• Today is: Monday, November 25, 2024

Fitorja e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet serbe, Salihu: Mund të kishim marrë pa frikë 5 deputetë

fakti
June22/ 2020

Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe shpreson të ketë të paktën 3 vende në parlamentin serb.

Muharrem Salihu, drejtues i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi tha për Euronews Albania se këto ishin zgjedhjet më të mira që janë realizuar në Serbi prej kohësh dhe më të mirat për shqiptarët, të cilët arritën të merrnin një rezultat shumë të mirë duke siguruar 3 vende në parlament.

Por sipas z. Salihu, nëse pjesëmarrja në zgjedhje do të kishte qenë më e madhe, shqiptarët do të merrnin lirisht 5 vende në parlamentin serb.

“Zgjedhjet e djeshme dallohen prej zgjedhjeve në të kaluar, dhe ajo që i bën këto zgjedhje ndryshe është prezenca e shtetit shqiptar në këtë rajon, që rezultoi edhe me fitoren më të mirë që shqiptarët deri tani kanë realizuar në Serbi.

Pjesëmarrja ka qenë e cunguar për shkak të numrit të kufizuar për shkak të pasivizimit të adresave, sidomos në Medvegjë, për shkak të pandemisë, dhe përbërja e listës që ka përfshirë vetëm Preshevën e Bujanovc, por jo Medvegjën. nëse pjesëmarrja do të ishte më e mirë mund të realizonim pa frikë edhe 5 deputetë në parlamentin serb”, tha ai.

Sipas z. Salihu zëra shqiptarë në parlamentin serb janë shumë të rëndësishëm, por në këtë pikë është e nevojshme një ndihmë dhe mbështetje më e madhe nga ana e shtetit shqiptar për fatin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Ai kërkoi reciprocitet për sa i përket respektimit të komunitetit shqiptar në Serbi, ashtu siç respektohet minoriteti serb në Kosovë

“Tri zëra në parlament janë shumë të rëndësishëm por duhet një mbështetje nga shteti shqiptar për fatin e shqiptarëve në Serbi, së paku për të baraspeshuar me pakicën serbe në Kosovë, të cilët i kanë të garantuara vendet në pushtetin qendror në Kosovë dhe megjithatë votojnë edhe në Serbi”, tha ai.
Kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, në Luginën e Preshevës u shpreh se partia e tij nuk ka marr pjesë në zgjedhje.

Sipas tij, Serbia nuk është treguar asnjëherë e gatshme për të dëgjuar zërin e shqiptarëve.

Ai tha se tanimë, kur marrëveshja Prishtinë-Beograd po afron, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të interesuar që të jenë pjesë e integrale e republikës së Kosovës,

“PDSH që funksionon qysh nga viti ’90 në ish-Jugosllavi, nuk merr pjesë në këto zgjedhje, sepse nuk është treguar asnjëherë gatishmëri e Serbisë, që në 250 deputetë të dëgjohet një zë i shqiptarëve. Sot janë mbajtur zgjedhjet parlamentare me një grup të “unifikuar” të shqiptarëve, nga ku 3 parti në Bujanovc dhe Preshevë nuk arrinë të kenë më shumë se 5-6% të popullit”.

“Sot u vërtetua se nuk ka qenë synimi që të unifikohen për të nxjerrë popullin në votime, pasi nuk janë mbajtur tubime. Ne i bojkotojmë zgjedhjet sepse nga praktika e partive të tjera në zgjedhjet parlamentare nga viti 2017 e këtej, nuk është treguar ndonjë rezultat. Tanimë kur marrëveshja Prishtinë-Beograd po afron, shqiptarët e luginës së Preshevës janë të interesuar që të jenë pjesë e integrale e republikës së Kosovës, ose të rikthehen sepse pas Luftës së Dytë Botërore këto tri komuna janë shkëputur me pa të drejtë”.

Mustafa tha gjithashtu se pjesëmarrja e shqiptarëve në votime ishte shumë e ulët, rreth 5-6%, por pavarësisht kësaj, ai foli për amplifikim të votave në kutitë e votimit.

“Ne kemi montuar pjesëmarrjen në votime të shqiptarëve dhe ka qenë shumë e vogël, deri diku në 5-6%. Gjithsesi, në kutitë e votimit janë amplifikuar, duke dalë disa qindra herë më shumë vota. T’i vidhet qytetarit të lirë shqiptar vota kështu, kjo gjë ndodh vetëm në vendet afro-aziatike ose vendet e lindjet, dhe në Serbi. Po në Serbi situata nuk është më e mirë, pasi edhe opozita ka bojkotuar zgjedhjet dhe partia e Vuçiç ka dalë e vetme dhe komisionerët e tij ia kanë dalë t’i mbushin kutitë në mënyrë marramendëse”.

Mustafa shtoi se deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje për shqiptarët në parlamentin serb, pasi nuk kanë as të drejtën për të përdorur simbolet kombëtare.