Karantinimi në qytete me shumë raste me koronavirus mund të kthehet në Kosovë. Një mundësi të tillë e ka lënë të hapur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të hënën. Kryeministri ka paralajmëruar veprime penale për personat që nuk iu përmbahen masave.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar mundësinë për kthimin e karantinimit të disa zonave dhe ndalimin e tubimeve mbi 100 persona.
Ai tha se në lidhje me këtë do të merren vendime në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti tha se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.
“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, tha ai.
Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.
“Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”, tha Hoti, duke paralajmëruar mundësinë e masave të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Jemi duke diskutuar për karantinimin ku ka më së shumti raste. Duhet të rregullojmë pak më mirë ceremonitë mortore. Policia do të merr të gjitha autorizimet e nevojshme. Të gjitha resurset i kemi vënë në funksion”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se në mbledhje është diskutuar për gjendjen e krijuar. Kryeministri Hoti ka theksuar se nuk mund të lejohet që gjendja të dal jashtë kontrollit.
“Kemi 49 raste me fatalitet, Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka më vende për njerëz. Janë duke u krijuar vende në klinika tjera. Masat janë të thjeshta, maskat, distanca dhe larja e duarve. Jemi të obliguar t’iu përmbahemi”, ka theksuar Hoti.
Kryeministri ka paralajmëruar veprime penale për personat që nuk iu përmbahen masave. Hoti ka treguar që aktualisht 113 persona janë të hospitalizuar, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë. 8 për qind e të prekurve nga COVID-19 janë mjekë.
“Situata është nën kontroll të brishtë dhe duhet të punojmë të gjithë për ta menaxhuar. Diskutuam për masat që do të marrim, duke filluar nga reduktimi i punësimit në institucione. Do të mbyllim të gjithë sektorët në departamentet ku ka raste. Duhet të kontrollohen, që personat e infektuar të mbesin të izoluar. Duhet të aktivizohen shtabet lokale nëpër komuna. Inspektorati sanitar do të marr masat ndëshkimore në rrugë, biznese e kudo. Inspektorët do të jenë 24 orë dhe nëse nuk mbani maskë do të dënoheni”, ka thënë kryeministri Hoti.
Sipas Hotit është vështirë që të lëvizet me hapjen e pishinave, lejimin e ahengjeve dhe bizneseve tjera.
Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se është angazhuar i gjithë potenciali për të menaxhuar situatën.
Ai ka thënë se faza e tretë e hapjes graduale ekonomike ka rezultuar me rritje të rasteve. Zemaj ka thënë se rritja e rasteve është pasojë e mosrespektimit të masave nga bizneset.
“Jemi duke përgatitur edhe strategjinë e re të testimeve. Do të fillojmë testimet në masë. Ministria me të gjitha kapacitetet është duke bërë çmos që të kthehemi mbrapa me masa”, ka thënë Zemaj.
Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus.
Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur. Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.
Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.
Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19.