• Today is: Monday, November 25, 2024

Nxënësve shqiptarë në Serbi do t’u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria

fakti
June24/ 2020

Nxënësit shqiptarë që ndodhen në Luginën e Preshevës do t’u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas ministres, ka filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, ndërsa shtoi se Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij.

“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.

Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë”, shkroi ministrja Shahini.