Por pavarësisht se poezisë i shtohen ditë për ditë armiq të rinj; pavarësisht se bota skematizohet në një inxhinieri imazhesh të gatshme me parafabrikate fjalësh; pavarësisht se gjuha i është nënshtruar një linje robëruese manifakture dhe se produktet e saj paraqesin konstrukte të montueshme e të çmontueshme lodrash virtuale, – diku, në një plasaritje të përditshmërisë sonë fizike, për një grimëkohë të beftë përshkon vetëtimë qiellin tonë mërzimadh ajo, poezia e vërtetë.
Nga Agron Tufa
(ese)
Si për të sfiduar të vërtetën e një vargu të Bertold Brehtit – Është kohë e keqe për lirikën, – poezia ka vazhduar të shkruhet edhe para, edhe pas poetit gjerman. Edhe në kasaphana të mëdha, edhe në paqen e plogët e vanitoze të shekujve të qetë. Madje kanë qenë pikërisht këto epoka me bollëk e mirëqenie që na janë shfaqur me një zemër më të ndjeshme e lotë, më të dhimbshme se gjyshet më sentimentale.
Por a është menjëmend, siç qe shprehur Brehti, “kohë e keqe për lirikën”? Nuk është vetëm imazhi dhe atmosfera e petaleve të brishta të lulekumbullave, të cilat e thellojnë raportin tëhuajësues në ajrin e nginjur me kutërbim të athët baruti; nuk është shkëlqimi i bajonetave, as i të shtënave të largëta të artilierisë dhe uturimës së kamionëve të luftës; pra, nuk janë vetëm këto peisazhe mortore që e bëjnë të pamundur kohën e lirikës, krejt ashtu siç e ndjente poeti gjerman. Bertold Brehti nuk kishte si t’i parashikonte kohërat tona, që e vrasin jo më pak lirikën. Sepse armiqtë e saj janë shtuar e shtohen dita-ditës në masën e topitjes së shqisave të qytetërimit tonë; në masën e parajsave përtace të konsumit; në masën e vdekjes së ndjenjave autentike të përvujtnisë dhe përgjegjësisë.
Armiqtë e poezisë shtohen përditë, e shpeshherë, brenda vetë “dashamirëve” të saj, të cilët me buzëqeshje recitojnë poezi, shkruajnë ndonjëherë vargje, botojnë dhe e ligjërojnë atë. Por që të gjithë, pas shpinës së saj, ngrenë dorën me kamën, si dora vdekjeprurëse e Brutit mbi Cezarin. Armiqtë e poezisë shtohen përditë dhe rreziku me të cilin përballet ajo bëhet përditë e më i vështirë, ashtu sikurse bëhet më e vështirë qëndresa e organizmit njerëzor përballë viruseve të reja. Poezisë nuk i duhet më të luftojë vetëm me armiqtë e saj të vjetër – shtetin, diktaturat, muzën e vënë në shërbim të ideologjive, burokracive dhe morgut të studiuesve e lektorëve nëpër universitete. Poezisë i duhet të përballojë mefshtësinë dhe përtacinë shpirtërore të ferrit komunikativ bashkëkohor. Poezisë i duhet të luftojë me informacionin dhe automatizimin e shpirtit njerëzor, me gjithë atë masë të trashë viskoze që izolon shqisat tona për ndjenjën e perspektivës dhe projektimit tonë në të Vërtetat e Epërme.
Poezisë i duhet të mbijetojë vetveten. Të shpikë format e mbijetesës së saj. Të gjejë aleatët e një gjaku me të. Të heshtë, të ruajë higjienën e saj, të ëndërrojë e strukur në zhguallin e saj më të thellë. Poezisë i duhet të jetë më e guximshme se vetë ndërgjegjja e flijimit. Poezia sot duhet të dëshmojë se nuk është dobësi, siç mendon turma e pamend. Nuk është çmenduri, siç beson turma e panerv. Nuk është humbje kohe, siç mendon turma e pakohë. Nuk është e padobishme dhe praktike, siç mendon turma grykëse dhe anonime.
Të gjithë poetët e njëmendët që i shërbejnë tempullit të vet, vetvetes në radhë të parë, përnaltësojnë atë ngrehinë të shenjtë që Hyu e krijoi prej balte dhe qielli, harmonizojnë idenë e Demiurgut mbi trupin dhe shpirtin njerëzor, unitetin e lashtë trup-e-shpirt. Përndryshe, ata neutralizojnë vërshimin dhe marrjen përpjetë të një zanafille mbi tjetrën.
Nga na vjen kjo bezdisje dhe kjo vrajë në shpirt ne, bashkëkohësve që jemi rritur me Homerin, Katulin, Danten, Pushkinin apo Montalen? Sepse motivi i të gjitha lëvizjeve dhe rraskapitjeve të përditshmërisë sonë përreth nesh ka një origjinë trupore.
Trupi është bërë idoli i ri, idhujtaria e re.
Poezisë i duhet të mbijetojë në një garë të pabarabartë realitetesh të ashpra e agresive. Rruga e saj duhet të kalojë në shmang, si rruga e oshënarit, jashtë kompromiseve dhe kompromentimeve.
Rruga e saj është sakrifica, askeza, karantina, që garanton pastërtinë e llojit.
Poezia duhet të shpëtojë zërin e vet, kordat e këtij zëri, instrumentet që e nxjerrin atë nga memecëria, thënë në një formë më të thjeshtë – gjuhën, e cila, para se të bëhet dallëndyshe e zezë që kapërcen ujërat e Stiksit për në Had (para se të shndërrohet thjesht një hije, një lëmsh i zi sa një grusht, një mellan terrinë që përhapet tejendanë), ajo duhet të vdesë më parë si gjuhë. Gjuha pra, vdes nga shterpësia dhe paaftësia e prodhimit të dy-tri imazheve që, të kombinuara me alkiminë e fjalës, përbëjnë qarkun elektrik të poezisë. Fjala i ka të gjitha zonat gjeologjike të shekujve që kaluan, apo, siç thotë Osip Mandelshtami, “të gjithë frymën e lashtë e të re të epokave”. Por fjala po shndërrohet në një bar fals të përtacisë sonë mendore dhe të plogështisë sonë shpirtërore. Fjala është e paaftë më të shenjojë diç menjëmend të vërtetë, që të na rrënqethë dhe të na trandë themelet e qenies sonë të dembelosur, të na shkundullojë qenien tonë me gjithë zinxhirin e shkaqeve dhe pasojave. Fjala s’ka ç’t’i thotë imagjinatës sonë të thatë. Ajo e ka humbur “petkun e saj mbretëror” dhe, duke mos bërë jetë origjinale e të papërsëritshme, i shëmbëllen veshjes së stisur ekzibicioniste të një lavireje. Fjalët nuk e ndryjnë më vullnetin pëlcitës dhe urinë për realitete të reja, të mistershme, por paraqesin urnën me hirin e një të vdekuri qyshkur. Fjala është e stërfryrë me realitete horizontale. E stërfryrë dhe e flluskët, ajo pëlcet, bën spektakël në sipërfaqe, duke shprazur gjithandej jetëra parazitare nomadësh, fise endacake bjerraditësish, fantazma ekzotike kuptimesh.
Poezia duhet të shpëtojë gjuhën dhe përmes saj, vetveten.
Sepse e vetmja mundësi shpëtimi e gjuhës është poezia. Jo format e vetëshprehjes naive e megallomane, jo nevojat sublimuese që e shpërdorojnë po njësoj fjalën dhe, aspak jo, vesi pervers i onanizmit populist a çikërrimtar me fjalën. Poezia njësoj vritet si nga keqkuptimi i pandërgjegjshëm me të, si nga keqkuptimet tragjike e të ndërgjegjshme.
Por pavarësisht se poezisë i shtohen ditë për ditë armiq të rinj; pavarësisht se bota skematizohet në një inxhinieri imazhesh të gatshme me parafabrikate fjalësh; pavarësisht se gjuha i është nënshtruar një linje robëruese manifakture dhe se produktet e saj paraqesin konstrukte të montueshme e të çmontueshme lodrash virtuale, – diku, në një plasaritje të përditshmërisë sonë fizike, për një grimëkohë të beftë përshkon vetëtimë qiellin tonë mërzimadh ajo, poezia e vërtetë. Saora, aq sa zgjat intervali i blicit të një fotoaparati, rishfaqet drita e shkrepjes së saj për të na kujtuar se çfarë kemi humbur, për të shkëputur në atë kohëshkrepje tërë “radiografinë” e shpirtit tonë të sëmurë. Edhe kaq mjafton për bindjen tonë, se gjithmonë poezia do të ketë mbrojtësit e saj, se muza e saj, që u ka mbijetuar ditëve të luftës, do të dijë të mbijetojë edhe në ditët vdekjeprurëse të paqes.
PS.
FALENDERIM PËR KONKURSIN E ESESË
Për 7 javë poeti Rudolf Marku publikoi në faqen e vet ese të zgjedhura për konkursin e shpallur në nderim të këtij zhanri letraro-meditativ, nisur nga një ese krahasuese mbi Naimin dhe Witman-in të Natasha Lakos. Theksoj se pjesëmarrja në respekt të këtij konkursi qe forca përfshirëse e zhanrit dhe përsiatjet mbi tematika të poezisë. Poeti Bardhyl Londo në cilësinë e kryetarit të jurisë shpalli fituese esenë time “Mbijetesa e poezisë”, të cilën do ta gjeni më poshtë.
Sinqerisht për surprizën falenderoj nismëtarin e këtij konkursi, poetin Rudolf Marku që e nisi këtë kontribut dhe vendimin e jurisë, përfaqësuar nga Bardhyl Londo. Por falenderimin më të madh e kam për të gjithë autorët me esetë e tyre që i dhanë kuptim këtij konkursi. Vetë do të kisha zgjedhur midis eseve të Natasha Lakos dhe Rudolf Markut. (A.Tufa)