• Today is: Friday, April 26, 2024

Vjosa Osmani është një nga gratë me vlera të dëshmuara !

fakti
June21/ 2020

Ajo është pjesë e brezit të ri të politikanëve që duhet ta udhëheqin procesin e ndryshimeve të mëdha dhe të domosdoshme të shoqërisë tonë…Sidomos për ta luftuar mentalitetin e papërgjegjësisë politike dhe mentalitetin korruptues e kleptokratik, të instaluar e të “kultivuar” për 20 vjet, nga një brez i politikanëve sa të papërgjegjshëm, aq edhe të padijshëm, e besa shumë syresh edhe të kriminalizuar !…

Nga Valentina SARAÇINI

Votimi sot i KP të LDK mbase do të jetë tregues edhe për atë se kah do shkojë LDK por edhe si do të ndikojë kjo parti në zhvillimet e nevojshme në vend:luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e shtetit ligjor…

Vetëm njerëz të verbëruar nga egoja e harlisur nuk e kuptojnë se Vjosa Osmani tash më është politikane model për brezin e ri.

Ajo është pjesë e brezit të ri të politikanëve që duhet ta udhëheqin procesin e ndryshimeve të mëdha dhe të domosdoshme të shoqërisë tonë…Sidomos për ta luftuar mentalitetin e papërgjegjësisë politike dhe mentalitetin korruptues e kleptokratik, të instaluar e të “kultivuar” për 20 vjet, nga një brez i politikanëve sa të papërgjegjshëm, aq edhe të padijshëm, e besa shumë syresh edhe të kriminalizuar !…

Kreu i LDK-së Isa Mustafa sot ka bërë gabim të madh: e paska nisur “rreshtimin” për dhe kundër vlerave demokratike, për dhe kundër të ardhmes së LDK në skenën politike të Republikës së Kosovës.

Nëse jo KP i LDK sot, atëherë elektorati në zgjedhjet e ardhshme do ta dëshmojë sa vetshkatërrues mund të jetë qëndrimi i kryetarit aktual të LDK-së, i cili don ta largojë Vjosa Osmanin nga posti i nënkryetares së LDK-së vetëm pse ajo i mbetet besnike parimeve demokratike dhe vullnetit të votuesve të sajë …

Duke e njohur gjatë Z.Isa Mustafa, sot i them publikisht : rëndë po gabon, rëndë po shkel votën e qytetarëve dhe rëndë po na fyen ne gratë e këtij vendi..

Po na fyen ne gratë e brezit tim, që kemi bërë diçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e nuk jemi kyçur në politikë duke pritur këtë kohë që të shohim vajza e gra të reja si Vjosa Osmanin në krye të institucioneve të shtetit dhe të partive tona.

Po kërkoj sot nga Isa Mustafa të heq dorë nga largimi i Vjosa Osmanit prej postit të nënkryetares së LDK-së. Sepse mesazhi që jep kjo sjellje ndaj Vjosa Osmanit, është mesazh i keq dhe fyen të gjitha gratë ndër disa breza që ka ky vend dhe të cilat edhe si nëna edhe si gra të suksesshme në shumë profesione, kanë punuar e sakrifikuar që sot të kemi në vendimarrje të partive dhe institucioneve sa më shumë vajza e gra si Vjosa Osmani.

Zotëri Isa Mustafa mos nëpërkëmbni vlerat e këtij vendi sepse Vjosa Osmani është një nga gratë me vlera të dëshmuara !