Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që Marrëveshja paqësore e Ohrit po zbatohet, gjuha shqipe tani më është gjuhë zyrtare dhe shqiptarët tani më kanë më shumë se asnjëherë më parë, pozicione kyçe siç janë gjyqtarët në Gjykatën Supreme dhe Kushtetuese, ministra në ministri kyçe, Kryetar të Parlamenti dhe shumë të tjera.
Shkup, 7 qershor/ Gazeta FAKTI – BDI i fton partitë shqiptare dhe qytetarët që ta mbështesin kauzën “kryeministri i parë shqiptar”. në një komunikatë për media, kjo parti ka elaboruar arsyeshmërinë e idesë për kryeministër shqiptar.
“Megjithatë, për arsye të tendencave përjashtuese dhe refuzimit të barazisë, shqiptarët akoma përballen me vështirësi në vendet e tyre të punës, në jetën e përditshme dhe në ballafaqimin me një drejtësinë selektive.
Prandaj, kjo na nxiti që të marrim hapin e radhës, për të hequr edhe vështirësitë e fundit të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që të kemi barazi të plotë dhe qasje dhe përgjegjësi të barabartë në pushtet. Kjo është arsyeja se pse ne angazhohemi që të kemi Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Arritëm shumë në historinë tonë si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe gjithmonë kemi luftuar të bashkuar për qëllime të përbashkëta. Si gjatë luftës ashtu edhe gjatë krizës.
Tani, është koha për t’u bashkuar rreth qëllimit që është më i rëndësishëm se çdo parti, dhe më i rëndësishëm se çdo person. Së bashku, me votë të bashkuar të shqiptarëve, të secilit prej nesh, por edhe të të tjerëve, mund ta arrijmë edhe këtë.
BDl i fton të gjitha partitë shqiptare etnike dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që ta mbështesin këtë kauzë kombëtare për Kryetar shqiptar të Qeverisë.
Tani është koha që të gjithë së bashku ta shkruajmë historinë tonë, tani është koha të vazhdojmë drejtë barazisë së plotë. Por, gjithashtu është koha që të gjitha partitë shqiptare të marrin një qëndrim: a janë të gatshëm të rreshtohen në anën e duhur të proceseve për të ecur përpara dhe ta mbështesin iniciativën për Kryeministër shqiptar?
BDI i fton të gjitha partitë shqiptare që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative dhe së bashku të bien dakord për Kryeministrin e ardhshëm shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Me një Kryeministër shqiptar, për herë të parë në histori shqiptarët do të drejtojnë ekzekutivin dhe do ta marrin atë përgjegjësi. Për herë të parë, Kryeministri në mënyrë të barabartë do të jetë i të gjithë qytetarëve.
Kryeministër për barazi dhe unitet: për vende pune të barabarta, për paga të barabarta, për të drejta të barabarta dhe për drejtësi joselektive. Për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët në vend.
Një kohë të gjatë kjo ishte vetëm një ëndërr. Ndërsa kësaj radhe, ne këtë mund ta bëjmë realitet. Ashtu si i bëmë realitet edhe ëndrrat tona të mëhershme.
Për një të ardhme të sigurt, më të mirë për të gjithë ne, dhe për barazi të plotë. Tani është koha jonë. Së bashku, mund të shkruajmë histori duke e ndërtuar të ardhmen. Për ne shqiptarët, dhe për gjithë vendin.”, thuhet në komunikatën e BDl-së.
Bujar Osmani: Koha e monopolit etnik ka kaluar
Në një postim në Facebook, zv. kryeministri, Bujar Osmani, ka sqaruar idenë, duke propozuar shqiptarët që ta mbështesin.
“E drejta për të pasur mundësi të barabarta në vendin tonë të përbashkët është e pamohueshme – kjo përfshin edhe pozicionin e kryeministrit. Koha e monopolit etnik mbi këtë pozicion ka kaluar. Tani është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut – tani është koha për barazi të plotë. Shqiptarët po ndiejnë vrullin dhe po mobilizohen rreth kësaj ideje, e cila është më e madhe se çdo parti apo person. Së bashku do ta bëjmë – e ftojmë çdo shqiptar të jetë pjesë e këtij momenti historik”, ka shkruar Osmani.
Urim Saliu: Kryeministri shqiptar u djeg deri në palcë maqedonasve
Gazetari Urim Saliu ka thënë se ideja e një kryeministri shqiptar duhet të unifikojë spektrin politik shqiptar sepse kjo duhet të jetë si një ide mbipartiake që nuk i dëmton shqiptarët por e trazon politikën maqedonase që po mbajnë prej kohësh institucionet më të rëndësishme të shtetit.
Saliu tha se ideja e një kryeministri shqiptarë duhet të unifikojë spektrin politik shqiptar për shumë arsye. Për të kërkuar shqiptarët më shumë të drejta në këtë vend ,atëherë gjëja më parësore është ti shënjestrojnë institucionet e rëndësishme të shtetit.
Ti s’mund ti kontrollosh institucionet kur ke gjthnjë një tjetër mbi krye.
Fakti që kjo ide trazoi maqedonasit duke filluar prej te Zaevi e deri tek ata të vdekurit vetëm e vetëm mos ketë një kryeministër shqiptar ,tregon kapjen e shtetit dhe institucioneve nga pala maqedonase që duan shqiptarët ti trajtojnë si dytësorë ndërsa vetë të jenë padronët e shtetit.
Shqiptarët nuk mund të jenë përgjithmonë të përulurit .Të jenë ata që fitojnë legjitimitetin tek shqiptarët dhe më pas vetëm të ndajnë pushtetin me palën tjetër për ca poste dytësore.Kryeministri shqiptar u djeg deri në palcë maqedonasve prandaj partitë shqiptare duhet ta përkrahin një ide të tillë sepse BDI përgjithmonë nuk do jetë në pushtet por kryeministri mbetet .Edhe kryetari me ngjyrë në SHBA dukej i paaritshëm por ndodhi me ish Presidentin Obama . Ka disa gjëra që duhet të jenë mbi politike dhe të tejkalojnë inatet politike kur bëhet fjalë për gjëra në interesin e madh shqiptar.
Lek Dalipi:Pse gjithmone flet ai sharraxhiu i zbehtë i Beogradit brenda nesh?
Rreth debatit për kryeministër shqiptar, është inkuadruar edhe Lek Dalipi për të cilin tashmë koha e sharraxhiut ka kaluar ndërsa ai përkrah idenë e një kryeministri shqiptarë, i pari në Maqedoninë e Veriut dhe sipas tij koha tashmë për një të tillë është tani.
“Në morinë e komenteve negative kjo sot ishte një freskim i mirë. Pse jemi gjithmonë të paraprirë për anën e errtë? Pse gjithmonë mendojmë pak? Pse gjithmone flet ai sharraxhiu i zbehtë i Beogradit brenda nesh? Edhe sikur kjo ide të jetë e paarritshme, fakti që mendojmë BIG është i mirë. Kur ta marrish që historikisht kemi mendu SMALL. It’s time to change, with or without! I am for BIG things!” është shprehur Lek Dalipi.
Seladin XHEZAIRI: Ideja për kryeministër shqiptar – qëllim në shenjë!
Jo rastësisht, gjykoj, kreu i BDI-së, zgjodhi pesë qershorin, ditën e themelimit të kësaj partie, që të bëjë të ditur se në zgjedhjet e radhës integristët do të garojnë edhe me kandidat(e) për kryeministër të vendit: ‘Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri -tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkarisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkarisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!’. Jo një, po tri pikëçuditëse! Si për t’i paralajmëruar oponentët e vet se është i vetëdijshëm për reagimet që do të pasojnë e që, ç’është e vërteta, edhe nuk munguan!
Kështu, Lëvizja Besa (e cila ka lidhur një ‘besëlidhje’ me socialdemokratët e Zoran Zaevit) të premten pas dite doli me qëndrimin se nuk diskutohet ‘që shqiptarët në të ardhmen edhe mund të kenë kryeministër në Maqedoninë e Veriut… por ky me siguri nuk do të jetë nga radhët e BDI-së: ‘Idenë e hedhur nga kryetari i BDI-së për kryeministër shqiptar në këto rrethana kur veçmë kemi të caktuara listat e kandidatëve për deputetë si dhe proces zgjedhor të pauzuar, e llogarisim si populiste dhe vetëm për përfitime të pak poenave politike. Hedhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjanë arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë,’- thuhet ndër të tjera në reagimin e kreut të Besës, Bilall Kasami.
Alternativa e Afrim Gashit që ka lidhur krushqi parazgjedhore me Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës e pranon se angazhimi për Kryeministër shqiptar është ‘ide me dizajn të bukur’, por vlerëson se në esencë, për nga përmbajtja, është i zbrazët: ‘Sikur mos ta dimë se cila është historia e asaj partie, mbase edhe do të ishim ekzaltuar, por duke e ditur se ata ishin ata që më 2014 e shpikën idenë e “presidentit konsensual”, në mënyrë që Gjorge Ivanov të bëhej president, nuk na bën përshtypje as ideja e “kryeministrit shqiptar”. Na mbetet ta shohim se kujt do i shërbejnë kësaj radhe…’ – ka reaguar Alternativa.
Nga VMRO-DPMNE-ja deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim, kurse i pari i LSDM-së, Zaev, ka lënë të kuptohet se po qe se partia e tij fiton zgjedhjet, ai ka për t’i prirë ekzekutivit të ri dhe, konform kësaj, ‘nëse BDI ka një kusht të këtillë për koalicion për qeveri, atëherë BDI-ja nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme,’ – shkroi Zaev në dritaren e tij në FB.
Pavarësisht qëndrimeve të këtilla e që s’do mend se ditëve në vazhdim kanë për t’u shtuar, kujtoj se duhet vënë në kantar vlerësimet e paradokohshme të Vlado Buçkovskit, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i LSDM-së, për peshën e partisë së Ahmetit e cila ka dominuar për 18 vite skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni. Buçkovski në TV Telma u shpreh pa dorashka: ‘Shumëkush në bllokun maqedonas e nënçmon fuqinë e BDI-së dhe meritat që kanë BDI dhe Ahmeti për këtë që kemi sot. Kanë shumë mangësi, ama duhet të mbajmë mend se ishte një formacion ushtarak, paraushtarak që u transformua në parti politike dhe që vazhdimisht rreth këtyre dy pikave, rreth NATO-s dhe BE-së, është konstant: Kanë përmbysur ose jo Qeveri, por me Zaevin u tregua se bënë koalicionin qeverisës që mbërriti në cak. Kjo është meritë e tyre të cilën e çmon më shumë komuniteti ndërkombëtar sesa dikush tek ne, madje edhe tek LSDM-ja në pushtet!’ – ka vlerësuar Buçkovski. Dhe, të mos e zgjas: Për shumëçka mund të mos pajtohemi me Ali Ahmetin, ama ideja e Tij që BDI-ja në zgjedhjet e radhës të dalë edhe me kandidatin e vet për ‘Kryeministrin e parë shqiptar’ është – qëllim në shenjë! Mundet edhe të mos pajtohemi, ama angazhimi e dëshmon parimisht kauzën e lansuar po nga Ahmeti se edhe shqiptarët janë ‘dalzotës’ të këtij vendi! Së këndejmi, reagimet që vërshuan më duken tepër të vakëta dhe se ç’më kujtojnë atë të moçmen ‘për inat të s’ime vjehrë’…