Treni i relacionit Fushë Kosovë – Shkup, pas nisjes së tij në orët e para të mëngjesit, kishte zbarkuar udhëtarët e rraskapitur, menjëherë pas kalimit të kufirit Kosovë-Maqedoni. Të lënë nën mëshirën e kohës, turma me rreth një mijë persona kishte ecur binarëve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe fëmijëve, sepse pikërisht kjo zonë kishte qenë e minuar nga çetnikët serbë
“Shënime nga kufiri” – mbante datën 1 Prill 1999. Vendkalimi kufitar Bllacë, tani më ishte bërë stacion, ku shqiptarët e Maqedonisë presin dhe ndihmojnë vëllezërit nga Kosova, të cilët me dhunë detyrohen t’i braktisin vatrat e tyre. Të ardhurit e ditës së djeshme, ishin gati nga të gjitha vendet e Kosovës. Ata deklaronin, se situata atje është shumë e vështirë.
Një grup prej mbi pesëqind të ikurish nga Kosova, kishin ecur gjatë gjithë natës dhe kishin arritur në mëngjesin e 1 prillit, në fshatin Bllacë, 3 kilometra larg kufirit, ku i ka pritur ushtria maqedonase. “Ndihma” e vetme e ushtrisë maqedonase ofruar këtij grupi, kryesisht gra e fëmijë, kishte qenë grupimi i tyre në një anë të bjeshkëve, ku qartë mund të shihej se mund të qëllohen nga serbët, që po shëtisnin shpesh kësaj ane. Ishin këta njëzet policë e ushtarë maqedonas, të cilët haptazi po u ndihmonin kolegëve të tyre serbë, teksa këta të fundit po ushtronin gjenocid të paparë nga bota e civilizuar. Deri në mbyllje të këtyre ‘shënimeve nga kufiri’, ky grup vazhdon të mbetej nën mëshirën e serbomaqedonasve.
Treni i relacionit Fushë Kosovë – Shkup, pas nisjes së tij në orët e para të mëngjesit, kishte zbarkuar udhëtarët e rraskapitur, menjëherë pas kalimit të kufirit Kosovë-Maqedoni. Të lënë nën mëshirën e kohës, turma me rreth një mijë persona kishte ecur binarëve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe fëmijëve, sepse pikërisht kjo zonë kishte qenë e minuar nga çetnikët serbë. Të lodhur e të etur për një pikë ujë, aty rreth orës 17:00, të ardhurit nga Kosova ishin grumbulluar në një fushëgropë në pritje të ndihmës. Shumica prej tyre ishin gra, pleq dhe fëmijë, të cilët deklaronin se në shumë vende të Kosovës gjendja është tejet alarmante. Serbët vazhdonin me granatime, ishin djegur shtëpi të tëra dhe popullata po detyrohej nga paramilitarët serb të braktiste vendin. Në mesin e tyre kishte edhe shumë fëmijë, të sëmurë dhe pleq, gati të palëvizshëm. Ndihma e pakursyer e aktivistëve të organizatave humanitare nuk mungoi për asnjë moment. Po ashtu ndihma e “mjekëve pa kufi” ishte e pakursyeshme.
Prej vendkalimit kufitar, të ardhurit barteshin me autobusë në destinacione drejtë qyteteve tjera të Maqedonisë, pavarësisht se a kanë vend ku priten.
Në vendkalimin kufitar qenë ngritur tenda, për shkak të evidentimit të të ardhurve.
KEQTRAJTIME EDHE NGA CIVILË TË ARMATOSUR SERBË
Të dëbuarit kosovarë , përpos nëpër male, duke ikur nga dora gjakatare e forcave terroriste serbe, pas një pauze disaditëshe, kanë vërshuar edhe vendkalimet kufitare Maqedoni-Kosovë. Në këto vendkalime, ku numri më i madh vinë nga Prishtina edhe nga qytetet tjera nga brendia e Kosovës, kolonat e makinave arrijnë gjatësinë prej më shumë kilometrash, shkruante FAKTI i 1 prill të 1999-ës.
Nga informatat që i kemi, në vendkalimin kufitar të Bllacës, në afërsi të Hanit të Elezit, kolona e makinave të cilat presin për të hyrë në Maqedoni, arrin gjatësinë mbi tetë kilometra. Organet kufitare maqedonase në çdo orë lejojnë që të hyjnë nga dy, ose tri makina, me çka rritet dukshëm numri i kosovarëve nga çasti në çast.
E njëjta gjendje mbretëron edhe në vendkalimin kufitar të Jazhincës, në afërsi të Tetovës dhe në atë të Tabanocit afër Kumanovës.
Gjatë pritjeve për kalim, të ikurit kosovarë ndesheshin edhe me shumë keqtrajtime të ndryshme, si nga ana e forcave serbe, ashtu edhe nga civilët e armatosur serbë. Meqë Hani i Elezit, tashmë disa ditë ishte qytet i boshatisur, bashkë me fshatrat në afërsi të vendkalimeve tjera kufitare, ata ishin të ballafaquar edhe me mungesën e ushqimit dhe të artikujve të tjerë ushqimor, e sidomos me mungesën e artikujve më se të nevojshëm për fëmijë. Pasi pritjet në kufi ishin shndërruar në ditë, njerëzit kishin nevojë për ndihmë dhe reagim sa më urgjent nga të gjitha subjektet, si humanitare, ashtu edhe politike.
NJË LITËR QUMËSHT, DHJETË MARKA GJERMANE
Nga ata pak njerëz, kryesisht civil serb, të cilët patën ardhur nga ana tjetër e kufirit, refugjatëve në kolonë, një litër qumësht ua shisnin prej pesë deri në dhjetë marka gjermane. Nga ana e shoqatave humanitare “El Hilal” dhe “Kalliri i Mirësisë” ka pasur disa përpjekje për të depërtuar deri te refugjatët, me qëllim që t’i furnizojnë me bukë dhe qumësht, mirëpo shumë nga këto orvatje kishin përfunduar pa sukses.
Nga kalimtarët e paktë kuptuam, se organet policore serbe kërkonin shuma të mëdha të hollash për ta lejuar kalimin pa pritje në kufi, mirëpo po të njëjtit që japin ryshfet zhgënjeheshin menjëherë, pasi e kalonin kufirin serb, për shkak se pala maqedonase punon pothuajse fare pak.
Ishte për t’u habitur fakti se çka po ndodhte në këto vendkalime kufitare. Edhe përkundër deklaratës së nënkryetares së Qeverisë maqedonase, Radmilla Kiprianova, të dhënë të martën se të gjithë ata persona, të cilët nga Kosova do të kërkojnë strehim në Maqedoni do të mirëpriten dhe do të strehohen menjëherë, megjithatë organet kufitare maqedonase edhe më tutje vazhdojnë të punojnë me stilin e tyre, një orë punë – disa orë pushim. Sipas të gjitha gjasave, edhe kjo punë njëorëshe ishte pasojë e pranisë dhe vëzhgimit të një numri të madh të gazetarëve në vendkalimet kufitare, që të thuhet se ja “punojmë”, saktësonte FAKTI më 1 prill 1999 dhe shtonte, se përveç mospunës, siç pat deklaruar një dëshmitar, refugjatët të cilët ndodheshin ndërmjet zonës kufitare u nënshtroheshin keqtrajtimeve të ndryshme nga ana e policëve maqedonas, siç ka qenë edhe rasti i një polici të dehur në vendkalimin kufitar të Tabanocit, që i ka keqtrajtuar refugjatët në vetë zonën kufitare.
Nga të gjitha mediat shqiptare në Maqedoni, opinioni ishte i alarmuar për gjendjen katastrofale në kufi, ndërsa nga partitë politike pritej reagimi sa më i shpejtë, me qëllim të kapërcimit të gjendjes.
Të gjithë ishin në ankthin e pritjes se çfarë do të ndodhë, ndërsa radhën për të vepruar e kishin partitë politike, të cilat po ashtu ishin në rrjedha, mirëpo mungonte reagimi i vërtetë dhe kuptimplotë i tyre.
(Refugjatë të raskapitur lexojnë gazetën FAKTI në hapësirën mes Kosovës dhe Maqedonisë.Fotografia është e fotoreportres nga nga Spanja, Cristina Garcia Rodera, e cila gjatë vitit 1999 ka realizuar fotografi të cilat në fokusin e tyre kanë refugjatët dhe Kosovën gjatë periudhës së luftës.)