• Today is: Sunday, November 24, 2024

“SHPËTIMTARËT” SI ROJE KROKODILASH..!

fakti
June18/ 2020

(“Dita e zisë flamurin e ul në gjysmë shtizë,ndërsa zija që një shpëtimtar i rremë i sjell popullit me dredhi, ul flamurin e tij në fund të shtizës”)

Nga Nijazi MUHAMEDI

Në do studime të fundit mbi dinamikat e brendshme politike në shtetet koloniale multietnike në vitet 60 janë marrë në shqyrtim të hollësishëm marifetet koloniale të nënshtrimit nga pikëpamja e antropologjisë politike dhe të psikologjisë sociale që kanë përdorur europianët për t’i dhënë jetëgjatësi pa telashe sundimit të tyre mbi popujt e kolonizuar përmes lojës me “shpëtimtarët” që ua shpiknin këta popujve të kolonizuar dhe ua kundërvinin shpëtimtarëve të vërtetë që i lindëte ndërgjegja dhe vullneti politik i atyre popujve, dhe një i vetëm dhe i madh ka qenë, e pranojnë tash ata, vetëm Mandela.
Kjo loja etikisht e pështirshme me “shpëtimtarë” e europianëve që ka funksionuar, dhe tash funksionon poashtu, po pak ma ndryshe(si në rastin mes SHQIPTARËVE NË MAQEDONI) , si lojë e menaxhuar e tyre mes të nënshtruarve, duke e strukturuar jetën politike si rivalitete të rreme mes “pozitës” dhe “opozitës” së tyre që ua stisin rrejshëm, dhe që të dyja bëjnë lojën e kolonizatorëve, ngase i vënë! “në pajtim!” të parin e “pozitës” me të parin e “opozitës” përmes privilegjeve që ua bëjnë dhe duke zgjedhur më tepër “opozitarin” me aftësi mashtruese se sa “pozitarin” me pafytyrësi nënshtrimi,po për “opozitarin” e vendeve anës deteve, mashtrimi i mësuar ka qenë për të gjithë njësoj: të mashtrojnë “popullin opozitar” se kërcënohen nga krokodilat dhe i pari i opozitës e ka mbajtur “të zgjuar” popullin me shkopinj që të ruajnë krokodilat të mos dalin në stere, ndersa europianët ngarkonin pa telashe kundërshtimi anijet me ar për në Europë. Tek kur shihnin se i pari i “pozitës negre” bën ndonjë përpjekje rebelimi, për të zhvatur ndonjë hise më të madhe ari prej “marrëveshjes për bashkëpushtet”, europianët atëherë “rojen e krokodilave” në “opozitë” e bënin “pozitë”, kurse të parin e “pozitës” e bënin “opozitë krokodilash”, dhe punët e sundimit të gjatë ishin siguruar. Gjithë këto strategji nënshtrimi tash përfshihen nën terminologjinë që është bërë e njohur si “PEDAGOGJI E NËNSHTRIMIT”.
Sociologët dhe studjuesit e antropologjisë politike në Afrikën e Jugut tashmë kanë bërë antologjinë e “pedagogjisë së nënshtrimit kolonial” përmes organizimit politik të kontrolluar të autoktonëve, organizim që ka prodhuar e riprodhuar ndërgjegjen nënshtruese të tyre me decenie dhe ky mekanizëm ua ka bërë shumë të lehtë dominimin kolonizatorëve.
Formula e nënshtrimit më efikase,e cila kolonizatorëve u ka sjellë rehati dominimi dhe dëfrime politike, në të gjitha rastet, del ajo e ndarjes politike mashtruese të autoktonëve në dy taborre, si një të keqe të ndarë më dysh-në gjoja pozitë, kryepjesa e së keqes dhe në gjoja opozitë, si pjesa më e keqe e kryepjesës së keqe. Këtë të keqe të ndarë më dysh ia kanë lënë ta menaxhojnë politikisht “liderët shpëtimtarë”, që njërin e mistifikonin si shpëtimtar që “i zgjoi” i pari, tjetrin e mistifikonin si “shpëtimtar” që do rrëzojë shpëtimtarin “e zgjimit” dhe merrte nofkën “shpëtimtar i shpresës”. Që të dy “shpëtimtarët”, duke simuluar një kacafytje të egër rivale të projektuar nga kolonizatorët e ardhur në vend të tyre, mbijetonin me rehati të madhe me decenie në riciklimet e tyre të lojës pushtetore “pozitë-opozitë”, dhe përfitimi i lojës së tyre për shtypësit ishte përtej së paraparës nga anë e tyre, sepse gjithë loja e tyre politike, nl popullatën vendëse prodhonte e riprodhonte një ndergjegje social-politike të quajtur “ndërgjegje të moskalueshme” si një fazë që e forconte “gjoja pozita politike” e tyre, e cila mund të transformohej në “ndërgjegje gjysmë të moskalueshme” nga “gjoja opozita”, dy faza këto që vendësit i mbante në një nënshtrim të thellë dhe të pashpresë për përmbysje të situatës.. ” (R. Amandu, sociolog negroafrikan).

Fotografia e Nijazi Muhamedi