• Today is: Monday, May 6, 2024

POSTI I KRYEMINISTRIT SHQIPTAR – AHMETI E KËRKON, ZAEVI E KUNDËRSHTON

fakti
June05/ 2020

Propozimi i Ali Ahmetit për një kryeministër shqiptar në të ardhmen, nuk është pritur mirë nga partneri i deridjeshëm i tij, Zoran Zaev. Ky i fundit, madje ia ka treguar edhe disa kushte Ahmeti për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami nga ane e tij, ka thënë se kryeministri i ardshëm mund të jetë shqiptar, por jo nga radhët e BDI-së

Shkup, 5 qershor/Gazeta FAKTI – Në prag të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare që duhet të mbahen në Maqedoni, ka filluar ashpërsimi i debatit publik mbi të ardhmen politike të këtij vendi.
Ka qenë Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, ai që e ka hapur ‘Kutinë e Pandorës’ teksa ka hedhur idenë e një kryeministri shqiptar në të ardhmen.

Në 18 vjetorin e themelimit të partisë, përmes një statusi në Facebook, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka kërkuar që në këtë përvjetor të përcaktohet qëllimi i radhës për zgjedhjet që pasojnë, e që është Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!” ka shkruar Ahmeti, duket shtuar se BDI në çdo përvjetor përcakton synime ambicioze dhe me kohë, që edhe i realizon.

Zaevi ia tregon kushtet BDI-së për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme

I menjëhereshëm ka qenë reagimi i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili nuk e ka pranuar me komoditet këtë ide të partnerit të deridjeshëm – BDI-së.
“Nëse LSDM fiton zgjedhjet, unë jam kandidat për kryeministër i Qeverisë, dhe do të jem kryeministër i cili do të luftojë njëlloj për jetën e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, diçka që e dëshmova viteve të fundit. Nëse BDI ka kushte tjera për koalicionim në Qeveri, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme”, është përgjigja e Zaev ndaj Ahmetit.

Bilal Kasami: Kryeministri shqiptar nuk do të jetë nga rradhët e BDI-së

Në përpjeket për ta relativizuar këtë ide të Ali Ahmetit, ëashtë bashkaur edhe lideri i BESës, Bilal Kasami, i cili i ka ardhë në ndihmë partnerit të koalcionit, Zoran Zaevit.

Në një postim në Facebook, Kasami e ka quajtur populizëm propozimin e Ahmetit për kryeministër  shqiptar, duke shtuar se “edhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjan arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë”.

“Dështimet e 18 viteve qeverisje nuk mund të mbulohen duke lëshuar “një grusht miza” për kërkesa të cilat janë të definuara me ligj se si formohen qeveritë. Idenë e hedhur nga kryetari i BDI-së për kryeministër shqiptar në këto rrethana kur veç më kemi të caktuara listat e kandidatëve për deputet si dhe proces zgjedhor të pauzuar, e llogarisim si populliste dhe vetëm për përfitime të pak poenave politike. Hedhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjan arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë dhe para votuesve të vet të arsyetohet se “ja nuk na dhanë kryeministrin dhe ne duhet të dalim në opozitë”.

Që shqiptarët në të ardhmen edhe mund të kenë kryeministër në Maqedoninë e Veriut kjo nuk diskutohet, por ky me siguri nuk do të jetë nga rradhët e BDI-së derisa ata nuk po luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda tyre. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tashmë e një periudhë më të gjatë në shumicë më të madhe turpërohen të identifikohen me politikat dhe politikanët brenda BDI-së të cilët nëpërkëmbën gjithçka shqiptare gjatë 18 viteve qeverisje.

Dielli nuk mbulohet me shoshë, ashtu si dështimet e BDI-së nuk mund të mbulohen vetëm me hedhjen e një ideje për kryeministër shqiptar në konteksin kohor dhe momentumin politik që ndodhemi tash”, ka shkruar Kasami.

ASH: Ahmeti flet për kryeministër shqiptar, derisa bojkoton president shqiptar

 

Edhe partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët, është përfshirtë në debatin rreth idesë së BDI-së për kryeministër shqiptar. Në një komunikatë për media, kjo parti pasi që ka thënë se  Bashkimi Demokratik për Integrim sot shënon 18 vjetorin e dështimeve, premtimeve të parealizuara, skandaleve korruptive, gënjeshtrave dhe manipulimeve! 18 vite qeverisje, 18 vite shans për ta dëshmuar veten, por gjithçka u dëshmua ishin interesat personale dhe partiake për të cilat qytetarët e kanë kuptuar vet, dhe nuk qëndrojnë të heshtur më ka nënvizuar se “BDI nuk ka legjitimitet të flet as për nevojat e qytetarëve, e lëre më të flet për përfaqësim legjitim të vullnetit të popullit. Këtë legjitimitet ju e keni humbur me veprimet tuaja, sepse sot shqiptarët nuk kanë përfaqësim adekuat, nuk kanë trajtim të barabartë, nuk kanë ardhmëri e as cilësi për jetë sepse barku juaj i pangopur ende vazhdon të ngopet në kurriz të popullit!

Sikur Bashkimi Demokratik për Integrim të kishte përmbushur obligimin e tyre ndaj qytetarëve për gjithë premtimet e dhëna dhe sikur të ishte i sinqertë në idenë për qeverisje shqiptare dhe jo konsensuale, do ta kishe përkrahur kandidatin për president shqiptar në zgjedhjet presidenciale!

Por, ju vendosët për president konsensual sepse kjo përkrahje ishte vetëm një lojë politike e BDI-së në shkëmbim të interesave partiake me qëllim që të fitojë disa komuna më shumë në zgjedhjet lokale të cilat e dinte se i kishte të humbura.

Kur Ali Ahmeti pati shansin për të dëshmuar se vërtetë mbështet udhëheqjen shqiptare iku si frikacak nga 27 prilli pasi që ishte në dijeni për sulmet e mundshme të kuvendit, dhe ishte pikërisht Ziadin Sela ai qe ndali fjalët e tija që sillen si një kasetë e prishur! Ishte vota e Ziadin Selës e jo e Ali Ahmetit, ajo që bëri ndryshimin.

Qytetarët nuk harrojnë dhe dinë të bëjnë dallimin, sepse edhe pas 18 viteve ende merremi me probleme të njëjta. Sot ballafaqohemi me ikje masive të të rinjve të cilët janë bindur se me ju ardhmërinë e kanë të vjedhur, sot shqiptarët dënohen vetëm pse janë shqiptar, sot shqiptarëve vendin e punës ua zënë të tjerët!

Sot pas 18 viteve, 18 viteve, Ali Ahmeti është një udhëheqës i braktisur nga shumë pjesëtar të sinqertë dhe kredibil të ish UÇK-së! Sot shqiptarët të etur për ndryshim nuk manipulohen më, sepse e dinë se me ju çka thuhet asnjëherë nuk bëhet!, përfundon komunikata për shtyp e Aleancës për Shqiptarët.