• Today is: Monday, November 25, 2024

Dënohet me 7 vite burg ish-kryeprokurorja speciale Katica Janeva

fakti
June18/ 2020

Shkup, 18 qershor/ Gazeta FAKTI – Gjykata Penale në Shkup shpalli fajtorë sot të akuzuarit në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski dhe ish prokuroren speciale Katica Janeva. Siç raportojnë mediat maqedonase, Jovanovski u dënua me 9 vite burg ndërsa Janeva u dënua me 7 vite burg. Gjykata e shpalli fajtor Bojan Jovanovskin për veprat e kryera penale “marrje të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm” dhe për “larje parash”, ndërsa Katica Janeva për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”. Ish prokurorja Janeva nuk ishte e pranishme gjatë seancës ku u dha dënimi, pasi kishte dorëzuar shkresën se nuk mund të merrte pjesë për arsye familjare. Në përshkrimin e aktit të aktakuzës të ngritur nga Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thuhej se i akuzuari Jovanovski, ka ndikuar tek e akuzuara Janeva, që ajo të sjellë masa më të buta kundër një biznesmeni, i akuzuar në hetimin “Perandoria”, nisur nga ish-Prokuroria Speciale Publike. Janeva dhe Jovanovski para gjykatës i kanë mohuar akuzat dhe theksuan se nuk e kanë kryer veprën. Gjykimi për rastin “Zhvatja” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte për tre persona. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin dhe u dënua me 3 vite burg.