Facebook, Google dhe Twitter duhet të publikojnë raporte të përmuajshme në lidhje me luftën kundër dezinformimit nëpërmjet lajmeve të rreme.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, tha se pandemia e COVID-19 është shoqëruar nga një masë lajmesh të rreme, teori komploti si dhe veprime nga aktorë të huaj me qëllim për të shtuar ndikimin e tyre në zonë, duke dëmtuar kështu BE-në dhe vendet anëtare.
Më e drejtpërdrejtë u tregua Vera Jourova, zv/presidentja e Komisionit Europian për Vlera dhe Transparencës.
“Aktorët e huaj që mund të përmendim hapur janë Rusia dhe Kina. Kemi mjaftueshëm prova për ta thënë hapur këtë”, tha ajo.
Për sa kohë që platformat janë i vetmi burim për këto të dhëna, Borrell u kërkon që të vërtetojnë se masat që kanë marrë po japin vërtet efekt.
“Ne dimë vetëm aq sa ç’na informojnë platformat”, shtoi Borrell. “Kaq nuk mjafton. Duhet të japin më shumë prova se masat që kanë marrë janë duke funksionuar mirë. Po ashtu, duhet t’i japin publikut mundësinë që t’i identifikojnë kërcënimet e reja në mënyrë të pavarur. I ftojmë të japin raporte të përmuajshme me më shumë informacion se më parë’, tha ai.
Jourova shtoi se aplikacioni Tiktok, nën pronësi të kompanisë kineze ByteDance, po i bashkohet në mënyrë vullnetare BE-së për të luftuar lajmet e rreme.