• Today is: Friday, March 29, 2024

PAS LIRISË, ÇKA ERDHI NË KOSOVË?!

fakti
June12/ 2020

Kosova e pasluftës, e stërngarkuar me muskuj komandantësh që harruan t’ua lëshojnë rendin atyre që dinë të qeverisin më mirë se ata, është rikthyer në një shkollë të keqe menaxhimi me asetet kombëtare, të cilat, në mungesë të sensit për nikoqirllëk shiten pa fije ngurrimi, duke i orientuar mbrapsht politikat makroekonomike në dëm të investimeve direkte vendore e të huaja dhe në shpërpjesëtim me nevojat dhe faktorët e brendshëm ekonomikë e social.

Nga Emin AZEMi, botues i gazetës FAKTI

 

Asnjë pengesë nuk ka qenë aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë.
Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqes që prodhon ajo luftë dhe nga komponentja gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur.
Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjerë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtarë për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.

Kosova e pasluftës, e stërngarkuar me muskuj komandantësh që harruan t’ua lëshojnë rendin atyre që dinë të qeverisin më mirë se ata, është rikthyer në një shkollë të keqe menaxhimi me asetet kombëtare, të cilat, në mungesë të sensit për nikoqirllëk shiten pa fije ngurrimi, duke i orientuar mbrapsht politikat makroekonomike në dëm të investimeve direkte vendore e të huaja dhe në shpërpjesëtim me nevojat dhe faktorët e brendshëm ekonomikë e social.

Politikanët në Prishtine (me përjashtime të vogla) vazhdojnë të bëjnë garën e muskujve dhe të byryten si tereqë, ndërkohë që qytetarët e tyre shkojnë ne Shkup për të gjetur shpëtim nga sëmundjet që lehtësisht do të mund të kuroheshin edhe në Kosovë. Kjo ka ndodhur, sepse në Kosovë për 20 vite, më shumë u punua si të pasurohet një tufë politikanësh të korruptuar bashkë me akrabatë e tyre, që vazhdojnë ende të uzurpojnë hapësirën politike me pretendime e ambicie të reja për pushtet.

Pas viteve të 90-ta, shumica e dërmuese e punëtorëve grekë, portugezë, italianë dhe spanjollë janë kthyer nga Franca, Gjermania, Zvicra, Austria, Belgjika në vendet e tyre pasi që ato përjetuan një zhvillim të hovshëm ekonomik. Të vetmit që nuk janë kthyer janë shqiptarët.

Askush sot nuk ka iluzione se ky trend i ikjeve mund të frenohet brenda natës. As ata që premtojnë mrekullira, që kryesisht janë politikanë, nuk iu besojnë fjalëve të tyre. Madje këta të fundit janë tërthorazi stimuluesit kryesor të ikjeve jashtë vendit, por në zgjedhjet e radhës ata sërish i ke në krye të vendit, sepse ata nuk shpërngulen askund. Ata kanë sigurua mirëqenie edhe për stërnipat e tyre.

Me këtë problematikë këtyre ditëve është marrë edhe studiuesi ynë i shquar në Londër Dr.Daut Dauti.
“Deri në fund të viteve të 80-ta, disa shtete evropiane, siç janë Zvicra, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë qenë plot me punëtorë grekë, portugezë, italianë dhe spanjollë. Këta punëtorë kanë shkuar në këto shtete në fillim të viteve të 60-ta kur kishin shkuar edhe shqiptarët nga ish Jugosllavia. Pas viteve të 90-ta, shumica e dërmuese e këtyre punëtorëve janë kthyer në vendet e tyre pasi që ato përjetuan një zhvillim të hovshëm ekonomik. Në këto situata, këta punëtorë u kthyen dhe kontribuuan edhe më tej në zhvillimin e shteteve të tyre të origjinës, të cilat përfituan edhe nga hyrja në Unionin Evropian. Pra, këta kishin ku dhe pse të ktheheshin.

Të vetmit që nuk janë kthyer janë shqiptarët. Në fakt, me shqiptarët vazhdimisht po ndodhë e kundërta: numri i tyre në këto shtete është në shtim e sipër. Kjo është për shkak se shqiptarët nuk kanë ku të kthehen. Shtetet e tyre nuk ofrojnë kushte për kthim, siç ishte rasti me Spanjën, Italinë, Greqinë dhe Portugalinë, dhe gjendja ka eskaluar edhe më tej në aspektin negativ”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, studiuesi Daut Dauti.

 

Fotografia e Emin Azemi