• Today is: Sunday, November 24, 2024

ME TANKUN E PARË NË KOSOVË

fakti
June11/ 2020

(10 qershor 1999, Hotel Aleksandar Palace, Ora 22, Shkup)

Nga Dijana Toska

Po pritja ardhjen e ambasadorit gjerman me një droje se çka kishte për të më kumtuar. Nga vendi ku isha ulur shihja çizme ushtarake të cilat hynin e dilnin pandërprerë në hotel. Në sallën e darkës dëgjoheshin gjuhët e botës. Lëvizje të shtuara të uniformave ushtarake të NATO-s kishin filluar të shtohen.
Duhet të festojmë, po fillojmë me nga një raki “zhollta” sepse jam i lumtur për ty dhe lajmin e bukur që dua ta kumtoj. U morr vendimi, forcat tokësore të NATO-s, pasnesër po hyn në Kosovë. Kosova po çlirohet…
Çka të them. Të isha në ndonjë mal do të piskëlloja më fortë se ato sirenat trishtuese të trenave që sillnin të gjallët e dëbuar nga shtëpitë e tyre. Të isha në shtëpi sigurisht do të më rridhnin lot gëzimi. Të raportoja dhe të njoftoja opinion shqiptar kudo që ishte në botë, se Kosova po çlirohet ishte përtej dëshirës time. Lajmi ishte ende top sekret.
Darkë lamtumirëse, pas 70 ditë bashkëpunimi në një mision ndërkombëtarë për të zbardhë të vërtetën e luftës në Kosovë. Shumë anketa nëpër kampet e refugjatëve, me pleq e të rinj, gra e fëmijë, për të ardhur deri te e vërteta e hidhur, që po e kërkonte Bashkësia Europiane, pas një pamfleti të shpërndarë nëpër Europë se shqiptarët po shkonin në Maqedoni, jo nga frika e makinerisë ushtarake serbe, por me qëllim që ta mbipopullojnë e ndajnë këtë shtet.
Raporti i punuar që u dërgua në BE, në mënyrë unanime dokumentonte të kundërtën e pamfletit të shpërndarë nëpër Europë nga një dorë e zezë e njohur për ndërkombëtarët. Mes përqindjesh shumë të larta të deklaratave të intervistuarve të të gjitha grupmoshave u konstatua se: do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, menjëherë edhe përkundër faktit nëse ato do të jenë të rrënuara, gjë që edhe u vërtetua menjëherë pas përfundimit të luftës. Mes tjerash në raport u përfshin dhe dy elemente tjera që ishin interesante për të huajt, besimi dhe atdhedashuria.
– Përqindje e madhe e refugjatëve akoma i besonin, Presidentit Rugova edhe pse kohë lufte.
– Përqindje tejet e madhe e moshës së mesme dhe të rinjve nuk kishin treguar interesim për të luftuar në Kosovë, gjë që u pa nga numri i tyre nëpër kampet e krijuara në Maqedoni.
Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën Presidenti i atëhershëm i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.
Përjetuam dhe bëmë histori, e provuam gjenocidin, çnjerëzimin, djegien e dëbimin e mbi 700 mijë qytetarëve. Lugina e Bllacës mbeti sinonimi i shpresës e vdekjes, ndërkohë që shpirti ngrohej sadopak nga bombardimet e caqeve serbe në Kosovë e Serbi nga Aleanca Veri Atlantike dhe humaniteti e bujaria e mikpritjes nga familjet shqiptare në Shqipëri e Maqedoni.
I lumtur po ndjehej edhe Ambasadori pas një misioni të kryer me sukses, ndërkohë që Gjermania kryesonte me BE. Me krenari tregonte se si Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit.
Pas darke në hollin e hotelit takuam, Gjeneralin Majk Xhekson i cili po bisedonte me Edita Tahirin e Edi Shukriun. Atmosferë miqësore, relaksuese e përmbushur me dinjitet që vetëm fitorja dhe e drejta mund ta japin fuqinë e këtij shkëlqimi që po mbretëronte në ato momente historike për njerëzimin.
Edita, po tregonte që Gjenerali i kishte propozuar që me 12 qershor me tanke të hynin bashkërisht në Kosovë. Unë shpreha dëshirë që të jem në tankun e parë…
Ne tri bijat e Kosovës vazhduam festimin në një lokal tjetër ku këndohej shqip.
Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare me 37 mijë ushtarë nga 36 vende anëtare të NATO-s.

(Pjesë nga Libri“ Kosova në gazetarinë time”)