• Today is: Monday, November 25, 2024

PAS HEQJES SË RECIPROCITETIT, KURTI: E PALIGJSHME DHE NË SHËRBIM TË SERBISË

fakti
June06/ 2020

Qeveria Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti sot në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Prishtinë, 6 qershor/Gazeta FAKTI –  Qeveria ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020, të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë, njofton Telegrafi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për heqjen e reciprotetit ndaj Serbisë.

Ish-kryeministri Albin Kurti, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për heqjen e masave të reciprocitetit karshi Serbisë.

Kurti ka shkruar në Facebook, se Kosova punon edhe gjatë ditëve të vikendit vetëm që t’ia heq reciprocitetin Serbisë, dhe kjo sipas tij është e paligjshme.

Siç shkruan Kurti, me vendimin e sotëm, Hoti ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë

Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës.

Në dokumentet e tyre e kanë shkruar: Republika e Kosovës. Pra, ata po e zbatonin reciprocitetin. Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë.

Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveçqë dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut.

Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”, ka shkruar Kurti.

Osmani: Ta quash reciprocitetin pengesë, mohim i sovranitetit

Ajo në një postim të saj në rrjetin social Facebook ka shkruar se ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë.

Sipas saj, të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.

“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Thaçi: Tani presioni ndërkombëtar duhet të bie mbi Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit me Serbinë.

Presidenti Thaçi në  një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se e mirëpret vendimin për heqjen e barrierave me Serbinë, për të cilat siç tha ai Serbia i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Tutje presidenti Thaçi ka shkruar se tani presioni ndërkombëtar duhet të bie mbi Serbinë.

“Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar presidenti I vendit, Hashim Thaçi, në Facebook.

Mustafa: Hap i guximshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë Hoti për shfuqizimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kreu i LDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria Hoti dëshmoi përkushtimin e saj për partneritet strategjik me SHBA dhe BE.

“Pritet që hapa të njëjtë të ndërmerr edhe Serbia; të tregojë se a është vërtetë e interesuar për dialog që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Vendimi i sotëm i Qeverisë Hoti për heqjen e të gjitha pengesave për dialog që qon në njohje reciproke ndermjet Kosovës dhe Serbisë, është vendim i guximshëm.

Qeveria Hoti dëshmoi përkushtimin e saj për partneritet strategjik me SHBA dhe BE.

Pritet që hapa të njëjtë të ndërmerr edhe Serbia; të tregojë se a është vërtetë e interesuar për dialog që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë.

Ndërkaq, të gjithë ne duhet të jemi unik dhe të përkrahim qeverinë që dialogu të jetë i suksesshem”, ka shkruar Mustafa.