Lajmi i trishtë në mëngjesin e ditës së sotme për humbjen tënde mik, më bëri të pafuqishëm të gjej fjalët e duhura për ta ngushëlluar vehten dhe të tjerët!
Jemi njohur që nga viti 2012, ndërkaq muzika yte më ka frymëzuar në vitet më të rënda të pushtimit të Kosovës dhe sfidave të gjeneratës sime. Ata që nuk të njihnin dhe kishin dëgjuar këngët “Nusja e maleve” “Ç’po i bjen era retë e zeza”, “Prite prite Azem Galicën” mbase mund të krijonin imazhin se je një njeri me fizik të fuqishëm si burrat e moçëm të maleve kreshnike por unë dhe të tjerë që patëm fat të të njohim e dinim se ti kishe pasuri: shpirtin e madh me qetësinë, thellësinë dhe dallgët e një deti.
Ti nuk shkruaje muzikë nga nevoja e momentit, por projektet i mendoje dhe i sillje në momentin e duhur.
Ti gjithnjë shkruaje dhe përshtasje këngët për karakterin e interpretuesit duke i menduar të gjitha specifikat vokale dhe të karakterit.
E them këtë me bindje miku im sepse pas shumë takimesh nga viti 2012, shumica e të cilave kalonte me biseda plot ide për projekte të reja, në vitin 2017 pata fat të kem një krijim tëndin në një jubile të madh, pikërisht në dekadën e shtetformimit të Kosovës. Me këngën “Gjaku i Kastriotit” kam ndjerë shpirtin e madh kombëtar dhe vulën krijuese shqiptare ku Kosovën me aq dashuri e quaje Lulja më e re në Ballkan. Ishe shumë krenar dhe i lumtur që ky projekt si këngë e videoklip pëlqehej dhe vlerësohej si himni më i ri i shtetit të Kosovës.
Ti, një jetë të tërë ia fale artit kombëtar dhe në këmbim nuk kërkove asnjëherë asgjë!
Jam i lumtur që notat tua tashmë janë pjesë edhe e repertorit të Ansamblit të këngëve e valleve shqipe në RMV, ku si drejtues kam pas kënaqësi ta vendos në programin për prezantimin e parë të ansamblit në Kosovë në 13 vjetorin e shtetit. Ky interpretim i këngës “Gjaku i Kastriotit” nga të gjithë solistët e ansamblit dhe inskenimi koreografik nga prof. Dilaver Kryeziu mbetet një prej realizimeve më të veçanta e madhështore që bën krenar çdo shqiptar.
Falemnderit mik për frymëzimin që na dhe!
Falemnderit mik për muzikën që na fale!
Falemnderit mik që na bëre krenarë me lartësimin e atdheut e kombit!
Ngushllime për familjen, miqtë dhe gjithë shqiptarët që u le veprat dhe krenarinë!
I lehtë të qoftë dheu i Dibrës sate që aq shumë e deshe!
Nuk do të them asnjëherë lamtumirë sepse bashkë me muzikën tënde do më shoqërosh gjatë gjithë jetës!
Përjetësisht përkulje e falemnderim për ty!
NË VEND TË LAMTUMIRËS!
Për mikun dhe autorin e këngës “Gjaku i Kastriotit” Përparim Tomçini
Nga Shkodran TOLAJ, drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoni