• Today is: Monday, November 25, 2024

Kuadri negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i kalon vendeve anëtare

fakti
July02/ 2020

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Komisioni Evropian konfirmoi dorëzimin sot pranë Këshillit të BE-së të projekt-kuadrit negociues për Shqipërinë dhe atij për Maqedoninë e Veriut, që përmbajnë parimet udhëheqëse për negociatat e anëtarësimit me dy vendet. 

“E sotmja shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke përmbushur angazhimin tonë, ne ofrojmë një kuadër konkret për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Propozimi ynë ndërtohet mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që prezantuam në Shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një drejtim më të fortë politik, më dinamik dhe më të parashikueshëm”, deklaroi Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi, raporton Euronews Albania.

Tashmë i takon 27 vendeve antëtare të nisin punën për pasurimin e propozimit të Komisionit me qëndrimet e vendeve të ndryshme, para se Këshilli të miratojë kuadrin negociues dhe të vendosë për një datë për çeljen zyrtare të negociatave.

Kuadri negociues përcakton parimet dhe udhëzimet për negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Ato përbëhen nga parimet që udhëheqin negociatat për anëtarësim, nga substanca e negociatave dhe nga procedura e tyre. Qëllimi përfundimtar i këtij procesi është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të miratojnë dhe garantojnë zbatimin e plotë të gjithë legjislacionit të BE-së.

Edhe Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka reaguar në Twitter duke u shprehur se tashmë “është thelbësore që qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse t’i përqendrojnë veprimet e tyre për të adresuar kushtet e vendosura nga Këshilli Europian”.

Vendimi është përshëndetur edhe nga Tonino Picula, i cili ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për këtë lajm të rëndësishëm.