• Today is: Monday, November 25, 2024

Dialogu Kosovë-Serbi rinis më 12 korrik në Bruksel

fakti
July06/ 2020

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë më 12 korrik në Bruksel, mësoi korrespondenti i Euronews Albania, Ernest Bunguri atje.

Në konferencën e sotme (e hënë) për shtyp, zëdhënësi i BE për çështjet e jashtme, Peter Stano e cilësoi njoftimin si një lajm të mirë.

“Mund të konfirmoj se këtë të diel, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të vijnë në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE. Ky do të jetë takimi i parë në kuadrin e dialogut që nga nëntori i vitit 2018,” njoftoi Stano.

Përfaqësuesi i Lartë i BE, Joseph Borrell do të mirëpresë dy liderët, ndërsa përfaqësuesi special i dialogut Prishtinë-Beograd Mirosllav Lajçak do të moderojë diskutimet.

“Ky takim do të vazhdojë diskutimet dhe punën për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe me kushte të dyanshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura,” tha nga Brukseli zëdhënësi i BE, Peter Stano.

Ndërkaq më 10 korrik, do të zhvillohet një “samiti virtual” mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.

Na Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

Shtëpia e Bardhë, më 4 tetor, 2019, emëroi Richard Grenellin, si përfaqësues të posaçëm të saj për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton REL.