Shkup, 7 prill/Gazeta FAKTI – Rritja me pasoja fatale e pandemisë së virusit korona në Maqeedoninë e Veriu sot ka shënuar rritjen më të madhe deri më tani, me pesë viktima brenda 24 orëve, që e çojnë në 26 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.
Ministria e Shëndetësisë, bën të ditur se viktimat janë dy nga Kumanova, të moshës 52 dhe 53 vjeç, një 65-vjeçar nga Llabunishta e Strugës, një grua e moshës 62 vjeçe nga Tetova dhe një tjetër e moshës 82 vjeçe nga qyteti i Shtipit.
Sa u përket të të infektuarve, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja: në Shkup 15, në Kumanovë 7, në Prilep 1, në Strugë 3 dhe në Koçan 3.
Numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 599.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se beson se sistemi shëndetësor i vendit do të arrijë të përballojë gjendjen me pandeminë, duke theksuar se shëndetësia dhe punonjësit shëndetësorë mbeten shtyllat kryesore në vend.
“E di që për momentin ju po mbani një ngarkesë të madhe. Lodhja po na arrin ngadalë të gjithëve, ndërsa na presin ditë akoma më të vështira përpara. Por, unë besoj se secili prej jush e di se sa e rëndësishme është të vazhdosh, të qëndrosh i përkushtuar, të përqendrohemi dhe të bëjmë çmos për të ndihmuar bashkëqytetarët tanë”, tha Filipçe, në një mesazh dërguar personelit shëndetësor, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë.