• Today is: Sunday, November 24, 2024

PSE NUK I SHIKOJ MË EMISIONET ME DEBATE POLITIKE?

fakti
June04/ 2020

Debatet politike nuk informojnë, por e deformojnë opinionin publik. Pra, në shumicën e rasteve të ftuarit jo vetëm se nuk janë ekspertë, por janë edhe të papërgatitur, prandaj edhe përfundojnë duke u bërë subjekte të kryetitujve skandalozë nëpër portale për mënyrën si sillen dhe për gjërat që i thonë gjatë emisioneve.

Nga Mehdi SEJDIU

 

Nëse je rehatuar në dhomën tënde të ndenjës pas një tetë-orëshi të lodhshëm pune dhe dëshiron që me familjen në mbrëmje të shikosh televizionet kosovare, atëherë do të duhesh të përbish një program përplot me debate dhe intervista politike. Nuk do të gjesh ndonjë relaksim që të nevojitet pas rraskapitjes që e ndien nga dita e lodhshme e punës. Çka do të gjesh gati në secilin kanal televiziv janë njerëz të veshur me këmisha e kravata që akuzojnë njëri-tjetrin se cili është fajtor që ti si shikues e qytetar jeton në një vend të varfër midis një kaosi politik.RTK, Klan Kosova, T7, Dukagjini, KTV, RTV 21 — të gjitha këto televizione ofrojnë më shumë se shpesh debate televizive, pak a shumë të të njëjtit format: një intervistues, një apo disa të ftuar, eventualisht edhe ndonjë analist. Unë përvete nuk është që nuk pëlqej debatet dhe politikën, përkundrazi, kam marrë pjesë për shumë vite në gara kombëtare e ndërkombëtare të debatit, ndërsa shkencat politike edhe i kam studiuar. E mund ta them me gojën plot se këto emisione nuk përmbajnë as debat e as politikë të mirëfilltë.Në këtë shkrim do t’i rendis arsyet se përse nuk i shikoj, por edhe pse mendoj se janë të dëmshme debatet politike si këto që na shfaqen disa herë gjatë javës. Për këtë jam bazuar në emisionet kryesore të debateve politike kosovare: Pressing, Rubikon, Debat Plus, Info Magazine, Frontal, Click dhe Desku.

Shpeshtësia dhe kohëzgjatja

Këto debate transmetohen mesatarisht tri-katër herë në javë, kryesisht ditëve të punës në kohën e shikueshmërisë më të madhe, pra rreth orës 20, dhe zgjasin diku 90 minuta. Këto dy fakte në vetvete shpalosin problemet kyçe të këtyre emisioneve: ato ndodhin shumë shpesh dhe për një kohë të stërzgjatur.

Asnjëri nga televizionet  nuk ka kapacitete për të krijuar diçka cilësore kaq shpesh. Cili gazetar mund të përgatitet aq mirë saqë të bashkëbisedojë për tema tërësisht të ndryshme thuajse çdo ditë? Që ta bëjë këtë i duhet një ekip hulumtuesish që përgatisin gjithçka në prapaskenë, të cilët njohin fusha të ndryshme sociale, ekonomike, juridike e politike. Por kjo nuk ndodh — duket se moderatorët kanë vetëbesim të mjaftueshëm të flasin për çdo temë.

Krejt kjo sasi emisionesh vjen zakonisht në dëm të cilësisë; ato prodhojnë shumë orë bisedash, por ndodh ta shikosh një debat për dy orë dhe në fund nuk ke mësuar asgjë të re e informative dhe vetëm je irrituar e politizuar.

Mysafirët dhe temat

Të ftuarit rrallë janë ekspertë të fushës, dhe nuk ka thuajse fare llojllojshmëri. Shumica janë zyrtarë politikë, mendimet e të cilëve “riciklohen” prej emisionit në emision. Në shumë raste bile favorizohen persona që njihen nga publiku si figura kontraverse, vetëm për të krijuar bërtimë dhe konflikt. Për shembull, shpesh ftohen mysafirë si Dardan Molliqaj apo Milaim Zeka, të dy pa ndonjë përfshirje domethënëse në politikbërje duke qenë udhëheqës të partive politike me vetëm një deputet, respektivisht asnjë.

Ndërkaq temat zakonisht vijnë nga aktualiteti në vend, domethënë janë ditore. Politika ditore — edhe pse e ka rëndësinë e vet — ditën e nesërme bëhet e djeshme, e të pasnesërmen bëhet e pardjeshme. Prandaj edhe nëse i bojkoton të gjitha debatet për një javë apo një muaj, e vëren se shumëçka që është diskutuar tashmë është e kaluar dhe jo-relevante.

Konfrontimi në vend të argumentimit

Siç u përmend më herët, të ftuarit e njëjtë riciklohen në emisione, analistët e zyrtarët politikë thirren aq shpesh saqë kurrkush nuk ka me të vërtetë kohë për t’u përgaditur. Secili vjen me duar në xhepa për të folur për dy orë në televizion gjatë kohës së shikueshmërisë më të lartë.

Pra, në shumicën e rasteve të ftuarit jo vetëm se nuk janë ekspertë, por janë edhe të papërgatitur, prandaj edhe përfundojnë duke u bërë subjekte të kryetitujve skandalozë nëpër portale për mënyrën si sillen dhe për gjërat që i thonë gjatë emisioneve.

KËTO DEBATE JO RRALLË PËRMBAJNË MË
SHUMË  AKUZA SESA ARGUMENTE.

Vetëm në muajin prill ka pasur të ftuar që ka propozuar aministi për krimet serbe të luftës, një këshilltar që është shkarkuar për shkak të deklaratave të tij për UÇK-në, njerëz pa kurrfarë ekspertize që flasin për shëndetin mendor e bile edhe politizim të skajshëm të një vetëvrasjeje për të shënuar poena politike. Edhe vetë kriza e tanishme politike në Kosovë u ndez kur ish-Ministri i Brendshëm Agim Veliu u shkarkua për një deklaratë që e dha në një emision politik në mes të natës.Këso lloj deklaratash nxitëse janë fitimprurëse për mediat sepse ndikojnë në rritjen e shikueshmërisë; gazetarët që flasin qetë dhe panelistët që e respektojnë njëri-tjetrin nuk krijojnë kryetituj për portalet të nesërmen. Janë njerëzit që bërtasin dhe e akuzojnë njëri-tjetrin ata që i japin brum emisionit.Këto debate jo rrallë përmbajnë më shumë akuza sesa argumente. Madje një kohë të konsiderueshme folësit e çojnë duke u munduar ta marrin fjalën e duke ia ngritur zërin njëri-tjetrit — “lem ta përfundoj” është shprehje që dëgjohet vazhdimisht nga ta.

Për më shumë, nuk është se analistët ndërrohen në bazë të temës; thuajse gjithnjë mbesin të njëjtit që ftohen me rrotacion — të ashtuquajturit “gjithologë” që brenda javës flasin në cilësi të epidemiologëve, psikiatërve dhe ekonomistëve. Sado të dijshëm e të aftë të jenë, nuk ka se si të jenë aq të përgatitur sa për të folur nga dy orë në televizion për secilën temë. Ajo çka ndodh zakonisht është që secila nga temat trajtohet sipërfaqësisht e jo në thelb, pra edhe nëse  debati është i mirë, mbetet i cekët për nga përmbajtja.

Ku janë gratë?

Jo rrallë në këto emisione janë nga pesë persona, asnjëri prej tyre grua. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, një të tretën e deputeteve, një të tretën e e ministrave në qeveri, por në këto emisione janë shumë më pak të përfaqësuara. Nëse e marrim vetëm javën 18-22 maj 2020 si mostër të rëndomtë, del se pjesëmarrja e grave ka qenë thuajse e papërfillshme.

Tri nga pesë emisionet nuk patën asnjë grua të ftuar si folëse, ndërsa në dy emisionet që patën gra pjesëmarrëse, ato përbënin vetëm një çerek të të ftuarve. Edhe pse këto emisione mëtojnë ta mbajnë flamurin e progresizmit, seksizmi i përbrendësuar vërehet në numrin e vogël të të ftuarave gra dhe në faktin që gratë rrallëherë moderojnë këto emisione. Pra politika — për këto emisione — mbetet e burrave.

Si flitet gjuha shqipe

Në këto emsione shpërfaqet një element që tashmë është theksuar në mesin e shumë mediave shqiptare: përzierja e panevojshme e gjuhës shqipe me fjalë të huaja. Fjalë si “solucion”, “involvim”, “i satisfaksionuar”, e shumë të tjera përdoren vazhdimisht, edhe pse folësit me siguri që i dinë fjalët “zgjidhje”, “përfshirje” apo “i kënaqur”. Me gjasë përdorin fjalë të huaja duke u bazuar në  mendimin e gabuar se ashtu tingëllojnë më të sofistikuar.

Vetë emrat e këtyre emisioneve — Pressing, Info Magazine, Frontal, Click dhe Desku —  janë në gjuhën angleze edhe pse ato shfaqen në Kosovë dhe kanë shikues shqipfolës. Është për të të ardhur keq e mbi të gjitha brengosëse se si redaksitë e televizioneve vendore në vend se të jenë mbrojtëse të gjuhës shqipe, as emisioneve të tyre nuk ua lënë emrin në shqip.

Mungesa e verifikimit të të dhënave 

Fatkeqësisht, në shumë nga këto emisione thuhen edhe gjëra të pavërteta dhe këto nuk sfidohen nga pjesëmarrësit e tjerë. Ndodh që në prapaskenë nuk ka grup hulumtuesish që në kohë reale mund t’i verifikojnë të dhënat me saktësi, apo ka raste kur me qëllim nuk ka ndërhyrje prej moderatorit për ta qartësuar një deklaratë sepse ashtu rrezikon të shuhet debati, i cili duhet të vazhdojë edhe për një kohë në mënyrë që ta mbushë kohën. Për pasojë, shikuesi nuk informohet, por keqinformohet.

NJERËZIT NUK MERITOJNË TË
TEJPOLITIZOHEN,
SIDOMOS JO PAS NJË
DITE TË LODHSHME TË PUNËS.

Prandaj edhe gjysmën e kohës në këto debate shikuesi e kalon duke provuar të mësojë se kush nga mysafirët po rren e kush po e thotë të vërtetën.  Pra në vend se të informojnë, këto emisione e deformojnë opinionin publik, sepse nuk bazohen në fakte por në llafe, akuza, kundër-akuza dhe grindje. Nëse një shikues i mëson falsitetet themelore të logjikës atëherë mund të vërejë përplot falsitete që përsëriten në to gjatë gjithë kohës.***Normalisht që debatet politike duhet të ekzistojnë dhe politikbërësit duhet të sfidohen për vendimet dhe deklarimet e tyre. Por, transmetimi kaq i shpeshtë nuk lë vend për cilësi, ndërsa lë shumë vend për mediokritet. Numri i transmetimeve të këtyre emisioneve duhet të ulet, sidomos në orën 20 kur shikueshmëria është më e larta. Standardi duhet të rritet dhe t’u kërkohet të ftuarve dhe gazetarëve të jenë më të përgatitur.

Për një standard më të mirë kemi shembuj edhe brenda Kosovës — emisionet “Interaktiv” dhe “DPT me Fidan Jupollin” nuk shfaqen në orën 20, por shumë më vonë, si dhe te të dyjat vetëm një pjesë i kushtohet intervistës me të ftuarit. Gjithashtu, “Jeta në Kosovë” shfaqet vetëm një herë në javë, gjë që lë hapësirë kohore që të gjithë anëtarët e ekipit të përgatiten siç duhet.

Televizionet gjithashtu duhet të përpiqen ta promovojnë kulturën e të inkurajojnë emisione, dokumentare, filma, seriale e art vendor, e jo t’i ngulfatin shikuesit në kohën e shikueshmërisë më të madhe me politikë. Njerëzit kanë nevojë të shlirohen para televizionit, të qeshin, të mësojnë, të shikojnë diçka interesante; nuk meritojnë të tejpolitizohen, sidomos jo pas një dite të lodhshme të punës.

Përderisa nuk ndryshojnë skemat programore të televizioneve në Kosovë, nëse dikush dëshiron t’i shikojë ato në orën 20, shumicën e kohës i ka vetëm dy zgjedhje: debatet televizive apo serialet turke. Pra, i mbetet zgjedhja mes melodramës së politikës dhe asaj të serialit turk, por e dyta së paku është fiktive e ta ruan shëndetin mendor.

—–

Mehdi Sejdiu është hulumtues në Kosovë dhe Gjermani. Ai studion shkenca politike ne Universitetin e Heidelbergut