• Today is: Sunday, November 24, 2024

ENRICO, AZNAVURI DHE DITA E TË PËRNDJEKURVE

fakti
June21/ 2020

Në Ditën e Refugjatëve

(Atdheu im në ditën e të dëbuarëve)

Sot u tha se ishte Dita e Refugjatëve. Do të thotë ishte dita e atyre miliona njerëzve në gjithë rruzullin tokësor (në tërë planetin tonë), të cilët kanë qenë, janë e do të jenë të detyruar që ta lënë vendin e tyre, atdheun, dheun ku kanë lindur, ku janë familjarizuar e mishëruar me tokën e qiellin dhe të marrin rrugën e askundit. Nuk e kuptova se në ç`kuptim ishte shpallur kjo ditë e këtyre njerëzve Nuk di pse, m`u duk disi e padrejtë, që kjo të quhej Dita e Refugjatëve. Pse, fjala vjen, të mos quhej dita e njerëzve të ikur nga dhuna, nga përndjekja. Dita e njerëzve të zhvendosur nga atdheu i tyre. Mu kujtua jeta ime. Ikja ime, e cila më pati ardhur si një ëndërr dimri gjithë trishtim. Pastaj mu shfaqen skenat, që kisha parë në dokumentare e fotografi arkivore nga përndjekja dhe deportimi, që u ishte bërë çifutëve. Kjo më kujtoi përndjekjen dhe deportimin (edhe trishtimin) e popullit tim, nga të gjitha anët. Përndjekjen me thikë e me zjarr nga Toplica. Përndjekjen e dëbimin me terror e masakra nga Camëria. Përndjekjen dhe zhvendosjen me dhunë, zjarrë e terror nga Kosova. Mu kujtua mbiemri i shumë bashkombasëve të mi, të cilët këtë nocion e mbajnë si mallkim historie edhe pas shumë brezave. Kjo ua kujton se ata ishin përndjekur nga dikush dhe nga një hapësirë tjetër. Dhe këtë mbiemër (Muhaxher, që do të thotë të ardhur, jo vendas) e kemi aq të shpeshtë në Kosovë, e në gjithë hapësirën kombëtare. Ky fakt mbase e shpreh edhe atë përmasën tragjike të përndjekjes dhe dëbimit të kombit tonë gjatë gjithë historisë!

Artisti dhe ndjenja e të përndjekurit
Në këtë Ditë, m`u kujtua (edhe) Artisti i madh i këngës, Enrico Macias, çifuti algjerian, i ikur nga Konstantina (qyteti i lindjes së tij në Algjeri) dhe i vendosur në Paris, këtu e gjashtë dekada më parë. Sa herë e kam parë Artistin duke derdhur lot malli e dhembjeje (edhe në skenë) dhe e kam ndjerë duke derdhur lot përvëlues në tingujt e këngës dhe kitarës së tij magjike. Ajo kënga e tij “Kam lënë vendin tim…”, është përjetësisht HIT, edhe pse është kënduar gjashtë dekada më parë! Enrico, Konstantinën e tij e mori dhe e mbajti përgjithmonë në këngën e tij, ngase atë ai nuk e pa kurrë më deri në ditën e sotme. Artisti tani ka kaluar të tetëdhjetat!. Sa e sa poetë, shkrimtarë, artistë, regjisorë, filozofë e qytetarë të rendomtë, koha i ka detyruar të ikin dhe atdheun ta marrin me vete që ta kthejnë në varg, në këngë, në pikturë, dhe kështu të mund ta ruajnë përjetësisht në shpirtin e tyre. Nuk ka elegji më të bukur dhe më të dhimbshme për atdheun, se sa kjo kënda gjithë lot e Enrico Maciasit! Kjo është këngë e dhembje monumentale! Po edhe artisti i madh armen, Charl Aznavur, i cili jetoi në Paris, që kur ishte fëmijë, ishte i përndejkur nga atdheu i tij, Armenia. Aznavur, Armeninë e tij e mbajti gjithë jetën në melankolinë dhe mallëngjimin e tingullit të këngës së tij brilante e të papërsëritshme! Në këtë Ditë, kujtova (edhe) mikun tim të çmuar, Artistin e madh, që jeton në Francë (Damian Tirado). Edhe ai (me dhimbje) ka lënë atdheun e tij! Shqetësimin, dhimbjen e mallin për atdhe, Damiani i mbanë në koloritin e tij të zjarrtë e magjeps. Gjithë arti i tij (skulptura, piktura) është shqetësimi i njeriut, dhembja e tij. Ai është drama njerëzore!
Mu kujtua filozofi i vjetër, Seneka. Edhe ai, qush në antikë, dymijë vjet më parë ishte, detyruar të ikte nga atdheu! Me sa dhembje shkruan për këtë plagë në librin EGZILI, të cilin filozofi ia dedikon si kërkimfalje nënës së tij.
Kjo ditë (e refugjatëve) ma kujtoi edhe atë tragjedinë e bashkëkombasëve të mi, kur vite më parë, një familje (rreth 16 anëtarë), në ikje e sipër, humben jetën në lumin Sava. Nga ata kurrë nuk u gjet asnjë shenjë!
Persias gjithandej, sa e sa anije koha i ka mbushur me lot të njerëzve, që kanë lënë atdheun e tyre. Sa e sa trena historia i ka mbushur me dhembjen trishtuese të tyre. Qindra mijëra netë janë mbushur me frikë, ankth, dhembje e trishtim. Janë mbushur me vdekje të njerëzve të përndjekur!
Në çdo 97 banorë, është një refugjatë. Brenda një viti bota ka njohur 9 milionë të zhvendosur, refugjatë, të ikur, të përndjekur, të dëbuar! T`i quajmë si të duam.
Dhe politika e diplomacia botërore, akoma qëndrojnë indiferente karshi dhimbjes njerëzore edhe para një statistike të tillë alarmante!

Në vazhdim po jap (të përshtatura) disa nga vargjet e këngës gjithë trishtim të Enriko Maciasit

Kam lënë vendin tim,
Kam lënë shtëpinë time,
Jeta ime, jeta ime e pikëlluar bredh pa cak
Kam lënë diellin tim,
Detin tim të kaltër
Kujtimet më zgjohen pas lamtumires,
Dielli, dielli i vendit tim të humbur.

Kam lënë një mike,
Akoma shoh sytë e saj,
Sytë e saj të kaltër që rigojnë
Shoh buzëqeshjen e saj,
Krejt pranë fytyrës sime…

I humbur shikoj anijen,
Që më largon nga bregu…

Fotografia e Gani Bytyçi
Damian Tirado: Pa titull (pikturë)

Fotografia e Gani Bytyçi
Gani Bytyçi: Rrugëtimi fatal (vaj)