• Today is: Saturday, April 20, 2024

LIRIZMI EPIK I XHEMË VALLTARIT

fakti
June24/ 2020

Qershia mbi tortë e Ansamblit të Muzikës Autoktone “Bajram Curri”  baca Xhemë, me të dalë në skenë, me lëvizjet e tija trupore e, sidmos me lëvizjen e syve, e kallte publikun. Fshati i tij i lindjes, Stançiqi , prej kohësh njihej edhe si fidanishte valltarësh, në këtë njëqindvjetëshin që shkoi

Nga Sabit RRUSTEMI

Ansambli i Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani, nga dje ka mbetur pa njërin prej valltarëve më karakterisitikë që e nxori Gryka e Karadakut, Xhemajl Rahimin.
E njihja qysh nga viti 1972, atëherë kur ky Ansambël i sapokrijuar, shfaqi një program artistik në një sallë të improvizuar të një koopertaive bujqësore në Shurdhan, me rastin e lëshimit në qarkulllim të linjës Gjilan – Shurdhan.
Nga ajo kohë e këndej, ky Ansambël, pjesë të cilit ishte Xhemajl Rahimi, përmes valleve burimore të krahinës së Karadakut , u bë i njohur jo vetëm brenda komunës së Gjilanit e Koosovës, po edhe në këtë pjesë të Ballkanit , kudo që u paraqitën, si në Festivallin Ballkanik të valleve në Ohër, në Festivalin e Zagrebit apo dhe të atij të Gjirokastrës ( pas vitit 2000 ).
Qershia mbi tortë e këtij Anssambli, baca Xhemë, me të dalë në skenë, me lëvizjet e tija trupore e, sidmos me lëvizjen e syve, e kallte publikun. Fshati i tij i lindjes, Stançiqi , prej kohësh njihej edhe si fidanishte valltarësh, në këtë njëqindvjetëshin që shkoi.
Ishin dy valltarë që e ngritnin në piedestal vallen burimore të këtij Ansambli, Hamit Aliu, si prijatar dhe Xhemajl Rahimi si valltar i fundit.
FUJZA ishte vallja më e përzemërt e Xhemës dhe e publikut, kudo që u shfaq. Aty vinte në shprehje i gjithë kreativiteti i tij, ai lirizëm epik që e shndërronte këtë valltar në një personalitet krejt tjetër, të paparë në skenat tona.
Kushdo që e ka parë këtë NJERI në skenë, më s’ka mund ta harrojë.
PO, baci Xhemë, ishte dhe shtëpiak i mirë, si në shtëpi, në lagje, në shkollë, ku kreu detyrën e shërbëtorit deri në pension, e kudo që e qiti nevoja.
Njihej për maturinë dhe urtësinë e tij, kahdo që sillej.
Megjitahtë, Ansambli i dha emër dhe e shpërfaqi të tillë përmes valleve burimore të Karadakut, të cilat fatmirësisht jkanë rilindur dhe janë rikthyer në jetë e, kanë marrë dhenë, po përmes këtij Ansambli.
E, njëri nga më meritorët është dhe e vetë Xhemë Valltari, të cilin e mori përjetshëm kjo kohë pandemie duke na privuar për t’ia bërë dhe nderimet që ia patëm borxh ….

Zhegër, 23 qershor, 2020
Fotografia e Sabit RrustemiFotografia e Sabit Rrustemi