• Today is: Monday, November 25, 2024

Gjykata lejon John Boltonin të publikojë librin për Trumpin

fakti
June22/ 2020

Një gjykatës federal ka vendosur këtë të shtunë se ish këshilltari i sigurisë për presidentin amerikan, Donald Trump, mund ta vazhdojë botimin e librit, edhe pse Shtëpia e Bardhë kishte kërkuar të ndalohej derisa të siguroheshin që nuk do të publikohej ndonjë informacion i klasifikuar.

Vendimi është fitore për Boltonin, i cili deklaronte se të drejtën për ta botuar librin ia jepte Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane, ai i fjalës së lirë.

Megjithatë, gjykatësi Royce Lamberth ngriti edhe shqetësime në lidhje me sigurinë kombëtare të vendit.

“Bolton ka luajtur me sigurinë kombëtare të SHBA-ve. E ka ekspozuar vendin ndaj rreziqeve si dhe veten ndaj padive”, shkroi gjykatësi Lamberth.

Libri që do të botohet në vitin zgjedhor pritet të dalë në shitje këtë të martë. John Bolton tregon aty mënyrën se si Trump ka menaxhuar politikën e jashtme të vendit më të fuqishëm në botë gjatë kohës që ai ka shërbyer si këshilltar i sigurisë kombëtare.
Pirated editions of John Bolton memoir have appeared online

Menjëherë pas vendimit, Trump shkroi në Tëitter se Boltoni ka thyer ligjin duke nxjerrë informacion të klasifikuar. Trump tha se e quan fitore këtë vendim të gjykatës, pasi libri ishte bërë publik për mediat dhe premtoi se Bolton do të paguajë një çmim shumë të shtrenjtë për këtë.

Avokati i Boltonit, nga ana tjetër, lëvdoi gjykatësin Lambert që pengoi përpjekjet e qeverisë për të penguar librin e tij. Publikuesit “Simon & Schuster’ thanë se vendimi mbrojti të Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, kundër censurimit.

Sipas avokatëve, Bolton është kujdesur për muaj të tërë që t’i përgjigjet shqetësimeve të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara. Në muajin prill, sipas tyre, Bolton mori garancinë që libri nuk përmbante materiale dëmtuese për vendin.

Trump i kërkoi ndihmë Kinës

Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi homologut kinez gjatë një samiti të vitit 2019 që ta ndihmonte në rizgjedhjen e tij, duke blerë më shumë produkte amerikane.

Kështu thuhet në librin e ish-këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton, i cili akuzon kreun e shtetit se është udhëhequr nga ambicjet politike kur duhet të merrte vendime që lidheshin me sigurinë kombëtare.

Libri, me titull “Dhoma ku ndodhi: Një kujtim nga Shtëpia e Bardhë”, që është planifikuar të publikohet të martën e ardhshme, ka qenë subjekt i një beteje të gjatë mes Bolton dhe selisë presidenciale.

“Presidenti mund të jetë një njeri i madh marrëveshjesh kur bëhet fjalë për bizneset e pronave në Manhatan, por të merresh me traktatin për kufizimin e armëve strategjike, apo çështje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë, kjo është shumë ndryshe nga eksperienca e tij e mëparshme”, deklaroi Bolton në një intervistë televizive.

Nga ana e tij, Trump reagoi ashpër në Twitter duke deklaruar se, libri jashtëzakonisht i lodhshëm i John Bolton përbëhet nga gënjeshtra dhe histori të rreme. Ai tha se, Bolton thoshte vetëm fjalë të mira për të deri ditën kur e pushoi nga puna.

“Ai është një njeri i marrë, i pakënaqur me veten dhe i mërzitshëm, që donte vetëm të shkonte në luftë. Ai kurrë nuk e kishte idenë e punës ndaj dhe u izolua dhe u shkarkua me shumë kënaqësi. Çfarë hajvani!”, tha Trump.

Trump s’e dinte që Britania ishte fuqi bërthamore, Finlandën e dinte në Rusi

 

Ish këshilltari i sigurisë së Donald Trump, John Bolton, ka shkruar kujtimet e tij për punën në Shtëpinë e Bardhë, në një libër që jep detaje të rënda në lidhje me presidentin.

Sipas Bolton, Presidenti Trump i ka kërkuar Kinës që të ndikojë zgjedhjet në SHBA në favorin e tij, duke blerë më shumë grurë dhe sojë, të cilat rriten në zonat që mbështesin Trump.

Veç kësaj, Bolton sugjeron se presidentit i mungojnë njohuritë gjeopolitike. Sipas tij, Trump nuk e dinte që Mbretëria e Bashkuar ishte një nga fuqitë bërthamore, si dhe mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë.

Bolton ka qenë këshilltar i presidentit për 17 muaj, para se të jepte dorëheqjen. Ndërsa Trump tha se e kishte shkarkuar.

Libri ka 557 faqe dhe pritet të dalë në treg javët e ardhshme, por mediave u është dërguar paraprakisht një kopje.

Administrata e presidentit është përpjekur ta ndalojë publikimin e librit, duke thënë se mund të ketë nxjerrje të informacioneve sekrete.

Bolton, i cili ka punuar edhe për presidentët Regan dhe Bush, ka qenë përkrahës i angazhimit të SHBA-ve në luftën me Irakun, si dhe mbështeti tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Sipas librit të Boltonit, një përkthyes kishte deklaruar se Trump i kishte thënë presidentit kinez, Xi Jingping, që të vazhdonte të ndërtonte kampe përqendrimi për ujgurët, një pakicë etnike në Kinë, kundër të cilëve qeveria kineze ka ndërmarrë fushata të ashpra.

Sipas këshilltarit, Trump ia kishte ndërprerë Ukrainës financimet ushtarake, me kusht që të hapnin një hetim kundër rivalit të tij politik, Joe Biden.

Kjo çështje u përdor edhe si argument nga demokratët kur kërkuan ngritjen e një komisioni që të hetonte nëse presidenti duhej shkarkuar apo jo. Bolton refuzoi të dëshmojë në këtë komision.

Ish këshilltari i presidentit është kritikuar se këto detaje duhej t’i kishte nxjerrë më herët, jo pas kontratës 2-milionë-dollarëshe për librin.

Trumpi padit ish-këshilltarin

Administrata amerikane ka paditur ish-këshilltarin e presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton, në përpjekje për të bllokuar publikimin e librit të tij mbi kohën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Administrata e ka mbrojtur lëvizjen e saj me argumentin se libri përmban informacione të klasifikuara që do të vinin në rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Padia erdhi një ditë pasi vetë presidenti Donald Trump deklaroi se Bolton do të shkelte ligjin nëse libri do të publikohej në gjendjen aktuale të tij.

Kjo, pasi sipas tij, Bolton nuk ka plotësuar atë që njihet si “procesi i pastrimit”, që i kërkohet çdo ish-zyrtari të qeverisë që shkruan libra.

Trump e shkarkoi Bolton shtatorin e kaluar pas 17 muajsh detyrë si këshilltar për sigurinë kombëtare. Libri i ish-këshilltarit, me titullin “Dhoma ku ndodhi: Një kujtim nga Shtëpia e Bardhë”, pritet të dalë në shitje më 23 qershor.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Bolton, i punësuar me shumë ovacione nga kreu i shtetit, erdhi pas publikimit të çështjes që mori emrin “Ukraina-gate”, me presidentin që kushtëzoi ndihmën financiare për Ukrainën me një hetim mbi rivalin e tij në zgjedhjet e ardhshme, Joe Biden.

Asokohe, Bolton u shpreh se nuk dëshironte të bëhej pjesë e asaj që e quajti një “Pazar droge”.