Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehemti, ka njoftuar se ky institucion ka filluar t’i dezinfektojë të gjitha paratë e gatshme që gjenden në tregun e vendit.
Mehmeti kërkon nga qytetarët që të shfrytëzojnë sa më shumë format e tjera të pagesave.
“BQK-ja ka filluar me dezinfektimin e rregullt të të gjitha parave me të cilat e furnizon tregun, si masë mbrojtëse për shfrytëzuesit e parave të gatshme”, ka njoftuar Mehmeti.
Në një konferencë për media, ai ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë sa më shumë format e tjera të pagesave, në mënyrë që të shmanget përhapja e virusit.
“Duke e pasur parasysh se paratë kanë qarkullim të shumëfishtë nga momenti i parë që dalin nga banka, ne i lusim qytetarët që t’i respektojnë me përpikëri udhëzimet e higjienës, që janë lëshuar nga institucionet shëndetësore pas çdo transaksioni me para të gatshme apo me kartelë. Qytetarëve tanë iu bëjmë thirrje që të evitojnë sa më shumë përdorimin e parave të gatshme dhe të përdorin sa më tepër kartelat bankare dhe mënyrat tjera elektronike të pagesave”, ka kërkuar ai.
Po ashtu, Mehmeti ka thënë se kjo pandemi do të ndikojë në rënien ekonomike të vendit deri në minus 4 për qind.
Ekonomia në Kosovë do të ketë rënie të rritjes reale ekonomike nga minus 2 për qind deri në minus 4 për qind. Do të vazhdojmë të qëndrojmë nga afër për të kontribuar në shërbimet e ekonomisë”, u shpreh Mehmeti.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje./Gazeta FAKTI