• Today is: Monday, November 25, 2024

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT – ETAPË E RE E SHTETNDËRTIMIT TË SHQIPTARËVE

fakti
June10/ 2020

Sot 142 vite u organizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një ngjarje kjo që ridimensionoi çështjen shqiptare në parametrat e një kombi modern që po kërkonte hisen e vet si gjithë popujt evropianë, në kërkim të mëvetësisë dhe lirisë politike e territoriale. Në procesin e gjatë e të vështirë të krijimit të Shtetit shqiptar, ky moment ka rëndësi të madhe, sepse ajo (Qeveria e Lidhjes) ishte qeveria e parë që formohej pas pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane  

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Kriza lindore u përshkallëzua dhe e arriti pikën e vlimit të saj me lutën ruso-turke të vitit 1878 dhe me Kongresin e Berlinit (1878). Perandoria Osmane në përballje me mësymjen ruse, në përpjekje për ta ndalur atë sa më larg portave të Stambollit, kishte bërë lëshime të mëdha në raport me interesat ruse në Ballkan, në dobi të interesave të sllavëve të jugut. (Marrëveshja e Shën Stefanit, 1878). Në përpjekje për ta korrigjuar këtë marrëveshje, e me këtë edhe për t’i vënë një gjedh depërtimit dhe daljes së Rusisë në ujërat e Adriatikut, ishte thirrur Kongresi i Berlinit (1878). Por, në raport me interesat shqiptare, vendimet e Kongresit të Berlinit nuk bënin farë korrigjimi esencial; ato po e sillnin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare përpara një situate të re, të krijuar nga rreziku i drejtpërdrejtë i aneksimit të tokave shqiptare nga fqinjët tanë (Serbia, Mali i Zi dhe Greqia).

Në këto rrethana, në Prizren u formua Lidhja Shqiptare e vitit 1878-1881, e cila shënoi fillimin e një etape të re më të lartë të Rilindjes Kombëtare.

Kësaj organizate i parapriu krijimi i dy komiteteve të veçanta të rezistencës  shqiptare: Komiteti i Shkodrës, që po merrte përsipër organizimin gjithëpopullor kundër depërtimit të ushtrisë malaziase në trojet shqiptare dhe Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit”.

Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin urgjent të kryengritjes së armatosur kundër-osmane dhe krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Por, meqë në njërën anë përpjekja për krijimin e një aleance shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështoi, e në anën tjetër forcat ruse po marshonin drejt Stambollit, Komiteti ishte detyruar ta rishikojë platformën e tij politike, meqë “shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundër- osmane në Shqipëri do të ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe, malaziase e greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte rast monarkive fqinje që ta sanksiononin me fitore ushtarake aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre”.

Kryetar i Komitetit të Stambollit u zgjodh Abdyl Frashëri, anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.

Para Komitetit të Stambollit, në këto rrethana, shtrohej detyra e hartimit të një programi të ri politik. Ai u përpunua në ditët e para të vitit 1878, që për dallim nga i pari, “përmbante ndryshime taktike, e jo strategjike”.

Në situatën e re ndërkombëtare, udhëheqësit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare kishin arsye politike të shpresonin se “me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare”((ASHSH, 2002:145), që do t’i shërbente organizimit të forcave të armatosura në shërbim të mbrojtjes së tërësisë tokësore shqiptare.

Ndërkaq, gjendja për shqiptarët do të rëndohej edhe më shumë një muaj pas nënshkrimit të armëpushimit të Edrenesë, kur do të pasojë nënshkrimi i Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) ndërmjet Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane.

Traktati i Shën Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt i të drejtës politike. Sipas Traktatit të Shën Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike.

Në këto rrethana të komplikuara ndërkombëtare, Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare e adaptoi një platformë të re politike, nëpërmjet së cilës e mobilizoi vendin për krijimin e një organizate të re aktive, vepruese kudo në katër vilajetet ekzistuese shqiptare.

Lidhja Shqiptare u formua në Prizren, më 10 qershor 1878, nga përfaqësues të shtresave të ndryshme, e që vinin nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Mbledhja themeluese e Lidhjes kishte marrë qëndrim që organizata të kishte karakter politiko-ushtarak, ndërkaq qendra drejtuese e saj do të ishte Prizreni.

Lidhja mori përsipër dy detyra të mëdha historike: luftën për ruajtjen e tërësisë së tokave shqiptare kundër copëtimit të tyre në dobi të monarkive shoviniste ballkanike dhe sigurimin e autonomisë së Shqipërisë, krijimin e një shteti të njësuar kombëtar shqiptar.

Përballë platformave politike të fqinjëve, që në themel kishin filozofinë shoviniste të ekspandimit, përmbushja  e detyrës  së parë nga Lidhja e Prizrenit ishte tepër  e vështirë. Sidoqoftë, vetë kërkesa për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet autonom dhe ajo për paprekshmërinë e tyre ishte treguesi më i mirë se te populli shqiptar tashmë ishte formësuar ndërgjegjja kombëtare dhe vetëdija se Shqipëria ishte tashmë një entitet i veçantë në kuadër të Perandorisë Osmane, ndërkaq faktori “territor kombëtar” ishte “kusht i domosdoshëm për zhvillimin e jetës ekonomike e politike të pavarur, si dhe një nga rrugët për t’ua prerë hovin përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë”.
Fotografia e Vjosa R. Osmani

Lidhja e kishte një koncept të qartë mbi përmasat dhe shtrirjen e këtij territori. Ky koncept ishte ngritur duke marrë parasysh faktorin etnik, faktorin historik dhe atë gjeografik. Ai shprehej qartë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës, në nëntor 1878. “Popullsia prej 2 000 000 njerëzish që ndodhen në sanxhakët e Shkodrës, Novi-Pazarit, Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Manastirit, Dibrës, Beratit, Gjirokastrës, Prevezës dhe Janinës, të njohura me emrin Shqipëri, e flet e gjitha të njëjtën gjuhë, duke qenë dy të tretat myslimanë dhe një e treta të krishterë”.

Procesi shtetformues nëpër të cilin po kalonin fqinjët serbë dhe grekë po zhvillohej pashmangshëm në dëm të shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore. Shih për këtë, duket se ishte e natyrshme, pra edhe e pritshme që Lëvizja Kombëtare Shqiptare të startonte pikërisht në Jug të vendit. Jugu, përveç faktit se ishte më i zhvilluar, ai kishte arritur të kishte në krye të lëvizjes një plejadë udhëheqësish që ishin politikisht më të vetëdijshëm për shembjen e pashmangshme të Turqisë. Platforma e Rilindjes se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e kishte fituar të drejtën e qytetarisë fillimisht në Jug, për të marrë shtrirje më pas edhe në Veri. Në këtë rrafsh, pjesa Verilindore (Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoninë e sotme verilindore) ishin më konservatore. Por, në çastin e duhur ishte Veriu dhe Kosova, që hyri në veprim për realizimin e autonomisë. Kështu, rreth Lidhjes së Prizrenit u mblodhën të gjitha krahinat e Shqipërisë. Për shqiptarët, Lidhja nuk ishte thjesht një parti politike që ushtronte e përdorte fuqi, por më shumë një lëvizje e gjithë kombit…

Madje, realizimi faktik i autonomisë, pas rishikimit të platformës së Lidhjes në Kuvendin e Gjirokastrës (1880), me ç’rast iu dërgua një ultimatum Stambollit, nëpërmjet të cilit paralajmërohej Porta se shqiptarët do ta shpallnin vetë autonominë, nëse Qeveria turke nuk do ta shqyrtonte pozicionin e saj ndaj kërkesave të Lidhjes, duket se u bë realitet i përfillshëm. Madje, këtë gjendje e konstatonte me dhimbje komandanti i forcave osmane në Shqipëri, Dervish Pasha, tek e alarmonte Portën e Lartë se, “autoriteteve qeveritare nuk u mbeti asnjë grimë ndikimi, kurse drejtimi i punëve u kaloi komiteteve të Lidhjes që e morën pushtetin në duart e veta”

Në këto rrethana, realizimi de fakto i autonomisë arriti shkallë të lartë me riorganizimin e Lidhjes Shqiptare, duke mënjanuar elementin konservativ, përkrahës të Portës, dhe me shndërrimin e Komitetit të Lidhjes në Qeveri të Përkohshme (Guvernë e Përdorme).

Me këtë akt, pra me krijimin e një organizimi shtetëror të plotë, (Lidhja tashmë i kishte komitetet e veta dhe e mori në dorë tërë administratën etj.), organet tjera drejtuese, Lidhja i kishte krijuar parakushtet që kjo strukturë shtetërore të konsiderohej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Shih për këtë, konstitucionalistë të njohur shqiptarë (prof. Luan Omari, prof. Aleks Luarasi etj.) me të drejtë konstatojnë se nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të shikohej nga prizmi i sotëm i teorisë juridike, ajo “mund të konsiderohet si ‘një organizim politik kombëtar’, si një etapë që pararend krijimin e shtetit të ri të kombit të shtypur”.

Por, shteti e nënkupton një organizatë politike, d.m.th. një tërësi organesh pushteti me një unitet të brendshëm në kuadër të një sistemi politik të caktuar. Ndërkaq, në praktikën ndërkombëtare, zakonisht krijimi i një shteti të ri paraprin momentin e krijimit të qeverisë së këtij shteti.  Ndërkaq, komitetet e Lidhjes, duke përfshirë edhe Komitetin  Drejtues, që u shndërrua në Qeveri të Përkohshme, nuk e përbënin ende një shtet. Ato mbetën deri në fund gjymtyrë të një organizimi politik, që nuk arriti të konstituohet si shtet, sepse u shtyp nga Porta e Lartë, me forcën e armëve. Megjithëkëtë, siç konstaton historiografia shqiptare, në procesin e gjatë e të vështirë të krijimit të Shtetit shqiptar, ky moment ka rëndësi të madhe, sepse ajo (Qeveria e Lidhjes) ishte qeveria e parë që formohej pas pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ndërkaq, qëndresa e mirëfilltë kombëtare, që e shpuri vendin drejt pavarësisë, nisi me krijimin e Komitetit të Manastirit për Çlirimin e Shqipërisë, më 1906. Austriakët panë në themelimin e këtij komiteti një zhvillim të mendimit kombëtar shqiptar.

(Shkëputje nga teza e doktoratës “F E D E R A T A  SH Q I P T A R E, Kohezioni i shtetit-komb në BE”, mbrojtur në Tiranë, 2016)

Lidhja e Prizrenit - Wikipedia