• Today is: Sunday, November 24, 2024

E ARDHMJA IU TAKON VETËM ATYRE QË ARRIJNË TA VRASIN TREMBJEN

fakti
June16/ 2020

Një popull është i lirë vetëm atëherë ku në themelet e ngrehinës kombëtare e shtetërore mbjell farën e sakrificës sublime

 

Nga Emin AZEMI

 

Zona e Karadakut ka qenë një tokë e sertë që asnjëherë nuk e ka mbajtë faren e keqe, por gjithmonë ka kultivuar lisa të gjatë që iu kanë përballuar furtunave të kohës. Janë ndërruar shumë pushtete e perandori, por Karadaku ka mbetë i palëkundur në përcaktimin  e drejt kombëtar.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjen Karadakun në një udhëkryq ku duhej të merreshin vendime të rëndësishme strategjike se nga duhej orientuar rezistenca kundër pushtuesve të rinj, të cilët kokardat e djeshme çetnike i kishin shndërruar në yllin pesërremësh partizan. Në emër të këtij ylli u dogjën e u maskruan mijëra shqiptarë, kurse të gjithë ata që kundërshtonin këtë çmenduri partizano-çetnike shpalleshin armiq dhe bashkëpunëtorë të fashizmit.
Lufta e ashtuquajtur Nacional Çlirimtare u tregua se nuk i përfshinte interesat e të gjitha kombeve, sidomos ato josllave,  kurse ideatorët dhe organizatorët e kësaj lufte në emër të luftimit të kolaboracionistëve e shtrinin ideologjinë e tyre pansllaviste ku komunizmin e përdornin  vetëm si perde tymi prapa së cilës fshihej zjarri i vendbanimeve të djegura shqiptare.

Rezistenca e Karadakut, vazhdimësi e frymës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Jemi në kohën kur pushtuesi nazifashist po largohej, konkretisht Bullgaria fashiste po kapitullonte  (1944) dhe pas tërheqjes së tyre, të mbështetura nga forcat gjermane të kohës,  shqiptarët e Karadakut organizohen në pajtim me vendimet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, gjithnjë në mbrojtje të kufijve etnikë. Mulla Idriz Gjilani ishte përgjegjësi kryesor i organizimit të kësaj mbrojtjeje në Kosovën Lindore, nisur nga Zona e Gollakut e deri në Shkup, përgjatë gjithë hekurudhës. Madje, vendosen edhe kryetarët e komunave, të cilët detyrë të parë kishin organizimin e kësaj mbrojtjeje. Në Zhegër, si vendbanimi më i madh i Grykës së Karadakut, kryetar komune emërohet Adem Stanqiçi.
Ky ishte edhe organizimi i parë më serioz i shqiptarëve që nuk rreshtoheshin mbi bazat e  ideologjisë komuniste, por mbi interesat e pastra kombëtare. Lufta e ashtuquajtur Nacional Çlirimtare kishte arritur t’i bënte për vete disa eksponent shqiptarë, të cilët mundoheshin që në popull të propagandojnë gjoja barazinë në mes të kombeve.  Por, nacionalistët shqiptarë konsideronin se kjo nuk ishte luftë që iu sillte atyre liri kombëtare, andaj zgjodhën një formë tjetër të rezistencës, duke organizuar aradha vullentarësh. Për lëtë arsye  më 26 nëntor 1944 u mbajt një takim te Livadhi i Shehut mbi Preshevë që njihet si Kuvendi i Krerëve të Karadakut. Ky Kuvend morën pjesë  Mulla Idriz Gjilani, Adem Stançiqi, Liman e Ali Sylë Staneci, Xheladin e Arif Kurbalia etj.

“Me kapitulimin e Bullgarisë fashiste më 9 shtator 1944, Presheva dhe Karadaku mbetën të lira.

Nënprefekti i Gjilanit Hamit Kroi, me direktivën e Qeverisë së Tiranës ftoi në mbledhje në Gjilan parinë e këtyre viseve që deri atëherë ishin në okupimin bullgar dhe disa kryetarë e sekretarë të komunave tjera të këtij rajoni. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm: Liman Staneci e Ali Staneci, të dy nga Staneci i Karadakut, Adem Stançiqi nga Stançiqi, prof. Ibrahim Kelemndi nga Presheva, Sylë Hotla nga Hotla e Kumanovës, Fazli Seferi nga Seferi i Karadakut, Hajriz Kajolli nga Gjylekara, Xhemë Rexhepi nga Mogilla e Vitisë, Hasan Kabashi nga Begunca, Ramiz Cërnica, kryetar komune në Partesh, Ramiz Begunca nga Begunca, Mustrafë Uka nga Lubishta. Në këtë mbledhje u vendos: Muharrem Fejza dhe Ismail Hoxha ta organizojnë pushtetin dhe administratën shqipe në komunën e rrethin e Kaçanikut, Liman Staneci, Ali Staneci dhe prof. Ibrahim Kelmendi ta organizojnë pushtetin dhe administratën shqipe në Preshevë”, shkruan Mehmet Dushku, në librin: Lëvizja nacionale demokratike shqiptare 1943-1965, f. 97.
Prandaj, jo rastësisht, fronti prej Miratocit e deri në Guri të Zi të Shkupit, nuk u thye asnjëherë nga forcat partizane ( komunisto – çetnike ), të cilët, vetëm pasi e morën Kaçanikun dhe Gjilanin, pas një dy javësh arritën ta marrin nën kontrollë edhe këtë pjesë, duke ndërhyrë prej pas shpine të kësaj brigadeje, e cila, iu jep urdhër vullnetarëve që të shpërndahen, e që ishte dhe apel i vetë Mulla Idrizit.

Prej fundit të shtatorit 1944 deri kah 25 nëntori 1944, kjo brigade ishte në frontin e mbrojtjes së këtij kufiri dhe, gjatë kësaj periudhe, me dhjeta herë i ka zbrapsur njësitë partizane përtej hekurudhe. Sidomos përmendet beteje a zhvilluar në fillim të nëntorit 1944 mes Miratocit e Llojanit  ku bëhet një rezistencë tepër e madhe dhe forcat partizane, ani se në numër shumëfish më të mëdha, po edhe në armatim e në përgatitje ushtarake, detyrohen të tërhiqen me humbje të mëdha. Duhet përmendur edhe luftimet në Runicë e  Bellanoc, ku kjo brigadë ka dalë faqebardhë.

Adem Stançiqi frymëzues dhe ideator 

Adem Stançiqi me rastin e sulmit të brigadave serbo-maqedone, gjithashtu organizon grupin e vullnetarëve nga fshati Stançiq dhe iu shkon në ndihmë kryengritësve shqiptarë  të rrethit të Preshevës. Gjate luftimeve heroike me bandat partizano-çetnike mes Ostrovices dhe Norçës kanë mbetur të vrarë në fushëbetejë edhe dy dëshmorë , njëri prej të cilëve ishte Destan Bajrami nga Toplana e Stançiqit.

Trungu Familjar i Destan Bajramit ka kultivuar brez pas brezi frymë kombëtare, dhe jo rastësisht edhe dy nipat e tij Destani dhe Kadriu, ishin pjesë e luftës së lavdishme  të UÇK edhe në Maqedoni.

Kujtesë e gdhendur në gurë | Iliria News Agency

Viset shqiptare, sikundër dihet, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin të pushtuara mbi bazën e interesave e ndikimeve nazifashiste. Por gjithmonë pas kapitullimit të këtyre shteteve krijohen edhe rrethana të reja në viset shqiptare. Kështu ndodhi edhe pas kapitullimit të Italisë, konkretisht “më 16-20 shtator 1943 në Prizren u formua Lidhja e II e Prizrenit, në të cilën do të përfaqësohen të gjitha viset e Vilajetit të Kosovës, edhe ato nën administrimin gjerman dhe bullgar. Në fund të shtatorit të vitit 1943, Komiteti i Lidhjes së II të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit e formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipërisë etnike në anën lindore të Kosovës. Në atë shtab u emëruan: Mulla Idrizi për komandant, i cili direkt i përgjigjet komandantit të regjimentit IV, kolonelit Fuad Dibra, kurse komandës së Mulla Idrisit i nënshtrohen udhëheqësit e njësive vullnetare:Sylë Shaban Zarbinca, Sadri Misini nga Shipashnica, Lam Hasan Shahiqi, Bajram Ahmet Tugjeci, Shyqyri Ballanca, Fazli Myrta-Seferi, Sylë Hotla (komandant i vullnetarëve të viseve të Kumanovës), Ajet Rainca, Qazim Zekbashi etj”, shkruan Muhamet Pirraku, në librin: “Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945”, Prishtinë, 1995, f.51.52 dhe 53.

Stançiqi, fole trimërie e bujarie

Ne sot me përulësi i kujtojmë këta njerëz që u bënë bashkë në frontin e mbrojtjes kombëtare. Ata nuk ishin vetëm në rrugëtimin e tyre, sepse patën bashkëveprimtarë edhe nga Kardaku, por nuk ishin edhe pa prijës- siç ishte edhe Adem Stançiqi.
Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat ata kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve. Prandaj, edhe sot kur po evokojmë këto ngjarje të lavdishme që Karadakun e përfshijn në hartën e madhe të heroizmit tone kolektiv si komb i lashtë, le të na shërbejnë si korrigjues i çdoditshëm i veprimeve tona, sepse vetëm duke qenë korrekt me ndërgjegjet tona, ne mund të jemi të dobishëm edhe për të tjerët. Fundja, këto janë edhe këshillat e  Adem Stançiqit, emri i të cilit ndodhet në kolonën e përjetshme të një tradite shembullore kombëtare që shkroi një copë histori për këto treva të shumëvuajtura, por asnjëherë të turpëruara.
Në shenjë nderimi dhe respekti ndaj kësaj fryme kombëtare që mbizotëroi në këto anë, më 16 nëntor 2019 u përuruar Memorialit i Lirisë, kushtuar dëshmorëve të fshatit Stançiq, në Karadakun e Gjilanit, disa prej të cilëve ishin edhe pjesëmarrës të Brigadës së vullnetarëve në mbrojtje të kufirit lindor. Ky është minimum që mund të bëjmë si brez për të nderuar kujtimin e të rënëve për liri dhe pavarësi,kurse brezat pas nesh do të na vlerësojnë  nëse ia kemi arritur t’i shndërrojmë në vepra konkrete gjithë sakrificën e këtyre njerëzve që ne sot po e risjellim në vëmendjen e kohës së tanishme.

Tek ky Memorial ndodhen disa gjenerata dëshmorësh e personalitetesh, që nga koha e nizamëve dhe mobilizimeve të dhunshme nën krajlitë serbe e ballkanike, deri te lufta e fundit e lavdishme e UÇK-së, të cilët në momente e rrethana të caktuara, me jetën e tyre thurën ëndrrën e shumë dëshiruar që ne sot i themi liri. Një popull është i lirë vetëm atëherë ku në themelet e ngrehinës kombëtare e shtetërore mbjell farën e sakrificës sublime.
I ndodhur në një pozicion mjaft strategjik, aty ku vargmalet e Karadakut ndajnë në mes kazanë e  Gjilanit dhe atë të  Kumanovës, vendlindja e këtyre dëshmorëve të lirisë, Stançiqi, që është edhe vendlindja e një pjese të madhe të neve që ndodhemi këtu, për dekada të tëra ishte shndërruar në fortesë mbrojtëse në pengimin e depërtimit të hordhive të huaja përmes kësaj gryke, e cila nga strategët e huaj kishte qenë synim i përhershëm për ta pushtuar.

Karadaku historikisht ka luajtur një rol vendimtar në refuzimin e pushteteve të huaja

Hapësira ku aktualisht është i shtrirë ky fshat,  me shekuj kishte shërbyer si zonë transiti për shumë drumtarë e ushtarë, për shumë korrierë e misionarë, por gjithmonë mbeti kala e pamposhtur falë rezistencës së vazhdueshme të banorëve të këtushëm. Në një pjesë të kësaj hapësire, atje pak më lart, ka qenë edhe një odë që ka pritur e përcjellur, miqë e jabanxhi, të ftuar e të paftuar, ka shtru sofra e ka lidhë plagë luftëtarësh, dhe të gjithë ne që sot jemi këtu do të donim ta rikthejmë lavdinë e asaj ode, por kjo sot është e pamundur. Ajo çka është lehtësisht e mundur, është kultivimi i traditave të mira  të mikpritjes dhe solidaritetit, të cilat fatkeqësisht kanë filluar të zbehen falë globalizmit dhe digjitalizimit, si dhe izmave të tjera. Por, për të mbetur njeri, mjafton të dhurosh më shumë dashuri e respekt për tjetrin.
Karadaku historikisht ka luajtur një rol vendimtar në refuzimin e pushteteve të huaja, kurse banorët e tij janë rritur me jehonën e thirrjeve për kushtrim. Jo pak banorë edhe nga fshati ynë iu përgjigjën këtij kushtrimi në momente e rrethana të caktuara, kurse disa prej tyre sot përjetësohen në gdhendje guri, duke injektuar te brezat e ardhshëm kulturën e mos-harrimit për sakrificat e së kaluarës dhe përpjekjet e parreshtura për progres të përgjithshëm dhe mirëkuptim të brendshëm kombëtar. Këta emra të lavdishëm që ne sot po i memorizojmë në formë graniti,  nuk kanë gojë për të folur, por ata na flasin me një gjuhë tjetër dhe ajo është porosia për bashkimin e të gjithëve rreth ideve që na shpijnë përpara. Është gjuha e solidaritetit në mes nesh, sepse vetëm duke qenë afër njeri tjetrit dhe duke iu dhënë përparësi vlerave  që ndodhen në mes nesh,  ne i japim kuptim sakrificës së këtyre njerëzve që sot na nderojnë me jehonën e mirë që ia kanë dhënë fshatit tonë edhe në përmasa më të gjera të hartës sonë etnike.
Lavdi këtyre burrave që na e lanë trashëgim dashurinë për vendin dhe njerëzit e këtij dheu.

Lavdi sakrificës së tyre për të kapërcyer male e detëra në arritjen  e cakut final, që sot quhet Republika e Kosovës, një shtet që në këtë pjesë të Ballkanit Juglindor është edhe foleja e shumë shpendëve të trembur dikur. Urojmë që gjithkund ku jetojnë shqiptarët, të ketë sa më pak arsye për t’u trembur, kurse e ardhmja iu takon vetëm atyre që arrijnë ta vrasin trembjen.
Lavdi!