Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë vënë në karantinë, kështu ka njoftuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakic. Këtë vendim, zëvendëskryeministri nga Lista Serbe e ka arsyetuar me faktin se 53 nga 61 mostrat e testuara të martën në komunat veriore kanë rezultuar pozitive me COVID-19.
Ky shtrëngim masash vjen në kohën e njëjtë me kthimin e masave anti-koronavirus në Serbi nga presidenti Aleksandar Vucic dhe qeveria serbe.
Ndërsa lidhja mes vendimeve është konfirmuar nga vetë Lista Serbe, e cila përmes një komunikate ka njoftuar se në komunat e Kosovës, në të cilat qeverisë ajo, do të respektohen vendimet e qeverisë së Serbisë.
Ndërkohë, zëvendës-kryesuesi Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, i cili është një nga dy përfaqësuesit e vetëm shqiptarë në këtë institucion, ka thënë se vendimi për karantinë është marrë nga strukturat paralele serbe në veri, në koordinim me zëvendëskryeministrin Rakic.
Pesëdhjetetre rastet për të cilat ka folur Rakic, nuk janë të përfshira në rezultatet e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, për ditën e martë.
Prej muajit mars kur u pikas rasti i parë me COVID-19, autoritetet kosovare kanë kryer 26 mijë teste, prej të cilave janë konstatuar të infektuar 3,886 persona.
Nga këta, rreth 2 mijë janë shëruar, ndërsa 82 kanë vdekur.
Në Serbi bilanci është rënduar ditët e fundit, ku pas 455 mijë testesh, autoritetet kanë konstatuar me COVID-19 rreth 17 mijë të infektuar, prej të cilëve 330 kanë vdekur – 13 vetëm të martën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq, tha të martën në një konferencë për medie se masa e karantinës do të hyjë në fuqi në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Tutje thuhet se serbët në Kosovë gjithmonë do tu binden masave të qeverisë së Serbisë dhe Vuqicit.
“Serbët në Kosovë dhe Metohi vazhdimisht, ashtu si kanë vepruar së fundi, do t’iu përmbahen të gjitha masave epidemiologjike të përcaktuara nga Qeveria e Serbisë dhe do të mbështesin presidentin Vuçiq në luftën e ardhshme politike dhe diplomatike për Kosovën dhe Metohinë”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.
“Këto janë ditët kur qytetarët e Serbisë duhet të jenë të bashkuar në disiplinim dhe përgjegjësi ndaj vetes dhe shëndetit të të dashurve të tyre, dhe nuk duhet të marrin në konsideratë veprimet dhe porositë e atyre që padyshim sipas urdhrit të dikujt për temën e koronës po përpiqen të destabilizojnë shoqëria jonë.”, thuhet tutje.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas sugjerimit të profesionistëve, ndërsa të drejtën e lëvizjes do ta kenë vetëm përgjegjësit për luftë ndaj pandemisë dhe përgjegjësit për rend e siguri.
Këtë të martën në një konferencë për shtyp në Mitrovicën veriore, e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq. Sipas Rakiqit të martën kanë ardhur rezultatet e testimeve që kanë bërë të ditur se 53 persona janë me koronavirus. Janë testuar 61 mostra. Të mërkurën do të dihet për 62 persona të tjerë. Pos Mitrovicës veriore masat i kanë forcuar edhe Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.