Doli në shesh intriga shtetëtore. Presidenti me dizgjinë të gjatë shkeli Kushtetutën. “Saltomortale” e tij – imazh i keq për shtetin. Qeverinë Hoti, me këmbë të qelqta e votoi personi i dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Kjo është njësoj sikur ta kishte votuar pazaraku i Bit Pazarit. Për një votë më tepër të akuzuarit i shkon koka, pushkatohet. Pehlivanja e politikës, juristja Vjosa ia lë kile bandës… Drejtësia, sikundër demokracia është matematikë, procedurë. Nuk i ke numrat e humb të drejtën, i fshinë duart për murrizi. A do t’i jep (Kushtetuesja) karton të kuq Qeverisë Hoti ? Jo, kurrë ! Ajo vetë është bërë për karton të kuq !
Nga Agim Muhaxheri
Bëhet Qeveria Hoti me këmbë të qelqta, qeveria koti, antikushtetuese.
E votuan në Kuvend 61 deputetë, 24 ishin kundër, njëri abstenoi. Njëri nga ata që e votoi ishte Etem Arifi, i dënuar me më tepër se një vit burg efektiv, sipas aktgjykimit të formës së prerë.
Neni 70 i Kushtetutës flet për mandatin e deputetit. Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për veprën penale me një ose më shumë vjet burgim.
Ngulen deputetët. Iu doli dardhë me bisht.
Gërdhaja ju mbeti në fyt…
Deputetët e gëlltitën “deputetin” pa e vrarë mendjen se me këtë veprim kishin shkelur procedurën. Kjo është e njejtë sikur qeverinë ta votonte pazaraku i Bit Pazarit…
Ditën kur u votua qeveria, më 3 qershor, në sallën e Kuvendit nuk ishin të pranishëm kryekuvendarja Vjosa Osmani, as nënkryetarja Arbërie Nagavci.
Juristja, profesoresha e drejtësisë dr. Vjosa Osmani, ia lë kile bandës. I bëri të flasin me vetëveten.
Drejtësia është matematikë, procedurë…
Procedurë është edhe demokracia. Nuk i ke numrat e humb të drejtën, i fshinë duart për murrizi.
Kur është fjala për akgjykimet e gabuara, në procedurën penale, një votë tepër e anëtarit të trupit gjykues, të akuzuarit i shkon koka – pushkatohet.
Shkelje tjetër e Kushtetutës, në kontekst të Qeverisë Hoti, është intriga shtetërore, veprimi i “unifikuesit”, presidentit, i cili i bëri trysni deputetit të Nismës, Haxhi Shalës ta voton qeverinë e re.
Ai vajti bashkë me liderin e AAK-së Ramush Haradinajn në konakun e Shalës – një orë pas mesnate.
Shala e konfirmoi llaf – muhabetin me ta.
“Saltomortale” e presidentit është imazh i keq për shtetin. Intriga e tij bëri bujë në studiot televizive.
Neni 91 i Kushtetutës është i qartë. Presidenti mund të shkarkohet nëse, ndër të tjera, ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës – dhese procedura për shkarkimin e tij inicohet nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit…
Gjykata Kushtetuese e gëlltiti dekret – virusin e presidentit, ia mbajtën anën këtij.
Kuvendi ra në grackë, shkeli procedurën, formoi qeverinë e paligjshme.
Kushtetuesja e pati rrëzuar presidentin Behgjet Pacollin mu për shkak të shkeljeve të procedurës në Kuvend, më 22 shkurt 2011.
Kushtetuesja e rrëzoi Pacollin…
A do ti jep karton të kuq Qeverisë Hoti ?
Jo, kurrë !
Ajo vetë është bërë për karton të kuq !
P.S. Faksimilja e dispozitës kushtetuese, nenit 70 sipas së cilës deputetit i mbaron mandati…