• Today is: Friday, April 26, 2024

Thaҫi s’mund të shmangte dramën e tij, por të kursente goditjen ndaj Kosovës

fakti
June26/ 2020

Asgjë nuk ishte e papritur. Që në fillim, kur u ngrit Gjykata Speciale, pati si bazë të saj një raport, që njihet si Raporti i Dick Marty-it, i cili kishte si krye të akuzuar Hashim Thaҫin.

Raporti, forma dhe përmbajtja e hartuar nga prokurori zviceran, natyrisht që ka shumë, po shumë për të diskutuar, për të debatuar, e normalisht për të kontestuar.

Por tashmë është fakt: Presidenti i Republikës së Kosovës, është nën akuzë nga Prokuroria Speciale e miratuar me vendim të Parlamentit të Kosovës.

Gjithҫka është thënë nga shumë aktorë në Kosovë, që Thaҫi, duke qenë se është objekt i raportit të Dick Marty-it, mund të jetë edhe i akuzuar, gjegjësisht i pandehur i Gjykatës Speciale.

Madje është thënë edhe më shumë: që Hashim Thaҫi është i shantazhueshëm nga akuzat ndaj tij, e pikërisht duke qenë se është kështu, Thaҫi nuk do të mund ta udhëheqë procesin vital të dialogut të Kosovës me Serbinë.

Aktualisht të gjitha mediat më prestigjioze botërore e kanë në krye të edicioneve lajmin se Presidenti i Kosovës është i akuzuar për më shumë se 100 vrasje.

Dhe më dramatikja është se akuza ndaj Thaҫit ndodh vetëm tre ditë para takimit në Shtëpinë së Bardhë, ku ai do të takohet me Aleksandër Vuҫiҫ për të mbyllur ҫështjen e Kosovës.

E pikërisht kjo akuzë mbi supet e Thaҫit duket se është tendencioze, duket se është e rëndë dhe përmban mbi vete edhe një lojë politike.

E pikërisht për këtë Presidenti i Kosovës, do të duhet të merrte masa paraprake që të shmangte këtë që ndodhi sot.

Hashim Thaҫi sot shkon në Uashington si i akuzuar për 100 vrasje.

Qoftë edhe e gabuar, ngjarja në vetvete vë në pikëpyetje gjithҫka; edhe samitin e Uashingtonit, edhe integritetin e Kosovës, por në radhë të parë integritetin e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

Gjëja e parë që duhet të bëjë Thaҫi është të japë dorëheqjen e menjëhershme nga posti i Presidentit të Kosovës, më e pakta, të mos jetë pjesë e samitit të Uashingtonit.

Por siҫ ka thënë, si individ e politikan me përvojë, të nisë betejën e tij me drejtësinë ndërkombëtare.

Tani që u bë zyrtare akuza ndaj Thaҫit, të vjen në mend pikërisht shpjegimi i nervozizmit të Presidentit në muajt e fundit.

Një frenezi sulmesh e akuzash, deri edhe rrugaҫërore ndaj Vetëvendosjes dhe qeverisë së Albin Kurtit.

Albin Kurti ka votuar bashkë me partinë e tij kundër konstituimit të Gjykatës Speciale, e ka pasur kauzë politike kundërshtimin ndaj këtij monstrumi juridiko-politik.

Por Kurti, pikërisht nga ky qëndrim ka thënë që prej vitesh se Gjykata Speciale është ngritur për të mbajtur nën shantazh politikanët e Kosovës të ardhur nga lufta.

Kreu i Vetëvendosjes e ka thënë se Thaҫi nuk është i lirë në vendimarrjen e tij për Kosovën se është i shantazhuar ngaqë mund të jetë i pandehur i Gjykatës Speciale.

E në fakt ashtu ndodhi, dhe këtë e ka ditur edhe Hashim Thaҫi sipas të gjitha gjasave.

Po përse ai ka vepruar ashtu siҫ deri tani, duke mos marrë asnjë masë?

Kosova, edhe pse ja njeh të gjithë kontributet Hashim Thaҫit, nuk mund të varet nga asnjë person, aq më keq nga Presidenti aktual që sot realisht e ka njollosur Kosovën. Mund të mos e bënte…/Pamfleti