prokurorinë dhe Gjykatën në Preshevë, se Ministria e Drejtësisë në Kosovë do të jetë krahë i tij financiar dhe profesional për ta kthyer atë degë. Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, tha se sot janë njoftuar për së afërmi me të gjitha shqetësimet dhe se kanë ndarë idetë se si të bashkërendojnë interesat kombëtare dhe ndërqeveritare si komunë dhe qeveri. Ajo ka adresuar si problematike çështjen e largimit të shqiptarëve nga regjistrat civilë, që tha se është shqetësuese.

“Cungimi apo mungesa e barazisë apo prezenca e diskriminimit ndaj popullatës shqiptare në Serbi përcillet me interesim të veçantë dhe ne mendojmë që ashtu siç i trajtojmë ne në Kosovë komunitetin serb edhe qeveria e Serbisë duhet ta trajtojë komunitetin shqiptar në po të njëjtën mënyrë. E kemi ndjekur po ashtu me shqetësim dukurinë e depopullimit përmes regjistrave civilë. Andaj ne mendojmë se duhet të ketë kujdes të shtuar në këtë aspekt në mënyrë që të mos cungohen edhe më tej të drejtat e shqiptarëve në këtë zonë”, tha ajo.

Haradinaj tha se janë zotuar se do të thellojnë edhe më tutje bashkëpunimin, derisa potencoi se i gëzohet fuqizimit të shqiptarëve të Luginës në Parlamentin e Serbisë. Të dy ministrat janë takuar edhe me studentët e Preshevës që studiojnë në Kosovë, e të cilët i kanë parashtruar kërkesat dhe problematikat me të cilët përballen. Një vizitë i kanë bërë edhe Shoqërinë kulturo-artistike “Presheva”.