Thanas Medi është një shkrimtar i rrallë, sepse jo vetëm kujdeset si rrallëkush për elegancen e frazës, cilësinë e kompozimit të romanit por edhe për subjektin e bukur, tërheqës, me intrigë të fortë çka edhe pse i jep veprës doza lustracioni, i fal nga ana tjetër një raport më gjithëpërfshirës me lexuesin, duke mos e kategorizuar për asnjë moment atë.
Nga Ervin NEZHA
Dashuritë e mëdha zotërojnë forcën për ta tjetërsuar njeriun, ndërsa kur ato qëllon të jenë të ndaluara shpërfytyrimi i individit është i pashmangshëm. Kjo është deviza më e dallueshme që tejçon Thanas Medi, përmes romanit të tij të fundit “Valsi i një dasme fantazmë”. I shkruar në formën e një romani agregad, ku tre personazhet kryesore Leko Zavalli, Markela Gajtani dhe Andon Çerepi gërshetojnë dramën e jetës së tyre, ky roman në mënyrë indirekte, trajton një filozofi kontradiktore që Medi ngre që në kapitullin e parë të romanit të tij: “Nëse bashkimi i fateve të individëve në një shoqëri është bërë nga forca dhe jo nga dëshira atëherë kjo shoqëri është e ngjizur nga pasinqeriteti. Dhe në fakt ngjarjet e rrëfyera janë ngjarjet e një kohe të pasinqertë, kur përpjekja groteske për të ndërtuar “njeriun e ri”, proletarin, prodhon qënie të zbrazëta si Paskal Içi, imoralë si Xhevo Kumria, monstra si Gafur Bisha, viktima si Markela Gajtani, qënie iracionale pa botëkuptim si Leko Zavalli dhe njerëz pa qëndrueshmëri individuale si Andon Çerepi. Përmes një rrëfimi të brëndshëm, zbërthehet i gjithë botëkuptimi i një province të vogël, “Rovinës”, ndërsa përmes vëzhgimit të jashtëm skanohet një mikrobotë e mjerueshme ku varfërija, vuajtja dhe frika janë ulur këmbëkryq. Kështu provinca e vogël në rrëfimin e Medit, kthehet në një simbol, të ç’do province, të ç’do qyteti dhe fshati të Shqipërisë komuniste, ku vigjëlon diktatura e proletariatit, ku kryhen krimet më monstruoze për hir të ruajtjes së unitetit dhe ku gënjeshtra e hipokrizia kanë veshur qyrkun e së vërtetës. Thanas Medi është një shkrimtar i rrallë, sepse jo vetëm kujdeset si rrallëkush për elegancen e frazës, cilësinë e kompozimit të romanit por edhe për subjektin e bukur, tërheqës, me intrigë të fortë çka edhe pse i jep veprës doza lustracioni, i fal nga ana tjetër një raport më gjithëpërfshirës me lexuesin, duke mos e kategorizuar për asnjë moment atë. E gjithë ngjarja merr hov, kur Markela Gajtani një studente nga Tirana, internohet nga regjimi komunist, drejt një province të largët, vetëm e vetëm se ishte e bukur dhe me dukjen e saj, “kërcënon” moralin e një shoqërie që në qelizat e saj më të thella është e denatyralizuar, sepse i shpall luftë së bukurës. Mirpo ky regjim i fortë i cili u trembëka nga bukuria e një vajze, harron se edhe në provincë ekzistojnë njerëz prej mishi dhe gjaku. Përmes një subjekti plot intriga, Markela Gajtani, padashur shëndrohet në “tehun” e një gijotine që u qëndron dy djemve të rinj mbi krye. Dy natyra të ndryshme. Andon Çerepit, një komunisti të ri, të zellshëm, me aspirata për jetën, por nga ana tjetër një qënie e dyzuar dhe Leko Zavallit, i cili është pikërisht ajo çka nuk është Andon Çerepi. Është shumë interesante analiza psikologjike, që u bën Medi personazheve të tij. Duke rrëfyer në të tri vetat, diçka e rrallë kjo për romanin, përfitohet një trill artistik i veçantë, ku herë rrëfen personazhi për të familjarizuar dhe pregatitur identitetin e vet për ndryshimin e sjelljes që do ndodhi, e herë kalohet në koment psikologjik i cili ka për qëllim të veprojë mbi identitete të tjera të kësaj bote të trilluar. Ajo që më së miri mësojmë nga ky roman, është fakti tragjik se në shoqëritë tradicionale, idividi dhe shoqëria ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe ç’do veprim i individit, jo vetëm është në ndikimin e shoqërisë por në regjimet totalitariste, ky veprim është edhe i vëzhgueshëm krejtësisht. Këtu ne duhet të kërkojmë shkakun e vrasjes së Markelës, nga i dashuri i saj i zemrës. Një ngjarje që duhet të kishte vetëm një dëshmitarë dhe një motiv, Andon Çerepin dhe frikën e tij permanente, por që në fakt pati edhe një dëshmitar tjetër dhe një motiv të dytë, Gafur Bishën operatorin e zonës dhe si motiv shtesë, vrasjen e dyzimit në vetëvete. Në përfundim, përderisa “Valsin e një dasme fantazë” e quajtëm një roman agregad, dimë se romani i Leko Zavallit përfundoj atje në birucat e errëta të komunizmit; çka edhe nëse ai hipotetikisht të ketë mundur të dal që andej, ai është romani i qindra që burgosurve politikë që edhe pasi fituan lirinë, ishin qënie tragjike dhe të huaja për shoqërinë dhe nuk u adaptuan kurrë me shoqërinë. Romani i Markela Gajtinit u mbyll atje në Rovinë, e mbytur nga duart e burrit të saj që e donte aq shumë. I vetmi roman i hapur mbetet ai i Andon Çerepit, komunistit, frikacakut, proletarit, të dashuruarit dhe vrasësit. Të gjitha këto epitete, përtej moralit dhe hipokrizisë, mizorisë dhe egoizmit, e bëjnë atë hero, heroin e vërtet të romanit, sepse ai është në përpjekje të vazhdueshme për të njohur vetëveten. Por edhe pse ai nuk e realizon dot njohjen e vetëvetes, mbërritja e kësaj njohje absolute realizohet nga ne si lexues, të cilët e mëshirojmë sërish këtë hero të përfshirë brënda keqardhjes për mosbërritjen e synimit…