• Today is: Thursday, March 28, 2024

URA NË NDËRTIM MBI LUMIN VARDAR TË EMËRTOHET „URA HEBRAIKE E DRURIT“

fakti
June01/ 2020

(Iniciativë e ITSHKSH-së)

 

Ne besojmë se kjo do të shërbejë si një simbol i vullnetit të mirë dhe përkujtimit të hebrenjve tanë, kujtimit të tyre dhe pasardhësve të tyre sot. E njëjta urë do të kishim dashur që të quhej “Nishani hebre” ose “Ura hebraike e Shkupit”, e gjitha kjo për nder të bashkëqytetarëve tanë të humbur. Me këtë, qyteti ynë do t’i dërgojë një mesazh të mrekullueshëm botës dhe do të mbahet mend si një qytet që nuk i harroi kurrë hebrenjtë e tij, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thuhet ndër të tjera në iniciativën e nënshkruar nga Prof. Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup

 

Shkup, 1 qershor – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve përmes një iniciative drejtuar autoriteteve të Qytetit të Shkupit, ka kërkuar që ura në ndërtim mbi lumin vardar  të emërtohet „URA HEBRAIKE E DRURIT“.
Në letrën drejtuar kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, elaborohet edhe arsyeshmëria e kësaj iniciative.

Të nderuar,

Departamenti për Edukimin dhe Hulumtimin e Holokaustit pranë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, është departamenti i vetëm shtetëror në suaza të sistemit arsimor, i cili është përgjegjës për ruajtjen e kujtesës së Hebrenjve në Maqedoninë e Veriut. Duke pasur parasysh faktin se ne i promovojmë vlerat kulturore dhe ato njerëzore brenda Institutit tonë, dëshirojmë që së bashku me Qytetin e Shkupit të vendosim një pikë të re kulturore referimi, e cila në të ardhmen do të paraqesë edhe një atraksion turistik.

Për shekuj, hebrenjtë në Shkup kanë qenë pjesë e pandashme e zemrës së qytetit dhe ndër shekuj kanë lënë gjurmët e tyre në zhvillimin kulturor dhe shoqëror të qytetit.

Në pjesën qendrore të qytetit, pikërisht rreth lumit Vardar, ndodhej lagjja e Hebrenjve në Shkup, prej ku edhe ishte deportuar i gjithë komuniteti hebraik drejt kampit të vdekjes Treblinka, në mars të vitit 1943.

Lagjja Hebraike ishte lagjja e tyre, ishte vendi ku ata gëzonin autonominë e tyre, të drejtën për të blerë patundshmëri, vendi ku ndërtonin sinagoga dhe kryenin tregti. Marrëdhëniet në mes hebrenjve dhe komuniteteve të tjera jo-hebraike kanë qenë mjaft të mira për shekuj me radhë. Lagjja Hebraike ndodhej në pjesën e poshtme të Kalasë së Shkupit, në bregun e lumit Vardar, dhe në vazhdimësinë e Lagjes së Pajkos. Deri në fund të shekullit XIX kjo lagje ka qenë njëra ndër lagjet më të varfra dhe më konservative në Shkup, me pothuajse asnjë ndryshim. Në fillim të shekullit të XX-të, me pasurimin gradual të banorëve të saj, filluan të mbijnë shtëpi të mëdha dhe të bukura, me elemente arkitekturore evropianë të ndërtimeve dhe stileve, të cilat filluan të ndryshojnë pamjen e saj, veçanërisht përgjatë lumit Vardar. Një nga elementët që identifikonte lagjen Hebraike ishte ura që e lidhte atë me pjesën tjetër të qytetit. Ura kishte një dizajn të thjeshtë, me një parapet prej druri dhe ishte një simbol i lagjes. Ura u shkatërrua gjatë tërmetit dhe pas asaj nuk u rindërtua kurrë.

Hebrenjtë parapëlqenin ta quanin atë si „Ura Hebreje“, madje edhe gjeneratat e reja të pasluftës e quanin si të tillë, ndërsa edhe shkupjanët e vjetër të ditëve të sotme, e mbajnë mend me po atë emër.

Si institucion, i cili merret me ruajtjen e vlerave kulturore të qytetit dhe shtetit tonë, bashkërisht dhe në konsultim me Izraelin, do të donim ta inkurajonim këtë iniciativë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të gjithë qytetarëve në Shkupit, dhe besojmë se për qytetin tonë –  Shkupin, kjo do të paraqesë një atraksion dhe pikë referimi të shkëlqyeshme turistike, ura që është në ndërtim e sipër pranë vetë rrotës panoramike dhe ngjitur me urën “Goce Dellçev,“ të finalizohet duke e rindërtuar në atë mënyrë që t’i jepet pamja e urës vjetër si në fotografi, me çka dhe do të dislokohet rrota panoramike si pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ne besojmë se kjo do të shërbejë si një simbol i vullnetit të mirë dhe përkujtimit të hebrenjve tanë, kujtimit të tyre dhe pasardhësve të tyre sot. E njëjta urë do të kishim dashur që të quhej “Nishani hebre” ose “Ura hebraike e Shkupit”, e gjitha kjo për nder të bashkëqytetarëve tanë të humbur.

Me këtë, qyteti ynë do t’i dërgojë një mesazh të mrekullueshëm botës dhe do të mbahet mend si një qytet që nuk i harroi kurrë hebrenjtë e tij, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bashkangjitur me këtë letër, Ju dërgojmë dhe fotografinë e urës së vjetër me po të njëjtin emër, e cila është shkatërruar gjatë tërmetit, dhe mbetemi me dëshirën dhe shpresën se iniciativa e Departamentit për Edukimin dhe Hulumtimin e Holokaustit do të pranohet nga ana Juaj, dhe se Qyteti i Shkupit do të jetë krenar me këtë vendim, së bashku me ne, me çka në të ardhmen e afërt do të jemi krenar për ta promovuar këtë ide në opinionin e gjerë. Me respekt! ”, thuhet në tekstin e iniciativës, të nënshkruar nga Prof. Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup.