Meditim fundjave (në mërgim)
“Unë, nuk e kam fare problem që të tregoj se këtë vit i bëj 35 vjet por e kam problem se si të tregoj që prej dy dekadash, hajnat i kam në shtet (në pushtet!”. Ndërkaq, Nënës së heroit Fehmi Lladrofci, (e cila sapo kaloi në amshim), ajo vajza i bëri edhe këtë lutje tronditëse: “Të lutem Nënë, mos u trego Gjevës e Femiut asgjë për gjendjen e mjerushme në Kosovë! Në qoftë se të pysin se si është Shqipëria, mos u trego që atë po e gërryn tradhëtia, se do të mërziten shumë”!
Janë këto fjalët e një vajzë të re (I. D.), që është lindur e rritur jashtë Atdheut
Nga Gani BYTYÇI/ Cyrih
Mandati i pushtetarit në një vend është i përkohshëm. Ai mund të jetë i gjatë, i shkurtër apo krejt i shkurtër. Ndaj ai (pushtetari) asnjëherë nuk duhet të ndërmarrë veprime me pasaoja të dëmshme e të pariparueshme historikisht për vendin dhe kombin e tij. Pushtetari e ka detyrim të veprojë në raport me interesin historik të atdheut e të kombit. Veprimi i tij i kundërt është cenim e dëmtim i rëndë dhe i pandreqshëm i të ardhmes së kombit. Është cenim i ardhmerisë së brezave. Ajo është tradhëti kombëtare! Aktualiteti Ka kohë që në debatet publike në Kosovë (edhe në Shqipëri) shtrohen tema aq të dhembshme , dhe për to flitet në mënyrë aq të papërgjegjshme për vendin, për atdheun për kombin. Në tryezast e këtyre debateve flitet e debatohet se do të ndodhë, apo nuk do të ndodhë kjo apo ajo, ky apo ai kompromis (nënkupto dështim, cënimi, ndarje, prerje, tkurrje…e Atdheut). Pastaj flitet (sikur kjo nuk mjafton dhe sikur ky vend nuk është prerë e copëtuar sa duhet gjatë gjithë hsitorisë së tij tragjike), flitet për ekstraterritore. Kjo do të thotë edhe nga ky territor i mbetur (ky atdhe xhuxh), madje nga bredia (nga zemra) e tij, do të nxirren pjesë dhe do të shpallen territore të jashtme! Pastaj, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kërcënim i përhershëm i stabilitetit dhe sovraniteit të vendit.
Përkujtesë Atdheu, kombi, interesi i tij, mbrojtja e sovranitetit, mbrojtja e të drejtës dhe lirisë së tij, (në çdo shtet) janë preokupim intelektual e kombëtar, historik, shkencor e akademik. Ato nuk janë (vetëm) preokupim politik e partiak. Kjo edhe duhet të jetë udhëheqja mendore, morale, historike e politike e pushtetarëve. A thua e dinë këtë gjë njerëzit tanë të politikës? Ndërkaq, fqinjët tanë, ata që historikisht na kanë luftuar e gjymtuar e që as sot nuk po rreshtin të na gjuymtojnë, edhe në projektet e tyre më të errta, janë udhëhequr nga memorandume të dala nga akademitë e tyre të shkencave. Pushteti i tyre edhe sot udhëhiqet nga ide të dala nga këto memorandume. A njihet dorëheqja si akt moral nga njerëzit e pushtetit (tek ne)?
Një nga figurat më eminente të politikës franceze, Jan Pierre Chevenment, dy here ka dhënë dorëhqje nga posti (të dyja herat) i Ministrit të Mbrojtjes). Kur Iraku pati hyrë në Kuvajt, Amerika bëri aleancë me qeverinë franceze për ta sulmuar Irakun. Ministri i Mbrojtjes, në mesnatë dha dorëheqje. Shumë vjet më vonë, kur Amerika bashkë me aleatët vendosi të sulmonte Irakun brenda territorit të tij, z. Chevenment sërish ishte Ministër i Mbrojtjes. Ai, për të dytën here, jep dorëheqje. Këtë, Ministri e bëri si akt moral në shenjë mospajtimi. Njerëzit me moral të lartë, edhe si pushtetarë, mbetën të tillë. Të tillëve mund tu besohet!
Ndërkaq njerëzve tanë të politikës, u është bërë mendja tupan, mendojnë se janë më të diturit e ketij paneti dhe nuk përfillin as akademi e as mendim intelektual, historik, shkencor e akademik. Janë injorantë e të paditur. Kur u shtohet edhe mungesa e moralit atëherë dëmet nga veprimet e tyre janë të pariparueshme për vendin. Shtrohet pyetja ku është mendimi dhe zëri i intelektualëve, i shkrimtarëve, i shkenctarëve, i historianëve, i atdhetarëve?! Mashtimi publik dhe imoraliteti politik Atdheu ynë është në pikën më kritike të krizës politike e sociale (edhe morale). Flasim për Bashkimin Kombëtar por me çdo veprim e forcojmë dhe e legjitimojmë ndarjen. Mashtrohemi se do të integrohemi e bashkohemi me të tjerë duke pranuar që të qëndrojmë të ndarë mes nesh. Tkurremi e tkurremi përbrenda trupit (tokës) tonë, duke lejuar që të na priten gjymtyrë e të gjymtohemi pambarimisht. Pajtohemi me pushtetarët që janë kthyer në tregtarë të interesit të atdheut (edhe të territorit). Partiotizmin e vërtetë e kemi kthyer në sllogan e mashtrim politik dhe e kemi lënë vetëm në këngët folklorike. Pushtetarët tanë, gënjejnë, mashtrojnë, shajnë, shpifin, bëjnë intriga , përvetësojnë, dëmtojnë, shkatërrojnë po dorëheqjen, si akt moral, nuk e njohin kurrë! Quo vadis Atdhe?!
Një vajzë e re (I. D.), që është lindur e rritur jashtë Atdheut, me një vetëdije e ndjenjë atdhetare kristalore, pavarësisht që kurrnë nuk ka jetuar në Atdhe, ajo atij ia njeh frymëmarrjen, ia ndjen dhembjen, gjëmën e rënkimin, ndaj dhe deklaron këtë frazë gjithë shqetësim:
“Unë, nuk e kam fare problem që të tregoj se këtë vit i bëj 35 vjet por e kam problem se si të tregoj që prej dy dekadash, hajnat i kam në shtet (në pushtet!”. Ndërkaq, Nënës së heroit Fehmi Lladrofci, (e cila sapo kaloi në amshim), ajo vajza i bëri edhe këtë lutje tronditëse: “Të lutem Nënë, mos u trego Gjevës e Femiut asgjë për gjendjen e mjerushme në Kosovë! Në qoftë se të pysin se si është Shqipëria, mos u trego që atë po e gërryn tradhëtia, se do të mërziten shumë”!
NON COMENT!
16 qershor, 2020
Bani Bytyçi – Portreti i revoltuar, vaj në pëlhurë
Sejdi Kapllanaj -Portret, (akril)
Bernard Puget, skulpturë