“O Njeri, katër gjëra janë të kota:
Ngrënia pas ngopjes;Ndezja e pishtarit natën me hënë;Mbjellja në tokën zallore, dhe Nderimi i atyre që nuk e meritojnë”! (Profeti Muhamed)
Nga Nijazi IDRIZI/ Prishtinë
Shteti i Kosovës po vazhdon të mbijetojë, pa politika dhe plane të qarta të pozicionimit Euro-Atlantik. Ai është zënë peng nga një robëri “e padukshme” e cila nuk po e lë të integrohet atje ku e ka të garantuar të ardhmen. Nën sundimin e oligarkëve,është përfshirë në kthetrat e projektit strategjik rus: “Ballkani në mes të Lindjes dhe Perëndimit”, i cili sot zbatohet vetëm në Serbi dhe Bosnjë (R. Serbska), derisa Maqedonia dhe Mali iZi shpëtuan për një qime floku, nga puqet. Zbatuesit e tij aktualisht janë presidentët: Aleksandar Vuqiç, Hashim Thaçi dhe Milorad Dodik. Këta të tre, për të mos u komprometuar, po e përdorin një fjalor mashtrues patriotik, që çon ujë në këtë drejtim.
Derisa Vuqiç dhe Dodik, kanë rol ta kontrollojnë afrimin e serbëve me Perëndimin, për shkak të mundësisë së reagimit tëtyre për largimin nga Rusia, Thaçi, në anën tjetër, ka rol ta kontrollojë largimine Kosovës nga Perëndimi, për shkak të frikës së reagimit të shqiptarëve dhe etnive tjera, për të cilat Perëndimi është alternativa e vetme.
Me këtë pozicionim, serbët (në emër të joshjes), po arrijnë të nxjerrin fitime nga të dyja anët, ndërsa Kosova po pëson vetëm humbje dhe goditje. Prandaj këto tri shtete janë kaq afër e “larg” Rusisë e kaq larg e “afër” Perëndimit! Për ta mbuluar këtë qëllim, udhëheqësit e tyre, kundërshtarët politik po i akuzojnë si antirus dhe antiamerikan. Për këtë sjellje në favor të këtij projekti, ka shumë fakte:
– Vuqiç po “ndihmohet” nga Rusia ta integroj Serbinë në BE, me qëllim që ta shtoj ndikimin e saj në politikat e BE. Por në të njëjtën kohë ai po i thellon marrëdhëniet vëllazërore me Rusinë, të cilat po promovohen si jetike.
Në anën tjetër, Thaçi, në emër të tifozllëkut dhe “dashurisë” për Amerikën, ka dal hapur kundër BE dhe po i ndanë qytetarët në antiamerikan dhe antieuropian. Ai madje, për ta larguar Kosovën edhe më shumë nga BE, e organizoi rrëzimin e qeverisë Kurti, e cila e filloi seriozisht luftimin e krimit dhe korrupsionit, për ta përmbushur kriterin e fundit, atë të liberalizimit të vizave.
– Varshmëria ekonomike e Kosovës nga Serbia (1/3 e importit), si dhe e Serbisë nga Rusia (energjetika, transporti), ka shkaktuar lidhje zinxhirore me këtë të fundit.
– Vuçiq me disa specialistë rus, në tetor të 2016, (nëpërmjet territorit të Kosovës (sic?!), e organizoi grushtshtetin në Mal të Zi, me të cilin donte ti arrinte tre qëllime: dështimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, themelimin e një shteti të përbashkët Serbi&Mal i ZI dhe realizimin e ëndrrës Ruso-Serbe të daljes në ”Detin e ngrohtë”.
Në këtë anë, oligarkët e Kosovës në emër të Amerikës, kinse për largimin e presionit serb për pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, i dhanë bakshish tokë,me çka e lanë të hapur konfliktin me shtetin e dëshmuar miqësor në luftën e fundit të Kosovës me Serbinë.
– Vuqiç (i porositur nga Rusia), po bënë me sy nga NATO, por ushtrinë po e pajis me armatim të sofistikuar rus dhe për trajnimin e saj po organizon manovra të përbashkëta. Grumbullimi i armëve atje, po shihet si rrezik i shpërthimit të një lufte të re në rajon. Kjo i ka nxitur fqinjët e kërcënuar të armatosen me nxitim.
Në Kosovë, oligarkët e kanë lënë anash sigurinë kombëtare dhe po bëjnë garë se kush është më meritor për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila aktualisht është pothuajse duarbosh.
– Në bisedimet maratonike Kosovë – Serbi, tandemi Thaçi&Vuçiq, po promovon idenë jodemokratike dhe johumane të ndarjes së njerëzimit në baza etnike. Tensionimi i veriut të Kosovës (me ekspedita spektakulare, mure në rrugë, trena pansllavist, varka “pikniku”, me personel mjekësor etnik nga Serbia), po promovohet ky qëllim. Kështu ata po e fusin djallin në Europë e tutje, ku ka pak shtete të pastra etnike.
– Dhe më e rënda, angazhimi i oligarkëve të këtyre shteteve për ta bartur filozofinë politike të krimit dhe korrupsionit shtetëror të Lindjes në Perëndim, përmes korruptimit të emisarëve dhe vendimmarrësve të tyre, nga të cilët po kërkojnë mirëkuptim për integrimin e shteteve të tyre,(pa përmbushur kriteret), për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme të formimit të këtyre popujve, të cilët besojnë se plaçkitja e shtetit nga ta, nuk është krim, por vlerësim (bakshish) për merita!
Rusia, me kët akte, duket se ka objektiv zvarritjen e integrimit të Ballkanit në NATO dhe BE, për të blerë kohën e ndryshimeve globale nga të cilat pret largimin e NATO-së nga Evropa dhe bllokimin e saj në Azi, ku me partneren e saj strategjike, Kinën, synon ta mbaj të bllokuar për një kohë të gjatë, derisa asaj ti shterojnë fuqitë. Në anën tjetër, ajo po beson se nevoja e madhe e Evropës për gazin e lirë rus, do ta rikthej kohën e Tri Perandorive. Ndërsa Ballkanin sërish do ta zhys në trazira, në të cilat partnerët e saj të vegjël, “për hajni delesh”, do të hidhnin valle mortore me shqiptarët.
Në këtë skenar, pasojat e ngecjes së shtetit të Kosovës në mes të Lindjes dhe Perëndimit për kohë kaq të gjatë,janë të rënda dhe të pariparueshme.
Pozicionimi i ngutshëm PRO-Perëndimor i Kosovës, nuk ka alternativë!
Këtë duhet ta bëjë sa më shpejtë brezi i ri i shqiptarëve Evropian.
2 qershor, 2020