• Today is: Sunday, November 24, 2024

KOSOVA, AKOMA KA VARRE TË HAPURA

fakti
June26/ 2020

(Pse na i mbajnë peng (edhe) të vdekurit?!)

Lufta është zgjidhje me dhëmbë e atyre problemeve, që nuk janë zgjidhur me gjuhë. (mendim aforistik)

Nga Gani BYTYÇI/ Cyrih

 

Promemorie

Historia tragjike e mësoi popullin tonë (përherë i robëruar, i rrezikuar e i copëtuar) që të formulojë edhe një mendim si ky: “Dy duar janë për një kokë”. Kjo do të thotë që duart janë për të mbrojtur kokën. Ndaj lufta jonë ishte luftë për ta mbrojtur kokën. Për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Për të mbrojtur egzistencën fizike ndaj shfarosjes. Asnjë këmbë luftëtari nuk ka shkelur jashtë truallit të atdheut. Pra ishte luftë, që në njërën anë kishte terrorin e barbarinë e në anën tjetër shqiptarin e pambrojtur e të kërcënuar, në shtëpinë e në tokën e vet. Ai është sulmuar, vrarë e zhdukur barbarisht. I është sulmuar tokë e shtëpi, i është përdhunuar e vrarë gjithë familja. Brenda në vatrën e tij. I është shkretëruar e shkatërruar gjithçka. Kosova është e mbushur me varreza masive të krimeve e masakrave serbe. Atje akoma kemi shumë varre të hapura, të zbrazta. Kemi varre që prej njëzet vjetesh, presin trupat e civilëve të rrëmbyer e të zhdukur. Ato presin të vdekurit e tyre. Ata janë me mijëra. I morën në shtepitë e tyre dhe i dërguan në ferr. Ç`faj kishin ata që u rrëmbyen, u torturuan, u vranë dhe u zhduken. C`faj kanë ata që as të vdekur nuk i lejojnë të kthehen në tokën e tyre. Përse na i mbajnë peng (edhe) të vdekurit. Edhe ata mbrohen nga ligjet, që i mbrojnë të vdekurit. Por fqinji ynë nuk njeh ligje as për të gjallët e as për të vdekurit shqiptarë. Ai, ndaj tyre njeh vetëm urrejtje. Urrejtja ndaj shqiptaëve dhe lakmia ndaj tokës së tyre e kanë vërbëruar atë prej shekujsh. Ai (fqinji ynë) prej 20 vjetësh nuk rresht të shpif akuza e të hartojë aktakuza, herë me dorën e vetë (të zezë) e herë me dorën (e ndyrë) të miqve të vet. Vala e fundit e ngritjes së shumë aktakuzasve, është vazhddimësi e përpjekjeve për ta errësuar e nxirë imazhin e UCK-së, të Kosovën dhe të gjithë kombit tonë.

Dialog i këtyre ditëve:
– A i dinë Europa dhe Gjykata Speciale krimet serbe?!
– Po apsolutisht, i dinë të gjitha!
– A i heton ajo këto krime?!
– Jo, apsolutisht nuk i heton!
– Pse nuk i heton ajo krimet serbe?
– Sepse Gjykata Speciale,(e vetmja e këtij lloji në gjithë historinë e drejtësisë) eksperimenton dhe heton (vetëm) viktimën (shqiptarët)!!!

UCK-JA, EMBLEMË HYJNORE

UCK-ja është shpirti i Lirisë. Ajo është Zemra e Atdheut. Frymëmarrja e tij. Ushtarët e saj janë heronjë të Lirisë e të Kombit të tyre! Ata dhe UCK- janë në Zemrën e secilit! UCK-ja është gjaku ynë. Është durimi e përkushtimi ynë deri në sakrificë. Ajo është heroizmi dhe flijimi i heronjëve të lirisë. UCK-ja është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja jonë. Ajo është Atdheu ynë, plaga dhe vuajtja e tij shekullore. UCK-ja është ideali ynë i Lirisë. Është krenaria, mburrja dhe lavdia jonë Ajo është ëndrra e qindra e mijëra viktimave të dhunës historike mbi atdheun tonë. UCK-ja është gjumi i qetë dhe ëndrra e lirë, e patrembur dhe e bukur e fëmijëve tanë, sot, nesër e përgjithmonë. Ajo është loja e tyre gjithë hare. UCK-ja është kënga e lirë e zogjve. Ajo është fluturimi i tyre i lirë qiellit të Atdheut. UCK-ja është figura-gjerdan në vargun e poetit. Është tingulli epik i këngës heroike. Ajo është shkëqimi në gjithë koloritin e artistit. UCK-ja është në frymëmarrjen e çdonjërit, cep me cep Atdheut. Ajo është gjaku ynë dhe i të gjithë brezave në gjithë historinë tonë. Ajo është forca që lufton të keqen, forca që ka luftuar tiraninë, robërinë dhe barbarinë. Është forca që ka mbajtur të gjallë dhe e ka kultivuar shpresën dhe idealin e lirisë. UCK.ja ështrë në mendjen dhe shpirtin e të gjithë gjallëve dhe të rënëve në Kosovë.
Cdo komb i robëruar, të cilin forca e popullit të tij, e ka shpier drejt lirisë, është krenar dhe atë force ai e ruan si vlerë kombëtare e historike, të paprekshme e të pacenueshme, të sotme e të përhershme. Edhe ne, këtë Vlerë, do ta ruajmë përherë, si vlerë sublime, të luftës, të egzistencës dhe të Lirisë sonë! Kjo është kuptimi dhe përmbajtja e egzistencës sonë. Ajo është Emblema e shenjtë trishkronjëshe–UCK! Është Emblema jonë Hyjnore!

26 qershor, 2020

Fotografia e Gani Bytyçi