Dy ditë pas nënshkrimit të kapitullimit të Milosheviqit, në Kumanovë, “Apachet” e NATO-s fluturuan mbi qiellin e Kaçanikut. “ Forcat serbe ikën nga Kaçaniku më 11 qershor 1999, rreth orës 17:00”, rrëfen gazetari Ekrem Raka
Nga Agim Muhaxheri
Zbarkuan ulët kah Ura e Kashanit, drejt Gurit të Shpumë në Kaçanik.
NATO e gjeti Kaçanikun të lirë më 11 qershor 1999.
Miku e kolegu im, Ekrem Raka gjatë luftës qëndroi në Kaçanik. Derisa i cakërronim gotat në “Titanik”, të mërkurën (10 qershor), ai më rrëfen:
Forcat serbe e braktisën Kaçanikun më 11 qershor, rreth orës 17:00. Me një ushtar të UÇK-së kemi hyrë në qytet, pas tri ore. Stacioni i policisë i ngjante një gërmadhe… Te porta e këtij stacioni kam vërejtur arkat me pije, gjerat ushqimore… Kjo pamje fliste se ata kishin ikur me shpejtësi…
Arkat e pijeve i kam vërejtur edhe në shkallët e motelit “Kalaja”.
Nga porta e xhamisë së Koxha Sinan Pashes doli Sejda (Sejdi Zeneli i Bobit). Përshëndetem me të. Për një çast ai trembet… Shoqëruesi im i thotë: O Sejdë, mos u tutë… – UÇK-ja asht…
Më kujtohet ushtima e madhe, breshëria e plumbave, të shtënat në ajër nga armët e UÇK-së… I thoja vetes: Ruju, po të rrokë ndoj plumb qorr…, tregon Ekrem Raka, dikur gazetar i “Kohës ditore”.
Atë ditë, më 11 qershor, ushtari i UÇK-së Lul Tirolli – Krraba me bashkëluftëtarët e tij vendosin flamurin kuq e zi në kulmin e kullës tetëkatëshe.
P.S. Faksimili i fejtonit tim, i publikuar më 2004-ën në gazetën “Epoka e re”. Shkrimin e kam ilustruar me foton e kaçanikasit Burimit (Haxhiut) mbi tankun e NATO-s.