• Today is: Sunday, November 24, 2024

FARUK TASHOLLI: TRANSPLATIMI I BURRNISË

fakti
June23/ 2020

(Satirë në vargje)

Kur përmendej dikur shkenca
A kush fliste për meteorët,
Si e dimë mirë nga Mesjeta
N’derë i vinin inkuizitorët.

Dhe e prenin a krejt e digjnin
Si ma keq ia merrnin shpirtin,
Me qetësi me e bind turmën
Mburojë nxirrnin Jezu Krishtin!

Në shekuj shkenca eci tutje
Ndryshoi mendjen dhe planetin,
Që të dimë gjithë çka duam
Lamë e bani me internetin.

Mirëpo kemi një shkencë tjetër
Që në çastet më fatale,
Shkulë e ngulë organe trupit
Përfshi edhe ato seksuale!

Në Kosovën tonë të vogël
Nuk e di ku janë shkencëtarët,
Transplatime të çdo fushe
Bajnë e zhbajnë veç pushtetarët.

Transplatohen doktoratat
Në trutë tapë e ku jo tjetër,
Transplatohet edhe trimnia
Je a s’je ti zemër-lepur?!

Transplatohen gjithë meritat
Për dugjunjësit e Partisë-Shtet,
Transplatohet inkuizicioni
Nga Mesjeta n‘ modernitet!

Transplatohet nga legjendat
Mbi gruen akti i flijimit,
Transplatohet n’demokraci
Grusht-çeliku i Stalinit!

Por një vlerë shekullore
Ndër shqiptarë që konsumohet,
Në organet e Partisë –
Kurrë burrnia s’transplatohet!

23 qershor, 2020

Fotografia e Faruk TasholliFotografia e Faruk Tasholli