• Today is: Sunday, November 24, 2024

MENAXHIMI I SHËNDETIT MENDOR GJATË KORONAVIRUSIT

EA
April08/ 2020

Me gjithë ata tituj artikujsh që na rrethojnë, me gazeta që gjuajnë kush të përcjellë lajmin e parë dhe mediat tona sociale që po na izolojnë nëpër dhoma, ekziston rreziku i një infodemie, në të cilën përhapet keqinformimi.

Shkruan Peter VARNUM

Javën e kaluar, vëllai im, i cili është prift, tha në bisedën në WhatsApp të familjes sonë, se po mendonte të anulonte kongregacionin në kishën e tij Episkopale në një periferi të Omahas, në Nebraska, SHBA. Kjo, sipas tij, do të ishte “shumë domethënëse”, sepse një pjesë e arsyes pse njerëzit shkojnë në kishë (ose xhami, sinagogë, apo tubime të tjera), është për t’u ndier pjesë e një komuniteti.
Megjithatë, duke pasur parasysh rreziqet e shëndetit publik të COVID-19, ky ishte vendimi i duhur që duhej të merrte kisha. Një numër i madh të moshuarish, që rrezikohen më tepër nga koronavirusi, marrin pjesë rregullisht në shërbimet e kishës, dhe vëllai im përballet me vendime kyçe se si të mundësojë kujdes dhe mbështetje për kongregacionin e tij – si dhe për gruan dhe të bijën tetëmuajshe.
Ky vendim ngre një çështje të rëndësishme: marrëdhënia me njerëzit dhe shëndeti i mirë mendor janë të lidhura ngushtë midis tyre dhe të dyja janë në rrezik në këtë pandemi. Javën e kaluar, diskutova me disa ekspertë mbi shëndetin mendor dhe COVID-19: me një grua të re që ka përjetuar për një kohë të gjatë çrregullime ankthi dhe paniku, e cila jeton në Seattle, një koleg që banon në Pekin, i cili punon nga shtëpia që nga 3 shkurti, me Drejtoreshën e Shëndetit Mendor dhe Përdorimit të Substancave dhe ekipin e saj në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me dekanin e Shkollës së Shëndetit Publik të Bostonit dhe shefin e Programit Kombëtar të Shëndetit Mendor në Liban. Megjithëse kontekstet e tyre ndryshojnë, perspektivat ishin jashtëzakonisht të ngjashme. Ja se çfarë mësova.

“Faktet minimizojnë frikën”

Mbi të gjitha, thirrja e përbashkët e të gjithë këtyre ekspertëve ishte se duhet të qëndrojmë të informuar nga burime të besueshme. “Ekzistojnë dy burime” shpjegoi Aiysha Malik, zyrtare teknike në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Përdorimin e Substancave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Njëri është OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë); dhe tjetri janë autoritetet tuaja kombëtare… Një mesazh që është përsëritur vazhdimisht për administrimin e frikës ndaj COVID-19 është njohja e fakteve. Faktet minimizojnë frikën”.
Me gjithë ata tituj artikujsh që na rrethojnë, me gazeta që gjuajnë kush të përcjellë lajmin e parë dhe mediat tona sociale që po na izolojnë nëpër dhoma, ekziston rreziku i një infodemie, në të cilën përhapet keqinformimi.
Megan Silvestri, menaxhere programimi e Rrjetit të Stabilitetit në Seattle, Uashington, e cila vuan nga çrregullimet e ankthit dhe panikut dhe banon në një nga epiqendrat e përhapjes së koronavirusit në SHBA, e përshkroi më së miri: “Në fillim, më zuri ankthi në lidhje me situatën. U përpoqa të punoja nga shtëpia dhe nisa të lexoja artikuj të ndryshëm lajmesh. Nisi të më mbërthente një gjendje paniku”.
Ajo tha se përvojat me ankthin ndër vite kanë ndikuar në mënyrën se si i ka menaxhuar ndjenjat gjatë shpërthimit të virusit dhe rrugëtimi i saj në dy javët e fundit në Seattle nxjerr në pah edhe nevojën më të gjerë njerëzore për t’u ndier të lidhur. “Ajo që më ka ndihmuar vërtet është ideja se kam pranë njerëz tek të cilët kam besim dhe e di se do më dëgjojnë pa paragjykime”, tha ajo.
Silvestri tha se e ekuilibronte veten nëpërmjet tri gjërave: duke ditur fakte të besueshme, duke folur me njerëz të cilëve u beson dhe duke e qetësuar veten me lutje. Ajo shpjegoi: “Jam përpjekur të mos lexoj më tituj artikujsh. Jam përpjekur të jem e qëllimshme në ato çka lexoj”.
Këtu mund të gjeni fakte mbi COVID-19 dhe burime për menaxhimin e shëndetit mendor:

  • Faqja zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi COVID-19
  • Autoritetet kombëtare shëndetësore të vendit tuaj. Këtu mund të aksesoni disa adresa të autoriteteve përkatëse, të mundësuara nga Fondacioni i Gjenevës për Edukim dhe Kërkim Mjekësor
  • OBSH: Efektet mbi Shëndetin Mendor gjatë shpërthimit të COVID-19, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, kujdestarët e fëmijëve, kujdestarët e të moshuarve dhe njerëzit në izolim
  • Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq, UNICEF dhe OBSH: Stigma Sociale e Asociuar me COVID-19

“Duhet t’i kthehesh gjithnjë kujdesit për veten”

Si mund të përballen me emocionet dhe stresin punonjësit e kujdesit shëndetësor në të gjithë botën, të mbingarkuar nga kërkesa e madhe?
Shumë konsulentë përjetojnë dhimbje koke dhe të vjella kur përballen me stresin dhe emocione të mëdha, tha Yu Lei, një konsulent psikologjik në Spitalin e Përgjithshëm Daqing Oilfield, në Daqing, Provinca Heilongjiang, në Kinë. “Konsulentët përfshihen lehtësisht në situata të rënda dhe bien pre e ndjenjave të pafuqisë”. Ka edhe raste kur nuk mund të bëjnë dot asgjë. Për shembull, ndonjëherë, ata nuk mund të sigurojnë shtretër, maska dhe pajisje të tjera të nevojshme. Në kohëra të tilla, këshillimi psikologjik për ndërhyrje në rast krizash teston rritjen dhe aftësinë personale të një konsulenti”, tha Lei.
“Gjithmonë duhet të ktheni vëmendjen te vetja, të jeni të vetëdijshëm për veten dhe të dalloni se cilat emocione janë tuajat dhe cilat janë të pacientëve”, tha Lei.

“Mendoni për shëndetin mendor si pjesë e përgjigjes së shëndetit publik”

Siç shpjegoi Aiysha Malik, një zyrtare teknike në Departamentin e Shëndetit Mendor dhe Përdorimit të Substancave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në një seancë online pyetje-përgjigje të organizuar gjatë kësaj jave, “është vërtet e rëndësishme ta shohësh shëndetin mendor, si pjesë e përgjigjes së shëndetit publik ndaj COVID-19”.

Ajo argumentoi: “Njerëzit që janë më të rrezikuar të përjetojnë stres gjatë kësaj kohe janë persona që vuajnë nga shqetësime ekzistuese të shëndetit mendor, ose nga varësia ndaj substancave apo përfaqësojnë grupe të tjera lehtësisht të cenueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen nga COVID-19, por edhe për parandalimin e stresit dhe frikës gjatë kësaj periudhe”.

Në Liban, për shembull, Programi Kombëtar i Shëndetit Mendor në Ministrinë e Shëndetit Publik, po bashkëpunon ngushtë me OBSH-në dhe UNICEF-in për të integruar programin e OBSH-së për Shëndetin Mendor dhe Mbështetjen Psikosociale (MHPSS) në përgjigjen ndaj COVID-19. Ky zbatim kërkon koordinimin dhe integrimin e shëndetit mendor në përgjigjen kombëtare, në përputhje me kornizën globale të MHPSS.

Dr. Rabih El Chammay, kreu i Programit të Shëndetit Mendor në Ministrinë e Shëndetit Publik të Libanit, shpjegoi se këto masa përfshijnë:

  • Integrimin e mesazheve kyçe në lidhje me shëndetin mendor dhe stigmën në trajnimin e punonjësve të vijës së parë nga sektorët e shëndetësisë dhe jashtë saj; trajnimin e qendrave kombëtare të ndihmës ndaj COVID-19; udhëzime nga Ministria e Shëndetit Publik (MOPH) për publikun mbi vetizolimin, përfshirë edhe në mediat sociale; dhe mesazhet e komunikimit me publikun e gjerë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerë.
  • Zhvillimin e një fushate në mediat sociale mbi shëndetin mendor drejtuar popullatës së përgjithshme, kujdestarëve të fëmijëve, personave në izolim dhe vendeve të punës për të ndihmuar punonjësit me rregulla më fleksibël në punë.
    • Ndihmë dhe mbështetje për stafin e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e vijës së parë, gjatë kësaj periudhe.
    • Mbështetje për shëndetin mendor nëpërmjet telefonatave, për personat në karantinë.

“Izolimi social shoqërohet me shëndet të dobët mendor”

Sandro Galea, profesor në Universitetin e Shëndetit Publik në Boston dhe një ekspert i shëndetësisë, i cili është përqendruar në aspektet sociale të shëndetit, shëndetit mendor dhe traumës, tha se nuk e hedh poshtë rrezikun e përhapjes së koronavirusit, por është gjithashtu e rëndësishme të merren parasysh rreziqet e papritura që lidhen me reagimin ndaj shpërthimit të sëmundjes. “Fakti që izolimi social shoqërohet me shëndet të dobët mendor është i padiskutueshëm”, shpjegoi ai.
Për më tepër, stresi i nivelit makro në të gjithë shoqërinë, mund të shkaktojë një barrë të rëndë sociale për grupe specifike. “Do të ketë pasoja afatmesme dhe afatgjata te njerëz të cilët janë të punësuar në sektorë si shitjet me pakicë dhe transporti”, shpjegoi ai. “Rritja e presioneve ekonomike, do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme në një shëndet më të dobët mendor.”
Galea gjithashtu vuri në dukje efektet e karantinimit në shëndetin mendor të njerëzve. Megjithëse masat karantinuese dhe udhëzimet ndryshojnë sipas vendit dhe ende po evoluojnë, Galea tregoi një studim që tregonte efektet psikologjike të karantinimit te banorët e Torontos, pas shpërthimit të virusit SARS në vitin 2003. Studimi zbuloi se një pjesë e konsiderueshme e personave të karantinuar, shfaqnin simptoma të stresit pas traumatik dhe depresionit.
Nëse karantinimi është i nevojshëm, ekzistojnë hapa që mund të lehtësojnë efektet e izolimit:

  • Qëndroni të lidhur me rrjetet tuaja sociale dhe familjare nëpërmjet teknologjisë
  • Ruani rutinën ditore sa më mirë të jetë e mundur
  • Bëni rregullisht ushtrime fizike dhe praktikoni zakone që ju pëlqejnë dhe janë relaksuese
  • Kërkoni informacion praktik dhe të besueshëm për të qëndruar të informuar

 

Mjetet dhe shërbimet online ofrojnë mbështetje dhe lidhje

]Shumë njerëz po përdorin teknologjinë për të menaxhuar shëndetin e tyre mendor, gjë që pritet të bëhet më e zakonshme dhe e domosdoshme, teksa rritet nevoja për të praktikuar “distancimin social”, duke ruajtur një distancë fizike nga të tjerët, për të shmangur përhapjen e virusit.
Mbështetja në teknologji – nga linjat telefonike, tek aplikacionet dhe telemjekësia – nuk është aspak e re në fushën e shëndetit mendor. Hulumtimet paraprake nga Deloitte tregojnë se në treg ekzistojnë mbi 3000 aplikacione të shëndetit mendor, me shkallë të ndryshme efikasiteti. Një prej tyre, Ginger, që i akseson njerëzit me specialistë dhe informacione, kohët e fundit publikoi të dhëna që tregojnë se ka një rritje gjatë javës të përmendjes së fjalëve kyçe të lidhura me COVID-19, në bisedat me tekst midis klientëve dhe trajnerëve të shëndetit të sjelljes.
Për shembull, “Beijing News” raportoi se në Kinë, shumë qytete dhe universitete hapën linjat e ndihmës psikologjike. Sipas shefit të Linjës së Ndihmës Psikologjike të Beijing Normal University, publiku i gjerë kishte kryer më shumë konsultime psikologjike (rreth 50%), ndjekur nga ata që ishin të izoluar (rreth 15%), stafi mjekësor i vijës së parë (rreth 10%), ata që ishin në karantinë në shtëpi (5%), dhe raste të tjera (rreth 20%).

“Duhet zhvendosur vëmendja nga numri i vdekjeve te numri i të shëruarve”

Shpesh duket se mungojnë historitë pozitive të personave që janë shëruar nga koronavirusi.
“Nuk po i dëgjojmë historitë e personave të shëruar” tha Ken Carswell, zyrtar teknik në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Duhet ta zhvendosim vëmendjen nga numri i vdekjeve te numri i të shëruarve”.
Për më tepër, efektet negative të gjuhës stigmatizuese – siç është lidhja e virusit me një rajon ose përkatësi të caktuar etnike apo fajësimi i njerëzve për transmetimin e sëmundjes – vetëm sa përhapin ndjenjën e frikës në një nivel makro. Gazetarët, portalet e lajmeve dhe qytetarët e zakonshëm mund të ndihmojnë në rritjen e shpresës dhe qetësimin e frikës, duke u treguar të kujdesshëm në gjuhën që përdorin kur flasin për COVID-19.
Në fakt, ndjenja e shpresës në vend të frikës mund të lejojë udhëheqësit dhe qytetarët e zakonshëm që të bashkëpunojnë më mirë midis tyre – një element jetësor për mposhtjen e virusit. Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, shkroi në Twitter më 9 mars:
“Ne nuk jemi në mëshirën e koronavirusit. Përparësia jonë e madhe është se vendimet që marrim të gjithë – si qeveri, biznese, komunitete, familje dhe individë – mund të ndikojnë në trajektoren e kësaj epidemie”.
Në ditët dhe javët në vazhdim, frika dhe ankthi ka të ngjarë të rriten teksa jeta jonë e përditshme vazhdon të trazohet dhe distancimi social bëhet i domosdoshëm. Si shoqëri, duhet të punojmë së bashku me një ndjenjë mirëkuptimi. Si individë, duhet të informohemi për faktet, të qëndrojmë të lidhur me njerëzit që duam dhe të jemi të sjellshëm me njëri-tjetrin.

(Peter Varnum, drejtues projekti, Shëndeti Global dhe Kujdesi Shëndetësor nga Forumi Ekonomik Global)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>